Njė histeri deklaratash demagogjike shoqėrojnė qeveritarėt shqiptarė para, gjatė dhe pas vizitave tė tyre (tė shumta) nėpėr botė; e njėjta gjė vėrehet edhe me vizitat (e pakta) tė personaliteteve tė huaja nė Shqipėri.
Duke dashur të heqin vëmendjen e publikut nga çështje të nxehta ende, si Gërdeci, grevat e urisë, mungesa e dritës dhe e ujit, mosdistancimi nga krimet e Komunizmit dhe mosçilja e dosjeve, më së fundi edhe konfliktet me Presidentin e Republikës, yjet e qeverisjes së sotme përpiqen ti shfrytëzojnë vizitat si simbolikë (të sukseseve të paqena). Drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, veçmas kryeministri Berisha, kryeparlamentarja Topalli dhe ministri i Jashtëm, Basha, të japin të kuptosh se po marrin e po japin me këmbëngulje me partnerët; por udhëtimet e tyre të kushtueshme gjatë viteve të fundit, do të mbahen mend vetëm si një shprehje e pakontrolluar e përkujdesjes (së jashtmi) për integrimin e qytetarëve shqiptarë, për integrimin e vendit. Mjaft nga objektivat e qeverisjes së shumicës së sotme, kanë mbetur ende larg dhe më shumë se të parealizuar. Një prej këtyre objektivave, premtim në tryezë, zotim elektoral - pak rëndësi kanë fjalët - është ai i lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë. Faktet na tregojnë se Lëvizja e lirë mbetet një nga temat më të dashura për të gjitha kategoritë e demagogëve, 1991-2007. Kjo ëndërr e vjetër, është zgjuar në fillim të viteve 90, u plandos para dhe pas vitit 97 dhe tani u rizgjua sërish me nënshkrimin e Marrëveshjes për Lehtësimin e Vizave, që Tirana dhe Brukseli e kanë promovuar si një arritje të madhe. Për fat të keq, në këto muajt e fundit, shpresat për një lehtësim real të regjimit të vizave me vendet anëtare të BE-së, duket janë zbehur mjaft. Kjo ndodh në një kohë që fqinjët tanë, edhe pse jo kaq të preferuar si partnerë politikë, çuditërisht gjenden ku e ku më të pëlqyer se ne, kur vjen puna për këtë të uruar e të shumëpërfolur Lëvizje të lirë. Për ti rënë drejt fare, Maqedonia, bie fjala, nuk e mori dot ftesën për anëtarësim në NATO; Serbia vazhdon të luajë si macja me miun me Perëndimin, duke iu bërë naze ftesave bashkëpunuese të komunitetit evropian, qoftë edhe në lidhje me nënshkrimin e MSA-së. Duket se edhe Bosnjë-Hercegovina do të gëzojë së shpejti një status të ri të Lëvizjes së lirë, më favorizues se i yni. Edhe pse axhenda e liderëve shqiptarë ka qenë mjaft e ngjeshur në këtë temë, rezultatet konkrete janë mjaft të varfra dhe marrëveshja për lëvizjen e lirë, për të cilën është bërë kaq shumë publicitet, paraqitet ende si një gjë në letër.
Nuk sjellim ndonjë detaj të ri në bisedë, nëse kujtojmë që vështirësi dhe pengesa të shumta për lëvizje të lirë shtrohen edhe përpara qytetarëve që përfaqësojnë ato kategoritë e përzgjedhura, përfshi edhe njerëzit e biznesit. Gjëja e veçantë është se po vërehen vështirësi të reja dhe praktika të vjetra. Madje, jo pak e vështirë është bërë lëvizja e lirë edhe për sa iu takon kufijve rajonalë. Disa shtete që kanë hyrë vonë në BE, si Rumania e Bullgaria, e kanë rritur ndjeshëm tufën e kërkesave për tufën e shkresave që do të duheshin për të marrë një vizë. Në lidhje me vajte-ardhjet në këto hapësira, duhet thënë se dikur kanë pasë qenë lidhur disa marrëveshje për viza afatgjatë, sidomos për kategoritë e përzgjedhura. Megjithatë, edhe zbatimi i këtyre marrëveshjeve, është bërë një kalvar i lodhshëm. Përpara disa vjetësh, janë praktikuar si një masë lehtësuese edhe pasaportat e shërbimit; ky dokument jep mundësi për të lëvizur lirisht dhe pa vizë në një sërë vendesh të rajonit, përfshirë edhe Greqinë. Tani, kriteret që duhen përmbushur për të marrë (apo rimarrë) një pasaportë shërbimi, për biznesin, bie fjala - kapitali qarkullues, numri i të punësuarve, afatet e shlyerjes së detyrimeve, e kështu më tej - nuk janë lehtësuar; përkundrazi, janë rënduar. Po ashtu, dikur janë akorduar një numër i konsiderueshëm vizash dyvjeçare Shengen (nga Ambasada e Italisë), posaçërisht për biznesmenët që kanë një lidhje tregtare në Itali apo më gjerë. Natyrisht, edhe këto kanë qenë favore në dobi të një pakice, të themi e një pjese të biznesit apo të elitave të universiteteve, intelektualëve, etj.; megjithatë ishte diçka mjaft inkurajuese në tërësi. Tani një pjesë e këtyre favoreve janë mpakur; bie fjala vizat dyvjeçare janë reduktuar në viza njëvjeçare apo edhe gjashtëmujore. Për mbledhje e seminare disaditore, edhe viza jepet disaditore(!) E pra, pamja duhej të ishte disi më ndryshe, pasi që është nënshkruar një marrëveshje për lehtësimin e vizave dhe vendi (siç thuhet) ka bërë disa hapa përpara. Këtë përparim ekonomik e social përgjatë këtyre (le të themi) dhjetë viteve të fundit, e kanë deklaruar me çiltërsi edhe përfaqësuesit e FMN-së, edhe bashkëbiseduesit e tjerë perëndimorë të liderëve shqiptarë. Për çudi, sot, edhe shfrytëzimi i panaireve dhe ekspozitave, për të vizituar vende të BE-së dhe për të krijuar ndonjë kontakt me partnerët e atjeshëm, është bërë tepër i vështirë. Në fakt, këto panaire dhe ekspozita kanë qenë mikpritëse për shumë sipërmarrës nga Shqipëria, sidomos në Itali, veçmas Fiera Del Levante (në Bari), në Greqi (Panairi i Kavallës), në Gjermani, etj. Pjesëmarrja e qytetarëve shqiptarë, patjetër edhe e biznesmenëve, në këto panaire, ka rënë ndjeshëm në këto vitet e fundit.
E pasigurt dhe me shumë halle mbetet sidomos lëvizja drejt fqinjëve më të afërt, Italisë dhe Greqisë. Siç dihet, pothuaj 60 për qind e eksporteve dhe 34 për qind e importeve shqiptare, zhvillohen me Italinë; sikundër 17 për qind e eksporteve dhe rreth 13 për qind e importeve, me Greqinë. Por vitet që kanë shkuar, aspak nuk e kanë zbutur regjimin e vështirë të vizave. Dhe ne smund tua faturojmë këtë përgjegjësi fqinjëve. Atë duhet ta ndjejnë mburravecët e qeverisjes (siç thuhet) të përmirësuar; dhe në se munden ta ndjejnë, ata duhet të luftojnë në mënyrë konkrete për të përmbushur kriteret që parashtrojnë partnerët, për të lehtësuar realisht lëvizjen e lirë të qytetarëve të tyre. Nuk është fisnike ta mendosh, por qeveritarët, deputetët, krerët e partive, autoritetet e tjera të institucioneve kryesore dhe qeverive vendore, madje edhe familjarët e tyre, përdorin në masë pasaporta diplomatike dhe pasaporta shërbimi; kjo gjendje luksi në njëfarë mënyre i pengon më të privilegjuarit të vështrojnë se çbëhet përreth. Dhe kështu, siç thotë diku Ernest Heminguej: Herë-herë lëvizja është kaq e ngadalshme, saqë të duket sikur asgjë nuk luan nga vendi. Në rastin tonë, kështu ndodh me një sërë kriteresh, përfshi pasaportat biometrike, kartat e identitetit, etj. Është e dukshme, qeveria dhe institucionet kanë ende shumë për të bërë që ta sjellin këtë shërbim si një gjë të natyrshme në jetën e qytetarëve të tyre; të qytetarëve që tashmë i përkasin një vendi i cili pret të bëhet anëtar me të drejta të plota i NATO-s dhe kandidat për në BE. Pret prej shumë kohësh. Prej gati 20 vjetësh...
Nga VANGJUSH SARO/shekulli