Reformė", kjo fjalė duket se ka vlejtur pėr ushtrinė shqiptare nė tė gjitha kohėrat, madje qė kur ajo u krijua pėr herė tė parė si e tillė nė mbrojtje tė Qeverisė sė Ismail Qemalit. Por reformat mė tė nxehta ushtria shqiptare do t i kishte nė vitet 70- 80 tė shekullit tė kaluar. Maliq Sadushi tregon pėr fillimin e reformave nė Ushtrinė e sapodalė nga Lufta e Dytė Botėrore, apo siē cilėsohej nė Shqipėri, Lufta Antifashiste Nacionalēlirimtare.
Kur nisën reformat në ushtrinë Shqiptare?
Reformat dhe ndryshimet e shpeshta në strukturën ushtarake, spastrimet etj., kishin si qëllim forcimin e vazhdueshëm të karakterit popullor të ushtrisë dhe sigurimin e integritetit të atdheut. Ndryshimet e thella në ushtri filluan menjëherë pas luftës dhe vazhduan edhe më tej, përkatësisht në vitet 1955-1956 e më vonë u thelluan në vitin 1961, kur filloi çarja midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Pra, kur u bë shkëputja përfundimtare nga "varësia sovjetike".
Cilat ishin ndryshimet në reformën e parë të pas Luftës?
Duhet thënë se edhe më parë ka patur ndryshime të mëdha në dy drejtime kryesore: në përpunimin e mendimit ushtarak origjinal shqiptar, që çoi në përgatitjen e artit të ri ushtarak mbi luftën popullore, një konceptim krejt i ri për mbrojtjen e vendit të vogël siç ishte Shqipëria, dhe disa goditje dërrmuese kundër grupeve ushtarake të quajtura puçiste e tradhëtare, çka do të shkaktonte edhe një tronditje të thellë morale e psikologjike jo vetëm në kuadrot e lartë të ushtrisë, por edhe në tërë ushtrinë e në popull.
Sa reforma keni përjetuar?
Si ushtarak i vjetër me një karrierë mbi supe, jo pak po 40-vjeçare, i kam përjetuar të gjitha ndryshimet në ushtri si në strukturën e saj, armatosjen, përgatitjen dhe ndryshimet e vazhdueshme në përbërjen efektive, që ndryshonte sipas situatave dhe ndërhyrjeve sidomos të komandës sovjetike nga "u ushqyem" për shumë vite me radhë. Po kështu, jam edhe dëshmitar i ndryshimeve në udhëheqje të ushtrisë deri në fund të vitit 1982, ku dhe jam shkëputur përfundimisht nga ushtria.
Si u prit reforma e parë në Ushtrinë Shqiptare?
Reforma e parë e Ushtrisë ishte ajo e vitit 1955, një ngjarje, e cila shënoi një traumë për Ushtrinë Shqiptare, në veçanti kuadrove të saj, të cilët ishin pjesë e atyre shkurtimeve të ndjeshme, që ne i quajtëm "nëntëmijëshi". Sipas organeve politike të saj kohe, kjo ishte një reformë ushtarake, që do t i shërbente forcimit të mëtejshëm e modernizimit të ushtrisë, uljes së shpenzimeve të mëdha të shtetit, pasi ushtria ishte një konsumatore e madhe, e më tej propaganda se me këto masa drastike do të forcohej ekonomia, do të rregullohej mbrojtja dhe do të favorizohej një ushtri e vogël dhe efektive.
Në cilat instanca u mor vendimi për të patur këtë reformë?
Në fakt, nuk ishte dëshira e udhëheqjes sonë të shkurtohej ushtria, prej së cilës dolën në lirim qindra oficerë, që luftuan në luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe që kishin punuar me devotshmëri në vitet e pas Luftës. Fatkeqësia e atyre oficerëve bashkë me nëntëmijë ushtarë (shkurtime organike) ishte mungesa e formimit arsimor të përgjithshëm dhe pamundësia e shkollimit në institucionet arsimore ushtarake. Këta u konsideruan analfabetë, që nuk ishin të tillë, madje shumë më të aftë si ushtarakë sesa ata që kishin kryer shkolla e kurse. Problemi në fakt qëndronte diku tjetër.
Ku, konkretisht?
Komanda Sovjetike, nga vareshim de facto, kishte vendosur të ndryshonte strukturën ushtarake në Shqipëri, të shkrinte të gjithë divizionet dhe dy-tre korparmata, që kishim në atë kohë, dhe të mbeteshim vetëm me tre-katër Brigada Këmbësorie, dy-tre Regjimente Artilerie dhe disa reparte të vogla speciale. Krahas ristrukturimit bëhej dhe shkurtimi në efektiva, që ishin oficerë, nënoficerë, ushtarë. Çështja e sigurimit të mbrojtjes sipas sovjetikëve ishte e garantuar me forcat e tre-katër brigadave, si forca mbulimi të përkohshme, pastaj kishim ushtrinë sovjetike që do të na mbronte. Këto broçkulla, që i gëlltiti udhëheqja jonë, qenë gatuar me shumë kujdes nga Hrushovi dhe Marrëshallët e tij.
Cili ishte qëllimi kryesor i sovjetikëve në këtë rast?
Po të shkojmë më tej dhe të gjykojmë thellësisht çështjen, interesi dhe planet e sovjetikëve synonin: Së pari, duke e lënë Shqipërinë pa ushtri, me një bërthamë të vogël, që të mos ish në gjendje t i rezistonte sulmeve nga jugu dhe nga veriu, të krijonte kushtet që të ndërhynte ushtria sovjetike nga t ia donte qejfi, për ta pushtuar Shqipërinë me slloganin e mbrojtjes së kampit socialist. Së dyti, po të mos ndodhte ndonjë sulm nga jashtë, si nga Greqia, që ishim në gjendje lufte, edhe nga jugosllavët, që ishin aleatë me Bashkimin Sovjetik, të forcohej bindja në udhëheqje dhe në popull se ne nuk mund të jetojmë asnjë ditë pa Bashkimin Sovjetik.
Si u reagua nga udhëheqja e asaj kohe?
Në këto kushte që gjendej vendi ynë në vitet 50, me ekonomi të dobët e me mbrojtje të dobët, udhëheqjes shqiptare i duhej të pranonte vendosjen e trupave sovjetike në tokë, në det dhe në ajër. Në rastin e dytë që po flasim, u realizua pushtimi i bazave detare nga Flota Sovjetike, e cila qëndroi deri në fund të vitit 1960. Gradualisht sovjetikët do të realizonin edhe vendosjen e trupave tokësore, bazat e raketave etj. Kujtoj që në vitin 1959, kur erdhi Hrushovi në Shqipëri, shfaqi dëshirën që zona e Sarandës deri në Butrint, të shndërrohej në një bazë artilerie ajrore. Sipas tij, kjo ishte hapësira më e përshtatshme për dislokimin e raketave sovjetike, që do të kishin nën rrezen e tyre tërë Mesdheun, Greqinë me shikim deri në Gjibraltar.
Pati mendime të kundërta nga ai i Hrushovit?
Kur Hrushovi ia tha këtë mendim Mareshallit Malinovski, që e shoqëronte dhe në prezencë të Enver Hoxhës, Malinovski tha: "Si urdhëron Hrushov". Por Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu nuk e morën aq lehtë këtë gjest, pasi ky ishte një kërcënim i hapur për të pushtuar fqinjin tonë, Greqinë. Pavarësisht si u zhvilluan ngjarjet, fakti është që Ushtria Shqiptare u dëmtua rëndë në vitin 1955 e më vonë.
Në çfarë kuotash u realizua plani sovjetik i reformës?
Plani sovjetik për "nëntëmijëshin" dhe ndryshimet e strukturës ushtarake u realizuan, por me shumë dhimbje. Ata qindra oficerë që u liruan, mbetën rrugëve pa punë, se punë nuk kishte, ndonjë profesion civil nuk kishin. Kështu u detyruan shumë prej tyre t i drejtoheshin fshatrave të tyre nga kishin ardhur gjatë luftës. Në ato vite fukarallëku ishte i madh. Jetohej me triska. Vetëm ushtria jetonte më mirë se ushqimet i kishin të garantuara nga shteti nëpërmjet furnizimeve, që bënte Bashkimi Sovjetik.
Pas kësaj Ushtria a ishte e gatshme të kryente detyrat luftarake?
Megjithë ndryshimet që u bënë, shumë shpejt njësitë e reja ushtarake që u formuan, u ambientuan me detyrat, duke forcuar gjithnjë e më shumë sistemin e përgatitjes luftarake dhe të gatishmërisë në veçanti në jug dhe në veri. Në vitin 1956 doli mendimi tjetër "gjenial" i Hrushovit. "Lufta për Paqen" që qe vetëm një mashtrim për opinionin. Ndërsa ne në Shqipëri u treguam shumë entuziastë se tashmë do të kishim një paqe të qëndrueshme, kështu që edhe ushtritë do të shkriheshin, pra do të thellonim më tej reformat dhe shkurtimet.
Pra, reforma e shkurtimeve do të vazhdonte edhe më tej?
Menjëherë pas së parës erdhi dhe goditja e dytë për ushtrinë tonë dhe përsëri do të rëndonte mbi supet e oficerëve, të cilët do të hidheshin në rrugë siç u veprua në 55-ën. Pranvera e vitit 1956 erdhi me planin e ri sovjetik, që ish miratuar edhe nga udhëheqja politike, qeveria dhe Ministria jonë e Mbrojtjes. Logjika të çon atje, ku sovjetikët nuk hiqnin lehtë dorë nga planet pushtuese bashkë me vetshpalljen kampion të paqes. Gradualisht Ushtria Shqiptare po shkonte drejt zeros, duke u shkurtuar herë pas here.
Sa ushtarakë sakrifikoi reforma e dytë?
Doli në shesh plani famëkeq "shtatëmijëshi", ku do të shkurtoheshin edhe shtatëmijë oficerë, nënoficer e ushtarë. Brenda një viti do të shkurtoheshin 16.000 forca efektive (gjysma e ushtrisë efektive a diçka më shumë). Gjendja kishte dy pamje. Me sa më kujtohet, ajo kohë prill-maj 1956, pamja e parë ishte euforia që sundonte te drejtuesit kryesorë të ushtrisë, se ata nuk pësonin gjë, do të ishin atje ku qenë kolonelë e gjeneralë, dhe do të kishin më pak punë, por edhe ofiqet do të ishin më të larta. Enveri, me cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm, ju tha kuadrove të lartë në një mbledhje se: "Tani do të kemi një ushtri të vogël, por të rregullt nga çdo pikëpamje, edhe të veshur mirë edhe të ushqyer. Oficerët e gjeneralët do të trajtohen shumë mirë, edhe uniformat do t i bëjmë më dinjitoze
etj".
Po pamja e dytë cila ishte?
Pamja e dytë ishte humbja e shpresës për të jetuar më mirë, për t i shërbyer më mirë atdheut. Duke qenë në ushtri si kuadër oficer, vështirësitë e jetesës që krijoheshin për ata që do të prekeshin, ishin sorollatja për të gjetur punë, ashtu si shokët e tyre para një viti. Në disa mbledhje që u bënë në disa garnizone të mëdha, si Tiranë, Shkodër, Durrës, Elbasan etj., oficerët që liroheshin arritën deri në protesta, ku iu bënin të qartë të dërguarve të Drejtorisë Politike pakënaqësitë e tyre, se do të mbeteshin rrugëve, pa punë, nuk kishin me se të jetonin, pasi ishin ende në një varfëri të madhe.
Reforma pati vetëm anë negative, apo u vunë re dhe anë të mira?
Për të qenë realist, e vërteta e pamohueshme është se në ecurinë e mëvonshme në ushtri u arritën suksese të dukshme dhe këto vinin natyrshëm me rritjen e nivelit teorik, metodik dhe aftësimin e dukshëm e shumë cilësor në praktikën e përditshme ushtarake. Veçanërisht, hapin më cilësor ushtria e arriti pasi u shkëput nga influencat, praktikat, metodat e klasicizmi sovjetik. Kështu, tek ushtarakët e çdo niveli shpërtheu mendimi ushtarak i pavarur, bazuar në traditën tonë, por pa hedhur poshtë gjithçka të mirë të akumuluar edhe nga shkollat sovjetike, ku studiuan gati të gjithë kuadrot e lartë të ushtrisë. Krahas arritjeve pozitive u evidentuan edhe dukuri negative në veprimtarinë e kuadrove drejtuese e në veçanti tek kuadrot e lartë.
Lidhja me sovjetikët e bëri të varur Ushtrinë Shqiptare?
Shkëputja nga tutela sovjetike padyshim çliroi forca dhe energji të mëdha te udhëheqësit ushtarakë që e ndienin në ato kohë veten të lirë, të gjithpushtetshëm e më të plotë e kompletuar në veprimtarinë e tyre. Por euforia e kuadrove të lartë u ngjit në shkallën sipërore sa që u krijua mendimi edhe në bazë se këta janë të pazëvendësueshëm, njerëz të mëdhenj që askush nuk mund të krahasohet me ta. Kështu u formua kulti i gjeneralëve që, drejtpërdrejtë apo në të kundërt, u ushqye edhe nga udhëheqja e lartë e shtetit.
Kulti i ushtarakëve, krijoi diferencë me pjesën tjetër të ushtrisë?
Po, u bënë diferencime të dukshme midis kuadrove të ulta, të mesme dhe atyre të larta. Të mëdhenjtë, gjenralët, që ishin kryesisht në ministri si shefa, zëvendësa, drejtorë e zëvendës, përgjithësisht gjeneralë disa edhe pa merita të shquara lufte e pune, qenë të pacënueshëm, të pakritikueshëm dhe se ata nxirrnin vetëm flori nga goja. Të tjerët qenë të shtypurit e tyre, të pazotët, pa perspektivë dhe që dëmtonin rëndë ushtrinë. Kuadrot e mesëm dhe të ulët, bile dhe ata të rangut të brigadave që konsideroheshin kuadro të lartë, edhe me nga dy akademi, nuk mund të radhiteshin për nga aftësitë me gjeneralët masivë, që qenë mbi 40 të tillë në një ushtri të vogël.
Kishte kastë ushtarake deri në atë kohë, apo ajo u formua më pas?
Elita e lartë ushtarake, që mund të japë përshtypjen e një kaste ushtarake e që rrezikonte shkëputjen (ndarjen) midis kuadrove dhe uljen e lidhjeve të ushtrisë me popullin, u shfaqën në fillimet e vitit 60 e në vazhdim. Veprimtaria në ushtri me të gjitha dukuritë e saj, si të mirat dhe defektet serioze, jo vetëm që nuk krijonte përshtypjen e një pune të keqe e të qëllimshme, por inkurajohej shumë nga udhëheqja e shtetit dhe rrethohej edhe nga dashuria që ushqente populli për ushtrinë, që e vlerësonte realisht si garante të mbrojtjes së atdheut.
Cilët ishin elementët më të dukshëm të abuzimit nga ana e drejtuesve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes?
Udhëheqësit e lartë ushtarakë, siç qenë p.sh Beqir Balluku, Petrit Dume, Sadik Bekteshi, Hito Çako e një numër i konsiderueshëm drejtorësh e komandantë korpusesh qenë pushtuar nga një familjaritet i papranueshëm, nga një mbrojtje e çimentuar e gabimeve që bënin, nga krijimi i rretheve me grupe të mëdha servilësh e korrierësh, që iu thurnin lëvdata shefave të tyre në ato kohë, me të vetmin qëllim që të siguronin privilegje, dhe shefat e tyre të mbeteshin të pazëvendësueshëm, ku disa prej tyre numëronin nga 20-30 vjet në ato karrige.
Është folur për arrogancë nga kuadro të lartë. Sa qëndron?
Arroganca dhe prepotenca po lulëzonin në ushtri si pa u vlerësuar shumë nga Partia që udhëhiqte ushtrinë. Fyerjet, përçmimet, mosvlerësimet e punës së masës së kuadrove të bazës, qenë bërë normë në metodën e kuadrove udhëheqëse (gjeneralëve). Vetëm ata atje lart nuk gabonin, të tjerët ishin problematikët. Këto dukuri negative që kishin hyrë në një rrugë pa krye, kishin efektet e veta në punët e ushtrisë, megjithë këtë, falë atij përkushtimi të madh të ndjenjave më të larta patriotike, besnikërisë ndaj popullit e atdheut të masës së oficerëve të ushtrisë, detyrat kryheshin normalisht, gjithkush bënte atë çka i takonte me ligj, me rregullore e në bazë të vijës së Partisë në ushtri.