Ideja pėr tė shkruar pėr kėtė temė mė erdhi kohėve tė fundit teksa po lulėzon ideja e fuqizimit tė afėrsisė ndėr-shqiptare nė sferat ekonomike dhe shoqėrore.Kurioziteti pėr tė hulumtuar dhe reflektuar nė kėtė drejtim mu shtua tej mase kur lexova njė propozim tė Arbėn Xhaferit pėr krijimin e njė lloj 'Komonuelthi Shqiptar' i cili do tė lehtėsonte kėtė proces.
Padyshim, një propozim i tillë ka meritat i tij kur kihet parasysh fakti që rajoni më i shkoqitur ekonomikisht është Shqipëri-Kosovë dhe Shqipëri-Maqedoni. Këtë brengë e rëndojnë edhe më të dhënat statistikore që tregojnë se shkëmbimet ekonomike Kosovë-Shqipëri janë më të ulëta se ato me Moldavinë, Kinën etj etj. Po përse ndodh kjo? A ka mundësi të ndërrojmë këtë bilanc duke përdorur mekanizma tregtar apo jo-tregtar?
Kur mendon për këtë përgjigje nuk ka se si mos të vijnë në mendje arsyet më të zakonshme; rrjeti i transportit është i dobët; ende bartim pasojat e barrierave politike etj. Mirëpo ajo çfarë neve nuk kemi pyetur veten është: po mire, tani kur nuk ka barriera politike, pse nuk po përmirësohet një trend i tillë? Të dhënat statistikore tregojnë që nga viti 2000 e deri më 2008 import-eksportet Shqipëri-Kosove apo anasjelltas nuk kalojnë 2-5% të totalit të të dy vendeve. Orientimi i ekonomisë së Shqipërisë është mbi masën 95% i drejtuar kah Bashkimi Evropian, ngjashëm me Kosovën e cila është e orientuar kah ish-republikat Jugosllave. Por përse ndodh kjo? Çfarë nuk shkon në relacionet ekonomike ndër-shqiptare? A mund të jetë rruga e llahtarshme Durrës-Prishtine e vetmja arsye?
Padyshim transporti është një përcaktues i rëndësishëm në shkëmbimet e çfarëdo natyre qofshin ato. Eshtë e pamohueshme që vajtjet-ardhjet do të shkurtohen në kohë dhe do të rriteshin në volum. Mirëpo, përse Kosova nuk e ka ketë problem në raport me vendet tjera? Shkëmbimet tona me Kinën janë dyfish më të mëdha se me Shqipërinë. Hipoteza që transporti pengon këtë nder-veprim është e mangët sepse mendja e shëndoshë do të logjikonte se transporti është shumë më i vështirë dhe i kushtueshëm me Kinën sesa me Shqipërinë.
Ku është problemi?
Trevat ku jetojnë shqiptaret ishin të ndara në bazë të botëkuptimeve të ndryshme ideologjike të cilat nuk lejonin asnjë formë të bashkëpunimit apo integrimit shoqëror dhe ekonomik. Deri në vitet e 90' ideologjia dhe politika përcaktonin strukturën dhe prioritetet e ekonomisë, e jo siç ndodh tani që ekonomia në masë të madhe përcakton prioritetet politike. Kjo rrjedhë ishte përcaktuar nga dy fakte qenësore; Shqipëria ishte një oaze e veçuar ekonomike në Ballkan dhe b) regjimi komunist kishte imponuar strukturë ekonomike që ishte manifestim i madhështisë ideologjike dhe logjikes së plotësimit të nevojave të brendshme: industri e rëndë dhe bujqësi. Strukturë e njëjtë ekonomike i'u ishte imponuar edhe Kosovës përgjatë 40 viteve të titizmit: industri e rëndë dhe bujqësi.
Pra, përqendrimi sektorial nuk ishte rezultat i sinjaleve dhe kërkesave të tregut por i përcaktuar nga teke ideologjike. Po përse kjo ndikon tek shkëmbimet e tanishme ekonomike? Që të dy vendet kishin strukturë të ngjashme ekonomike (prodhonin dhe eksportonin produkte të njëjta) që nuk favorizon integrimin e tanishëm. Kjo situatë u përkeqësua sidomos gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi kur tregu shqiptar u orientua kah fuqia blerëse e vendeve të pasuara perëndimore. Kjo është e natyrshme pasi që unë si prodhues shes produktet aty ku kërkohen. Edhe sot ta zëmë, Shqipëria eksporton skrap, lëkurë dhe produkte ushqimore sikurse edhe Kosova. Atëherë, nëse unë eksportoj këto asortimente kjo nënkupton qe unë nuk kam nevojë për to.. Në terminologjinë ekonomike kjo njihet si 'path-dependency'.
Edhe pse Shqipëria eksporton produkte të ngjashme me Kosoven, mua si konsumator do të më ndihmonte fakti që në treg mund të kem çokollatë shqiptare, zvicerane, serbe, sllovene etj. Po përse atëherë nuk konsumojmë produkte 'Made in Albania'? Arsyeja e dytë është psikologjike. Ka një asimetri informacioni tek konsumatori Kosovar në raport me produktet e Shqipërisë. Sjellja apo zgjedhja e konsumatorit Kosovar me tepër përcaktohet nga informacionet e gatshme dhe mësimet qe i marrim nga sjellja konsumuese e gjeneratave të kaluara. Kjo mos-përvojë me produktet e Shqipërisë keqësohet edhe me tej si rezultat i ndjenjës së mosrespektit sub-koshient qe kemi to. Ta zëmë neve kemi marrëdhënie vëllazërore dhe e duam Shqipërinë, por kjo nuk do të thotë se i respektojmë ata dhe prodhimet e tyre. E kundërta e saj shpjegon përse ne jemi shumë të dhënë pas produkteve sllovene, kroate apo serbe, dhe pse kampanjat e Lëvizjes Vetëvendosje për bojkotimin e 'pllazmave' nuk dhanë rezultate.
Si të tejkalohet kjo situatë?
Pa u arritur maturiteti ekonomik (specializimi në fusha komplementare ekonomike dhe kalimi nga ekonomi punë-intensive në ekonomi teknologji-intensive) një proces i tillë nuk përparon. Sado që është e vështirë të matet efekti i mundshëm i përmirësimit të infrastrukturës rrugore, teorikisht një gjë e tille nuk është shume shpresëdhënëse në ketë aspekt. Supozoj që tregtia e lirë (CEFTA), procesi i integrimit evropian dhe presioni i ekonomisë globale shtyjnë ekonomitë sipas logjikes neo-klasike të fokusohen në sfera të veçanta, gjë që më vonë do të rriste stimujt për shkëmbime ekonomike. Nuk shpresoj shumë tek ndenja e afinitetit kombëtar apo stimulimi i integrimit përmes mekanizmave institucional.
Supozimi im është i mangët vetëm për faktin qe neve nuk kemi statistika definitive, nuk jemi në gjendje të masim me saktësi se sa përcaktuese është infrastruktura për integrimet ekonomike ndër-shqiptare dhe nuk kalkulon turizmin si sektor. Shkrimi është një version i thjeshtëzuar i hulumtimit 'Pse po ngec integrimi ekonomik nder-shqiptar' të bërë në kuadër të Institutit për Hulumtim dhe Konsulence Universum (IHKU), dhe jemi te vetëdijshëm për hapësirën e kufizuar ne shpjegimin dhe diferencimin e koncepteve ekonomike.
(Autori është Ms.Sci. London School of Economics - Ligjërues i Marrëdhënieve Ekonomike Ndërkombëtare)