Tė gjithė politikanėt harraqė e shpėrfillės do tė kishin bėrė mirė tė ndiqnin me vėmendje mėsimet e Gjeografisė kur ndodheshin nėpėr bankat e shkollės. Imagjinoni njė leksion qė nis me kėto fjalė nga ana e profesorit apo mėsueses: Tė dashur deputetė e qeveritarė, sot do tė flasim pėr zonat kodrinore nė periferi tė Tiranės dhe mė konkretisht pėr ato nė afėrsi tė Vorės, nga tė cilat do tė veēojmė atė tė Gėrdecit.
Zona kodrinore e Gërdecit shquhej për tokat e saj pjellore dhe për bimësinë e gjelbër. Peizazhi i saj natyror karakterizohej nga fusha e lëndina të shumta dhe nga hapësira çlodhëse. Kjo zonë banohej nga qindra familje të cilat jetonin në paqe e harmoni me natyrën.
Flasim në kohën e shkuar, sepse, muajt e fundit, këto mrekulli ia lanë vendin shkatërrimit të një erozioni të fortë. Dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë rrëshqitje dherash, për ndonjë shpërthim vullkani, apo lëkundje tërmeti.
Jo, është edhe më keq akoma: sepse bëhet fjalë për një shpërthim eksploziv, me pasoja të rënda, jo si arsye e ndonjë force madhore, por e një force të errët, që në rastin tonë quhet Shtet. Prodhimtaria e Gërdecit, ndryshe nga shumë fshatra të tjerë, nuk është ajo e frutave, zarzavateve apo perimeve. Jo, kjo zonë shquhet për prodhimin apo edhe çmontimin e predhave dhe municioneve të kalibrit të lartë. Kjo komunë, ndryshe nga shumë të tjera, njihet gjithashtu për punësimin e plotë të banorëve të saj, kryesisht të fëmijëve në moshë të mitur dhe të grave shtatzëna, si dhe për grevat e urisë, të cilat në vend të ndërgjegjësojnë pushtetarët-artiljerë, e bëjnë indiferentizmin e tyre edhe më të tejskajshëm. Për të shkuar nga qendra e Tiranës në këtë fshat duhen jo më shumë se 15 minuta me veturë, ndërsa me eskorta luksi mund të gjendesh atje edhe për 5 minuta, e megjithatë, ndryshe nga shumë nxënës dhe studentë të talentuar në gjeografi, ke edhe nga ata trazovaçë që harrojnë ti mësojnë leksionet e gjeografisë në Kryeministri, aq sa thonë se nuk e dinë se ku bie Gërdeci. E pra, për nxënës të tillë mund të ketë vetëm një pasojë: nota 4 në regjistrin e mandatit të tyre!!!
Është e habitshme se si deputetë të kësaj zone, ngrihen në Parlament dhe dalin kundër njerëzve që i kanë votuar dhe mbi kurrizin e të cilëve ata pasurohen, kur teorikisht ata duhet ti përfaqësonin. Por me sa duket, në teorinë e një deputeti, një qytetar vlen vetëm ditën e votimit dhe thjesht sa për statistikë. Deputeti duhet të jetë zëri i popullit, e jo i Kryeministrit, si një i deleguar me mirëbesim i të përfaqësuarve të tij, e jo të dalë kundër tyre, pra kundër Sovranit dhe ta kritikojë atë si të paditur.
Edhe nëse janë vërtet të paditur, se nuk dinin se po jetonin në strofkën e Satanait, ata ndaj kanë zgjedhur atë, si më të mençurin mes tyre, që tiu ndrisë mendjet dhe tiu sjellë mirëqenie, e ti mbrojë, të kujdeset e të shqetësohet për ta dhe për jetën e tyre, e jo për portofolin kryeministror që nuk përballuaka kërkesa e shpenzime të caktuara, a thua sikur po i bie njeri në qafë Kryeministrit, kur në fakt është vetë ai që u ka rënë në qafë shumë të tjerëve. Çështë e vërteta, banorët, nga deputeti i zonës së tyre, do të kishin dëshiruar që ai të parandalonte fatkeqësitë e tyre, e jo ti kuronte ata pasi tu hapeshin plagët.
Por përballë përbindëshave me shtatë kokë të korrupsionit dhe të kuçedrave të demagogjisë, zoti deputet me siguri do të jetë ndjerë tërësisht i pafuqishëm për të bërë rolin e Herkulit dhe një vepër të mirë, gjithnjë nëse ka patur ndonjëherë vërtetë për qëllim një gjë të tillë. Nuk mund të konceptohet kurrë në frymën demokratike të një vendi të civilizuar, që e drejta për të shprehur në mënyrë të lirë, individuale apo kolektive një pakënaqësi, të konsiderohet domosdoshmërisht nga Qeveria si një inskenim me prapavija të zymta opozitare. Një frymë e tillë paragjykuese, nuk është asgjë tjetër, veçse një tentativë e shterpë për tiu shmangur përgjegjësive.
Një deputet do të ishte mirë të bënte interesat e zonës së tij zgjedhore dhe jo të kthehej në pengesë për zgjidhjen e halleve e problemeve të banorëve fatlumë që e kanë autorizuar atë me mandat. E më pas, dikush ka edhe guximin të akuzojë si të politizuara greva apo protesta, ndërkohë që vetë ai nuk po na fliska për politikë, por me dorën në zemër, si një qytetar që qan hallet e bashkëqytetarëve, apo edhe të bashkëfshatarëve të tij, dhe që kërkon vërtetë zgjidhjen e telasheve.
Por realiteti rrëqethës i një megafoni të prishur, apo i një altoparlanti të një hipokrizie dhe i një shtirjeje të tillë aktoreske, ka vetëm një epitet që i shkon për shtat dhe me të cilin mund të kapardiset me kryeneçësi deputeti i xhelatit: atë të Avokatit të Djallit.