Fundjavėn qė shkoi e kalova nė pjesėn e quajtur Shkėmbi i Kavajės. Kur shikon nga afėr realitetin bregdetar, pasi ke dėgjuar nė media se ēfarė po bėhet pėr tė administruar sa mė mirė bregdetin shqiptar, kupton se kemi tė bėjmė me dy gjėra krejt tė ndryshme.
Thuhet se ka një bum turistësh, se kushtet në plazhin e Durrësit (keni parasysh Qarkun) janë përmirësuar rrënjësisht, infrastruktura është e pranueshme, ambienti është bërë i përshtatshëm etj. Por nga ana tjetër, nga afër shikon se ka një papastërti shembullore, se masakra e ndërtimeve vazhdon, në kundërshtim me çdo lloj rregulli urbanistik, e çka është më e papranueshmja, lejet e ndërtimit vazhdojnë të jepen në kundërshtim të hapur me një VKM të vitit 2006 Për pezullimin e zbatimit të studimeve urbanistike të zonës turistike Rrashbull-Golem-Karpen dhe hartimin e studimit urbanistik të integruar të kësaj zone, pasuar me një vendim tjetër të po atij viti Për miratimin e detyrës së projektimit për studimin e integruar të zonës turistike.
Në këtë zonë bregdetare, pra, ndalohet dhënia e çdo lloj leje ndërtimi deri në miratimin e studimit të ri. Të jetë miratuar ky studim? Jo, pasi nuk mund të gjendet asnjë lloj specialisti që do të fuste në një studim, ndërtime jashtë çdo lloj parametri si ato që shikon rrotull Shkëmbit.
Në një rrip bregdeti që administrohet nga Komuna e Rrashbullit (që këtu fillon katastrofa, një zonë me vlera kombëtare, ilihet në dorë një komune të rangut të tretë për ta administruar) mund ti shikosh të gjitha të këqijat. Shikon, veç të tjerash, se në rërë vetëm 20-30 m nga uji i detit, ndërtohet një pallat gjigant të paktën 17-18-katësh në mes të ndërtimeve të ulëta; diku po aty afër sheh të ngrihet, me leje, një karburant si varr, edhe pse nja 100 m më përtej është një tjetër që funksionon prej vitesh; në po të njëjtin rrip, nga ana tjetër e rrugës, shikon të njëjtat gjëra, të gjitha këto në mes të një papastërtie erëkumbuese! Shikon një zonë, ku siç i themi ne shqiptarët bëhet nami, ku ndërtohet një qytet i tërë pa asnjë lloj logjike!
Me këtë intensitet ndërtimesh bregu i detit, më saktë rripi i rërës, që përbën edhe elementin bazë turistik aty, është i pamjaftueshëm për të përballuar fluksin. Që do të thotë se vlerat e plazhit po dalin jashtë loje dhe ai bregdet vetëm sa do të ngatërrojë turistët; do ti detyrojë të hipin sipër njëri-tjetrit!
Banorët aty, ose pronarët e hoteleve, të ndërtuar prej kohësh, të thonë se mund të denoncosh kudo, e askush nuk e çan kokën. Është e kotë të denoncosh në komunë, njëlloj si të denoncosh në prefekturë, apo në polici.
Ministria e Turizmit e di këtë problem, vetë ministri tregohet i gatshëm të flasë për këtë e të denoncojë lejedhënësit si shkatërrues të turizmit, por çuditërisht, vetëm kaq! Në dijeni është edhe vetë kryeministri Berisha, që vazhdon të tregojë përralla me NATO-n e të flasë për reforma virtuale, ndërkohë që në realitet, qytetarët shohin me sy që ndodh ndryshe.
Kujt i duhet thënë tjetër se masakra në zonën e plazhit, vazhdon? Çdokujt do ti binte në sy ndërtimi i një 20-katëshi në rërë, apo një karburanti në rrugë, që nuk respektojnë asnjë parametër urbanistik.Çdokujt do ti binte vazhdimi i prerjes së pishave disavjeçare. Mendja ska se si mos të të shkojë te qeveria dhe të pyesësh, ka njerëz që paguhen për të rregulluar gjë këtu, apo vetëm për të shkatërruar?
Masakra në bregdetin shqiptar vazhdon me ritme të pandalshme, edhe pse në letër nxirren vendime, urdhra, ligje. Me këtë ritëm që shikohet në terren, pas pak vitesh, plazhi i Durrësit do të shndërrohet në një zonë që vetëm për të pushuar nuk bën. Mund të përdoret për zhurmë, për ngatërresa, për pisllëk e për çdo gjë tjetër, por vetëm për turizëm, jo. Biles, që tani mund ta themi këtë.
Bregdeti, nga qyteti i Durrësit deri te Mali i Robit, është masakra më e madhe urbane që mund ti bëhet një turizmi bregdetar. Në këtë masakër kanë përgjegjësi politike dhe morale të gjitha qeveritë, të gjithë ata që kanë qenë në krye të punëve, ndërsa përgjegjësi ligjore, ata që kanë ndikuar në prishjen e kësaj natyre të mrekullueshme.
Kjo zonë është shembull i keq. Natyrshëm që njeriu në këso rastesh mendon se çfarë mund të shpëtohet më tej, nëse është e mundur, dhe çfarë mund të përmirësohet, qoftë duke përdorur edhe rruspat. Nëse ka ndonjë vend ku duhen përdorur ruspat, është pikërisht bregdeti i Durrësit. Në të njëjtën kohë, nëse ka njerëz që duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë masakër, janë të gjithë pushtetarët që kanë vendosur firmat për ti ligjëruar këto ndërtime.
Për ta ngjallur shpresën duhet një vullnet, mbi të cilin do të duhet të parandalohen rreptësisht ndërtimet në bregdet dhe në vijim, të futen në rreth disa nga objektet shumëkatëshe, qoftë edhe me leje, për ti shembur, duke i bërë shembull njëherë e mirë. Ndryshe shqiptarët, sa më shumë të pasurohen, në një shtet rrumpallë, aq më shkatërrues do të bëhen. Dhe kurbani i radhës do të jetë bregdeti i Jonit, një prej natyrave më të mrekullueshme në Europë. Masakra, edhe atje ka filluar prej kohësh.
Nga Bashkim Muça/shekulli