Katėr tė rinj ekspozojnė nė Galerinė e vogėl Vėrtetėsinė e njė realiteti tė deformuar. Fotografi nė teknikėn pinhol dhe aparate tė ndėrtuar me kuti parfumi, ushqimesh apo kanaēe pijesh freskuese
Kush e ka menduar se si e shohin botën insektet. Po brenda një kutije parfumi apo kafeje, ku ende ndihen aromat e forta
Katër të rinj provojnë të eksperimentojnë në këtë fushë, duke sjellë imazhe të realizuara nga brenda një bote të errët. Nga brenda një kanaçeje kafeje, apo një kutije këpucësh, bota nuk është ajo që shohim me sy të lirë. Është më e vogël, e përthyer, deri diku e panjohshme. Vërtetësia e një realiteti të deformuar është ekspozita e hapur në Galerinë e Vogël e që ofron një mënyrë ndryshe të të fotografuarit. Ilir Kaso, Krida Metalla, Ervin Berxolli dhe Irzeme Beqiri sjellin botën e tyre përmes fotografisë pinhole.
Kuratori i ekspozitës, Genc Mulliqi, shpjegon se bëhet fjalë për një metodë fotografimi primitive, e cila konsiston në realizimin e fotografive përmes një aparati, që nuk është gjë tjetër veçse në kuti çfarëdo pa lensin fotografik, e izoluar mirë, ku drita kalon përmes një vrime të vogël për të dhënë imazhin të fiksuar në letrën fotografike, apo filmin që gjendet brenda saj. Dhe duket se në varësi të madhësisë së kutisë, varet dhe imazhi i realizuar. Artistët kanë krijuar aparate të ndryshme, dhe kanë përzgjedhur të fiksojnë me to, përditshmërinë e tyre. Rrugën e shkollës, barin ku pijnë një birrë me miqtë, shoqet e klasës, një plazh apo një godinë në qendër të Tiranës. Janë punë në përmasa të vogla kryesisht dhe në ngjyrat bardhë e zi.
Irzeme Zeqiri është fokusuar tek peizazhi dhe portreti. Ka përzgjedhur një kanaçe neskafeje për të sjellë peizazhin, ndërsa për të fiksuar portretet e shoqeve të saj, ka zgjedhur një objekt disi më romantik, një kuti parfumi. Ato vijnë në përmasa fare të vogla, por delikate si një parfum pranveror. Ilir Kaso provon të minimizojë botën. Përmes aparatit të tij të realizuar me një kuti parfumi, të vendosur njësh me tokën, provon të kuptojë sesi mund ta shohin atë, krijesa të vogla si insektet. Nuk ka zgjedhur të fotografojë ndonjë subjekt të veçantë, thjesht rrugën e shkollës, së Akademisë së Arteve, që ai e përshkon çdo ditë. E stërmadhe bota në sytë e një qënieje të vogël dhe e rrumbullt dhe e vogël në sytë e tij.
Krida Metalla përdor një kuti patatinash për të realizuar punët e saj. E tërheq ajo çka ndodh përtej dritares, ndaj edhe në aparatin fotografik hap një hapësirë në formë katërkëndëshe e prej andej fokuson dritaret e vërteta. Mjetin primitiv e merr me vete edhe në një bar, ku fokusohet tek gotat e një tryeze të zbrazët.
Ervin Bërxolli, shfrytëzon kompozimin në punët e tij. Përmes një kutije ushqimore fotografon një nga ndërtesat më të njohura në kryeqytet, Pallatin e Kulturës, por ndryshe nga ajo ndërtesa me kolona të drejta që na bie rruga ta shohim përditë, Pallati i Ervinit është i harkuar. Dhe në sfond ofron edhe imazhin e një fruti. Kjo është e vërteta e aparatit të tij. Që nga Tirana udhëton drejt bregdetit, shkon në Vlorë, në plazhet e ashpër ku aparati ushqimor fikson guralecët dhe çadrat. Dhe është ai vetë që këtij peizazhi i shton imazhin e një njeriu që rri më këmbë, në breg të detit. Sipas kuratorit Mulliqi, titulli i ekspozitës Vërtetësia e një realiteti të deformuar, duket se është më pranë punëve të Ervin Bërxollit. Në këtë rikonceptim hapësirash, ndoshta është e vështirë të jetohet, por kjo është përditshmëria, e cila në momente të caktuara, kur ndihesh i izoluar, i fshehur, i vetmuar, mund të shihet edhe kështu. Është bota moderne e deformuar, parë përmes fotografëve të Mesjetës. Mulliqi i referohet origjinës së fotografisë së pinholit, që kur Leonardo Da Vinçi u gjend në Dhomën e Errët (camera obscura). Kush do ta mendonte që në një hapësirë kaq të vogël të përfitohej imazhi i gjithë universit? Oh, proces fuqiplotë! Cili është ai talent, i cili mund të arrijë të përshkojë një natyrë si kjo
, - mendohet të ketë thënë dikur mjeshtri.
Me kalimimin e shekujve, kjo mënyrë fotografimi është përdorur për argëtim, art, apo shkencë dhe mjetet e përdorura për këtë proces janë nga më të ndryshmet, që nga kutitë e ushqimeve, dhomat e ndërtesave të mëdha, makina të mbyllura, lavatriçe, deri tek goja e njeriut. Ekspozita në Galerinë e Vogël qëndron hapur deri në mesin e korrikut.