Gjithmonė e mė tepėr, kohėt e fundit po artikulohet kėrkesa pėr anėtarėsim tė Shqipėrisė nė BE. Rrėnjėt e njė kėrkese tė tillė, mesa duket, gjenden jo vetėm nė njė dėshirė pothuajse unanime tė qytetarėve tė kėtij vendi, por mė shumė se kaq, nė njė kalkulim tė thjeshtė, bazuar nė pėrvojėn e deritanishme tė fqinjėve tanė tė cilėt janė disa hapa pėrpara nesh.
Kështu, duke parë gjithmonë historitë integruese të tyre, si dhe duke krahasuar, në të njëjtën kohë, edhe stadet përkatëse, janë jo të paktë ata njerëz të cilët mendojnë se një kërkesë e tillë, në rastin e Shqipërisë, do të ishte mëse me vend. A kanë të drejtë? Nuk është e thjeshtë të thuhet, por gjithsesi, një moment i tillë nuk mund të neglizhohet.
Dihet tashmë qartë nga kushdo se, marrëdhënia midis Shqipërisë dhe BE, sikurse çdo e tillë midis dy subjektesh, do të varet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga të dyja palët. Përmirësimi dhe thellimi i një marrëdhënie të tillë do të varet nga ecuritë përkatëse. Nëse i hedhim një sy situatës në BE, nuk do të ishte e vështirë të konstatosh se momenti aktual mund të konsiderohet si më i papërshtatshmi për aderime të reja. Fitorja e Jo në referendumin e vetëm ndër të 27 vendet e BE-së, për Traktatin e Lisbonës, ka krijuar pështjellim dhe paqartësi në Europë dhe kjo jo vetëm mbi të ardhmen e këtij Traktati. Pa u futur më thellë, në zbulimin e shkaqeve të këtij rezultati, mund të thuhet se një nga pasojat e menjëhershme të tij mund të jetë ngecja deri diku e pranimeve të reja ose, e thënë ndryshe, shtyrja në kohë e këtij procesi. Dhe kjo, sipas disa liderëve të Europës, për shkakun e thjeshtë se Traktati i Nisës, i cili deri në aprovim të atij të Lisbonës mbetet funksional, nuk parashikonte një Europë me mbi 27 anëtarë. Sipas tyre, ky traktat nuk i krijon mundësitë institucionale Europës për të funksionuar siç duhet. Sidomos në fusha të tilla si emigracioni, çështje të policisë dhe drejtësisë, për të cilat vendoset me unanimitet, zgjerimi nuk do të sillte pasoja pozitive. Ai do ti ndërlikonte gjërat. Në këto kushte, Traktati i Lisbonës do të mund ti jepte BE-së frymëmarrjen e duhur institucionale, e cila do të lehtësonte nga ana tjetër anëtarësimet e reja. Edhe pse nuk ndahet nga të gjithë ky mendim, në përgjithësi pranohet; përveç Kroacisë, anëtarësimet e reja, pas refuzimit të këtij traktati nga irlandezët, do të jenë jo fort të thjeshta. Në Këshillin e fundit BE-ja vendosi të marrë kohë duke vazhduar me ratifikimet nga vendet e tjera anëtare, tek të cilat, përveç Çekisë dhe deri diku Polonisë, nuk pritet ndonjë surprizë. Kjo me shpresën se, ratifikimi nga të gjitha Parlamentet e 26-ve, do ta detyrojë të 27-ën, pra Irlandën, ti rikthehet edhe njëherë referendumit, të shumtën, deri para zgjedhjeve të 2009 për Parlamentin Europian.
Megjithatë, duhet pranuar; kjo periudhë e gjatë e jo-ve ndaj reformës institucionale është shkaktuar të paktën, në një masë të vogël, edhe nga zgjerimi i madh i 2004-ës. Në Europë ka një lodhje nga zgjerimi, dhe kjo ndjehet. Dhe mesa duket, përveç të tjerëve, kjo është ndjerë edhe nga Komisioni Europian. Kjo duket qartë në strategjitë e zgjerimit.
Në gjashtë prioritetet e strategjisë për 2007-2008-ën, një nga më të rëndësishmet dhe më domethënëset në momentin aktual, mbetet pra edhe rinovimi i një konsensusi të gjerë mbi zgjerimin nga qytetari Europian. Në të njëjtën kohë, i diskutuar qysh në Samitin e Kopenhagenit, të 1993-it, kapaciteti absorbues apo integrues i BE-së është tashmë në tryezën e çdo zgjerimi të ardhshëm nga ana e Europës. Sipas strategjisë së 2005-ës, ky kapacitet shtrihet në tre aspekte: atë politik, institucional dhe buxhetor. Në këto kushte, përpara çdo aderimi të ardhshëm, jo vetëm kandidatët duhet të respektojnë kriteret e Kopenhagenit, por edhe misionit i duhet të studiojë impaktin e tyre në financat dhe institucionet europiane. Kjo të shtyn të mendosh se, në rast të një dështimi të Traktatit të Lisbonës, deri në një zgjidhje të qëndrueshme të reformës institucionale, zgjerimet e reja do të duhet të presin. Po kështu, në këtë strategji, komisioni konsideron si tepër të rëndësishme kualitetin e procesit të zgjerimit, më shumë se shpejtësinë e tij. Pikërisht, kualiteti i këtij procesi do të matet nga indikator reference (benchmarks) të cilët do të përcaktojnë më pas hapjen, mbylljen apo ndërprerjen e kapitujve sektorial të negocimit.
Për BE, Shqipëria si kandidat potencial i nënshtrohet procesit të stabilizim-asociimit, strategji kjo e cila mbështetet në një kushtëzim mjaft rigoroz: atij të Kopenhagenit dhe ato të vetë PSA-së. Edhe pse me kalimin e kohës, qysh prej Këshillit Europian të Selanikut, të qershorit 2003, PSA-ja dhe strategjia e zgjerimit kanë tendencën të përputhen me njëra-tjetrën.
Koniunktura, pra, nuk favorizon një moment të mirë për zgjerimin. Kërkesa e mundshme e Qeverisë Shqiptare për të filluar negociatat e anëtarësimit, koincidon, pikërisht, me këtë situatë të pakëndshme nëpër të cilën tashmë prej disa vjetësh po kalon BE-ja. Por edhe pse drejtimi që do të marrë zgjidhja e kësaj situate mund të vonojë anëtarësimin e Shqipërisë në BE, nga ana tjetër, kjo ska pse të vonojë kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim. Të kërkosh të anëtarësohesh, nuk do të thotë të anëtarësohesh sot. Do të thotë, thjesht: procesi do të zgjasë dhe kjo mund të ndodhë jo vetëm për fajin tënd. Gjithsesi, le të mos harrojmë; hapja e negociatave për anëtarësim është në vetvete një premtim integrimi dhe, si i tillë, ai nuk jepet me aq kollajllëk, sidomos tani.
Natyrisht, do të jetë jo e thjeshtë dhe jo vetëm për këtë. Çka përshkruam më lart, është vetëm njëra anë e çështjes. Tjetra, pa dyshim, ajo më e rëndësishmja, gjendet jashtë Europës dhe ngjarjeve të saj. E kam fjalën për pjesën tonë të integrimit. Më saktë, pjesën kryesore të këtij raporti.
E thënë ndryshe, a jemi ne gati të kërkojmë hapjen e negociatave për anëtarësim të plotë në BE? Tepër e vështirë të thuash po. Për këtë, mjafton tiu hedhësh një sy raporteve të ndryshme për ecurinë e këtij vendi, për të kuptuar se ai ka akoma shumë për të bërë edhe për vetë zbatimin e detyrimeve të MSA-së. Përveç të tjerave, korrupsioni, dobësia e sistemit gjyqësor, deficitet demokratike, kapacitetet e pamundura administrative etj., etj., janë akoma prezente, dhe madje fort, në jetën politike dhe shoqërore të Shqipërisë. Dhe kjo prani është padyshim, një pengesë serioze.
Duket në fakt, se çdo gjë flet kundra një kërkese të tillë. Qoftë koniunktura në BE, qoftë situata në Shqipëri. E megjithatë ne shqiptarët, por edhe evropianët, duhet të shikojmë më larg se kaq. A nuk u ndërtua kështu edhe vetë Europa jonë e Bashkuar, midis vështirësive të pamundura qysh në fillim? A nuk ishte një guxim i madh, dikur, të guxoje të bashkoje Francën me Gjermaninë? Ndaj, pavarësisht nga çka përmendëm më lart, disa argumente të tjera mund të na shtyjnë të besojmë se e kundërta mund dhe ndoshta duhet të ndodhë në rastin tonë. Më saktë, ajo çka përmendëm më lart, çka natyrshëm mund të prodhojë pesimizëm, ndoshta ka nevojë për pak nga ai guximi i dikurshëm i Europës. Dhe kjo, sepse kërkesa për hapjen e negociatave për anëtarësim mund të jetë më e domosdoshme se kurrë, në këtë pikë ku kemi arritur.
Së pari, sepse sikurse edhe vendet e tjera të rajonit, Shqipëria ka nevojë jetike për një premtim anëtarësimi. Sidomos tani. Ai padyshim, nuk ka munguar kurrë deri tani dhe nëse nuk ka qenë e mundur të realizohet, kjo ka qenë pa dyshim faji ynë. Por, të mos harrojmë, vetë besimi i qytetarëve shqiptarë tek Europa ka qenë në vetvete, një nga shtysat më të mëdha të ecjes së këtij vendi. Ky vend ka ndryshuar, ai është sot, ky që është, në një masë të madhe, fryt i kushtëzimit europian, kushtëzim i cili jo vetëm që nuk përfundon me ratifikimin e MSA-së dhe nisjen e negociatave për anëtarësim, por, përkundrazi, ai do të vijë duke u shtuar me elementë të rinj, duke u rafinuar më tej. Të premtosh integrimin, nuk është integrim përfundimtar sikurse të nisësh negociatat për anëtarësim, nuk është gjithashtu, anëtarësim imediat. Por, të nisësh këto negociata është më shumë se kushtëzim dhe shqiptarët kanë nevojë sot, për më shumë se kaq.
Sidomos sot, kur Europa akoma nuk po arrin të çojë deri në fund reformën e thellimit, për të cilën flitet prej dekadash dhe pikërisht kur, për këtë arsye, një numër deklaratash vënë në dyshim zgjerimet e ardhshme. Sidomos tani, Shqipëria dhe jo vetëm ajo, ka një nevojë më të madhe se kurrë, për një premtim të fortë ardhmërie europiane. Pavarësisht nga momenti delikat që po kalon, Europa e ka të qartë se çpërfaqëson Ballkani. Pas viteve 90-të, historia e këtij rajoni ka treguar dhe bindur një mësim të madh për të gjithë; ai, nuk mund të lihet vetëm. Një Ballkan, pa një perspektivë të qartë integrimi europian, vështirë të mos i kthehet andrallave të vjetra dhe për këtë nuk ka nevojë për fakte. Mjafton veç ti hedhësh një sy...
Së dyti, ngritja në një nivel më të lartë negocimi, menjëherë pas ratifikimit të MSA-së, veçse do të rriste përgjegjësinë e shtetit shqiptar dhe do të ndërgjegjësonte seriozitetin në angazhimet përfundimtare të Shqipërisë. Një rrugë pa fund, pa asnjë premtim çlodhës për ta, në mes të saj, do ta lëkundte jo pak besimin tek Europa. Kjo e fundit e ka njohur edhe vetë një mundësi të tillë, pra, hapjen e negociatave për anëtarësim, menjëherë pas konkludimit të MSA-së, në vetë strategjinë e zgjerimit të 2005-ës. Sikurse, në të kundërt, ka gjithashtu të drejtën ti ndërpresë ato në rast të moszbatimit të angazhimeve të marra.
Është e qartë dhe e ditur nga të gjithë; ky vend, sikurse edhe fqinjët e tij, në atë që nuk e di se kush e ka quajtur për herë të parë, Ballkan Perëndimor, nuk është akoma një demokraci e kulluar. Siç e ka thënë dikush: ajo është po aq larg suksesit, sa çështë larg dështimit. Dhe pikërisht për këtë, në këtë pikë ku ka mbërritur, ndoshta, më shumë se vetë anëtarësimi në BE, fuqizimi i këtij procesi, ngritja e tij një shkallë më lartë sot, do të ishte më shumë se e nevojshme; do të ishte jetike.
Nga Igli Totozani/shekulli