Llesh Topallaj, si humbi jetėn pėr tė shpėtuar Zogun heroi i parė i Gardės Kombėtare
Pesėmbėdhjetė tė shtėna armėsh nė orėn 22:15, tė 20 shkurtit tė vitit 1931, nė rrugėn Operangase, prishėn qetėsinė e mbrėmjes nė kryeqytetin e Austrisė, Vjenė. Nuk ishte njė ngjarje dokudo. I ishte bėrė atentat mbretit tė shqiptarėve, Ahmet Zogu.
Vet Naltmadhnia i vendit të vogël ballkanik kishte shpëtuar mrekullisht, por adjutanti i tij Llesh Topallaj mbeti në vend i vrarë, ndërsa ministri i Oborrit Ekrem Libohova u plagos në këmbë. Përveç zallamahisë të krijuar në kryeqytet dhe alarmit deri në kupolën e shtetit austriak, vrasja e adjutantit Topallaj vërtetoi edhe një herë thënien e asaj kohe, se të ishte oficer shërbimi i rojës së Zogut qe njëlloj si të ishte roje nate në një uzinë baruti, rreth e rrotull së cilës shkreptinin rrufe.
Këtë sentencë major Topallaj duket e dinte mjaft mirë derisa për të mbrojtur shefin e tij nga plumbat e atentatorëve, i doli përpara duke mbetur vet viktimë. Megjithatë, fiks 77 vjet më parë, Gjykata e Vjenës me një vendim të posaçëm në dhjetorin e vitit 1931, dënoi vetëm me shtatë vjet heqje lirie Ndok Gjeloshin dhe tre vjet Aziz Çamin, dy shqiptarët që organizuan atentatin më të bujshëm në Evropë të asaj kohe. Gazeta vjeneze Neue Freie Press, ditën tjetër deklaroi me të madhe se me këtë ngjarje ishte cënuar mikpritja austriake. Ajo dhe simotrat e saj Wiener Tageblatt, Nachrichten, por edhe shqiptarja Vullneti i popullit, na sjellin pas kaq kohësh kronikën e një prej ngjarjeve më të rënda. Ndërkohë, Llesh Topallaj, njeriu që mbeti i vrarë për të shpëtuar shefin e vet, është padyshim heroi i parë i Gardës së Republikës së Shqipërisë, por edhe një hero që me aktin e tij nuk ka një të dytë. Asnjë badigardi deri më sot nuk i ka ndodhur të jetë në këtë situatë dhe të pranojë eliminimin e vetes për të shpëtuar personalitetin që ka për detyrë ta ruajë.
Ngjarja që tronditi Shqipërinë dhe Austrinë
Duket se opera Pagliacci nuk duhet ti ketë pëlqyer Ahmet Zogut sa Aida e Verdit, e ndjekur një ditë më parë në Teatrin e Vjenës. Vetëm 15 minuta përpara përfundimit të shfaqjes, mbreti la lozhën dhe u drejtua prej nga dalja anësore e godinës, e cila të nxirrte përpara teatrit. Por, qetësia e rrugës është këputur në mes, kur dy persona që kishin zënë pozicion pas një shtylle hapën zjarr me pistoletat që mbanin në duar në drejtim të Zogut. E vetmja mbrojtje që mund të bënte adjutanti Topallaj ishte mbrojtja e jetës së Zogut, duke vënë në përdorim trupin e tij. E duke i dalë përpara, dy plumba e marrin në kokë duke e lënë të vdekur në vend. Ky ishte shërbimi i fundit që i bënte shefit të tij. Megjithatë, beteja vazhdonte. Nga tytat e mauzerëve të dy atentatorëve, vazhdonin të dilnin plumba dhe në të qind të sekondës ministri Libohova i kundërpërgjigjet. Por, ajo që ishte më kryesorja lidhjet me jetën e Zogut. Ai shpëtoi mrekullisht, por, adjutanti i tij vdiq, ndërsa Libohova mori dy plumba në këmbën e majtë. Sipas gazetës vjeneze Neve Freie Press, dy atentatorët ishin Aziz Çami dhe Ndok Gjeloshi, të arrestuar vetëm pak momente pas atentatit. Kapja e tyre u krye sa për aftësi të policisë së Vjenës, e aq të banorëve të thjeshtë të kryeqytetit. Kështu, e njëjta gazetë thekson se ka qenë Adolf Tresslet, shitësi i gazetave në fund të rrugës ku u krye atentati, njeriu që kapi Gjeloshin. Sapo pa që ai po vraponte me pistoletë në dorë shumë pranë tij, iu hodh përsipër duke e çarmatosur. Policisë nuk i mbeti shumë për të bërë pas këtij momenti. Gjeloshi është përcjellë në qeli nën shoqërinë e uniformave në pritje të shokut. Ndryshe ndodhi me kolegun Çami, i cili pati punë vetëm me policinë. Ai u kap gati në të njëjtën kohë pak metra më tutje, kur një postbllok i preu rrugën dhe duke i shtrënguar prangat pa një e pa dy në kyçet e duarve. Ajo që i ka bërë më shumë përshtypje opinionit të Vjenës në ato momente, ishte fakti i dhënë nga gazeta Neus Wiener Journal. Sipas një shkrimi të botuar në të në 25 shkurt, thuhet se ishte tepër e habitshme qëndrimi i Zogut gjatë dhe pas atentatit. Ai as që mori mundimin të kundërsulmojë atentatorët. Madje, më pas është larguar mjaft i qetë dhe është futur sërish në godinën e Teatrit të Operas dhe pas dhjetë minutash ai ka shkuar në hotel Imperial. Shumë njerëz që kanë parë skenën, janë shprehur për gazetën në fjalë se sjellja e tij ishte e çuditshme. Por, çudia ishte vetëm për austriakët. Pasi shqiptarët e kishin shumë të freskët të njëjtin qëndrim të tij kur Beqir Valteri i bëri atentat në Parlament, dhe ai me plagë në trup kërkoi vazhdimin e seancës vetëm e vetëm që të mos shkaktonte bujë.
E gjithë policia e Vjenës në këmbë
Ngjarja e ndodhur në kryeqytetin austriak u cilësua si më të rëndat në Evropë. Jo vetëm policia, por edhe vetë drejtuesit e shtetit bënë të gjitha përpjekjet që të paktën pas këtij akti, drejtësia të vihej në vend. Vet zëvendëskancelari Schober, pas dy ditësh vizitoi Zogun në dhomën e tij në hotelin luksoz Imperial, duke i shprehur urimin që kishte shpëtuar dhe premtoi se drejtësia do të vepronte ashpër ndaj atentatorëve. Nga të dhënat e asaj kohe të botuara në të gjithë shtypin, rezulton se policia ka kryer një hetim gjeneral. Ai nuk u mjaftua vetëm me kapjen e dy atentatorëve dhe dënimin e tyre. Në sitën e policisë vjeneze kaloi gati çdo shqiptar që i kishte rënë që të jetonte në Austri qoftë edhe një ditë. Kjo solli që policia jo vetëm të kishte në dorë dy atentatorë, por të tregonte edhe qëllimin dhe organizmin e këtij atentati. Kështu, nga dita në ditë numri i të arrestuarve erdhi duke u rritur. Gazeta Wiener Neuse Nachrihten ka dhënë emrat e kësaj liste, ku përveç Aziz Çamit dhe Ndok Gjeloshit, në qeli kanë përfunduar edhe Hasan Prishtina, Qazim Mulleti, Angjelin Suma, Sejfi Vllamasi, Rexhep Mitrovica, Memnduh Angoni dhe Luigj Shkurti. Listës me nëntë emra, mund ti shtohen edhe shumë të tjerë të cilëve pas kontrollit të dokumentacionit u dëbuan nga Shqipëria. Gjithçka lidhej me një urdhër të lëshuar ato ditë, kur qeveria urdhëroi largimin e të gjithë të arratisurve politikë nga Vjena.
Kush ishin dy atentatorët
Aziz Çami dhe Ndok Gjeloshi do të vazhdonin të ishin të panjohur në historinë e Shqipërisë dhe të Austrisë, nëse atë mbrëmje shkurti nuk do të kishin shkrehur armët ndaj Zogut. Emigrantë prej disa vitesh në Vjenë, të dy dikur kishin qenë oficerë xhandarmërie. Me të njëjtin vit datëlindjeje, 37-vjeçarët kanë realizuar kështu një atentat, që jo vetëm për kohën, i kalon përmasat e bujës në Shqipëri dhe në Austri. Gjeloshi vinte nga Shkodra dhe dikur kishte qenë në radhët e forcave të princ Vidit. Njihej si anëtar i Partisë Nacionaliste dhe antizogist ekstremist. Më vonë ai ishte inkuadruar edhe në strukturat e xhandarmërisë në qeverisjen e Nolit, por pas rrëzimit të saj kishte shkuar në Jugosllavi dhe ishte bërë anëtar i grupit Bashkimi Kombëtar. Ndryshe nga atentatori i parë, Aziz Çami kishte lindur në Filat të Greqisë dhe ishte me origjinë çame. Edhe e kaluara e tij lidhet me bindjet antizogiste duke qenë se ishte mbështetës i flaktë i Nolit. Anëtar i partisë së parë shqiptare, asaj Popullore, ai kishte arritur të merrte gradën Kapiten. Çuditërisht edhe Çami më pas kishte përfunduar në Beograd për tu katapultuar më tej në Vjenë. Sipas gazetës Wiener Tageblatt, në deklarimet e tij Ndok Gjeloshi ka thënë se nuk e kishte projektuar vrasjen e Zogut, por se e kishte parë krejt rastësisht automobilin e tij dhe mendoi të kryente vrasjen. Ndërsa Aziz Çami jo vetëm që e pranoi organizimin e atentatit, por ka treguar edhe mënyrën e realizimit. Unë e dija që Zogu do shkonte në Teatër, - ka thënë ai, - dhe kështu u përgatita. Më pas takova edhe Ndokën dhe vendosëm për ta qëlluar. Të dy atentatorët deklaruan në sallën e gjyqit se arsyeja e atentatit ishte e madhe. Zogu kishte tradhtuar popullin dhe kurrsesi nuk mund të qëndronte më në pushtet, janë shprehur ata gati një zëri.
Të japësh jetën për mbretin
Të japësh jetën për të shpëtuar mbretin, duhet të ketë qenë motoja numër një në detyrën e adjutantit të Llesh Topallajt. I njohur si një nga njerëzit më besnikë të Naltmadhnisë, Topallaj kishte arritur të fitone besimin e padiskutueshëm të shefit të tij. Kjo i kishte dhënë frytet e veta në gradimin që mbreti i kishte bërë. Jo vetëm detyra e tij për ta shoqëruar atë në çdo hap, por edhe dhënia e gradës Major, ishin shpërblimet më të larta nga ana e Zogut. Besnikëria e tij u tregua më shumë se kurrë gjatë atentatit. Për të shpëtuar mbretin nga vdekja e sigurt, majori bëri të vetmin veprim: Ti shpëtonte jetën duke dalë përpara tij e duke marrë në trup plumbat që ishin drejtuar nga mbreti. Trupi i balsamosur i tij mbërriti në Durrës në 5 marsin e atij viti, i sjellë nga vapori Otranto. I gjithë shteti i bëri nderimet më të mëdha këtij njeriu, duke e cilësuar hero mbi heronjtë. Batare pushkësh e topash, flamur në gjysmë shtizë, por edhe dhënia e titullit Dëshmor i Kombit, ishin një mënyrë për të baraspeshuar shërbimin që ai i kishte bërë të parit të vendit. Kështu u mbyll jeta e këtij njeriu besnik, që më tepër se çdo obligim tjetër kishte ruajtjen e jetës së mbretit.
Arsyet e një atentati
Përse u krye atentati ndaj Ahmet Zogut? Përgjigjja e kësaj pyetjeje edhe sot që kanë kaluar 77 vjet, vazhdon ti mungojë historiografisë shqiptare. Duket se më të saktat në këtë drejtim janë gazetat e asaj kohe në Austri. Kështu, gazetat austriake Reichpost dhe Freihet në shumë shkrime kanë shkruar se atentatorët ishin paguar prej Beogradit. Në disa shkrime rrjesht, theksohej se ata merrnin rrogë mujore nga një emigrant në Vjenë me emrin Angjelin Suma, i cili figuron në listën e të arrestuarve. Gjithnjë sipas këtyre dy gazetave, ata ishin parë nën shoqërinë e punonjësve të ambasadës jugosllave në Vjenë. Dhe fakti më tronditës ishte se si Çami dhe Gjeloshi dispononin pasaporta diplomatike jugosllave. Ndërkohë, gazeta Wiener Neue Nachrichen deklaronte me të madhe: Këta njerëz që e quajnë veten luftëtarë të lirisë morën dënimin e merituar. Ka prova që një përfaqësues i huaj ka shpërdorur bujarinë e Austrisë. Duket e sigurt që Jugosllavia i ka mbajtur emigrantët aty dhe ishte e interesuar që atentati të shkonte mirë./ tirana observer