Kur sociologu i njohur gjerman Max Weber mė 1919 nė Universitetin e Munihut mbajti ligjeratėn e shkėlqyeshme, tė emėruar Politika si profesion , u vunė nė pah disa njohuri dhe koncepte tė reja rreth organizimit tė shtetit.
Kështu ai identifikoi disa kriterie bazë që e karakterizojnë shtetin modern. Përveç sovranitetit dhe legjtimitetit brenda një territori të caktuar (që ai e përshkruante edhe si monopol i dhunës fizike), element tjetër përbërës i shtetit është edhe burokracia, term i cili për të i ikën konotacionit negativ, sot zakonisht quhet administratë publike.
Administrata sipas tij ishte bartëse kyçe e shtetit dhe ajo duhej të ishte profesionale dhe politikisht e paanshme.
Tash, gati 90 vejt më vonë, kur disa shtete tashmë janë duke aplikuar të ashtuquajturën e-qeverisje (pra administrim dhe shërbime administrative qytetareve nëpërmjet teknologjisë informative), administrata shteterore merr formë dhe funksion të ri.
Mirëpo në vendet sikur Kosova, ku shteti është ende në fazën fillestare, roli i adminstratës është i rëndesisë së veçantë, sepse pasqyron vetë funksionimin a mosfunksionimin e një shteti.
Weberi e përshkruan administratën në përgjithësi si një organizim me rregulla specifike dhe e specializuar në njësi të veçanta dhe detyra të caktura.
Personeli administrativ është i ndarë nga qeveritarët politikë. Autoriteti politik është vertikal, i organizuar në një hierarki dhe e rekrutuar nga pozita, merita ose forca politike.
Ndërkaq zyrtarët e administratës zgjidhen zakonisht në formë të hapur, nëpërmjet konkurseve dhe në bazë të ekspertizës (përvojës dhe përgatitjes profesionale).
Këta të fundit s´janë vendimmarrës, por i zbatojnë vendimet dhe urdhrat e marra nga institucionet shtetërore. Pjesa dërmuese e administratës në shumicën e shteteve perendimore është krejtsisht e profesionalizuar dhe e zhveshur nga përkatësia partiake. Një praktikë e cila nganjëherë përshkruhet edhe si teknokraci.
Problemi qenësor i së cilës qëndron në dilemën se kush e kontrollon kë dhe me çfarë motivesh. Një dilemë e cila u potencua në Kosovë në formë të zbehtë, vetëm në rastin e formimimt të Shërbimit të Intelegjencës.
Në fakt, administrata duhet të mbikëqyret nga instancat e larta, por jo të sundohet dhe të varet nga interesat e pushtetit.
Në shtetet me traditë të dobët demokratike, siç është Kosova, administrata është e politizuar skajshëm, duke iu nënshtruar autoritetit politik verbësisht dhe, para së gjithash, duke iu shërbyer interesave partiake e klanore.
Ky fenomen socio-politik jo vetëm që është i dëmshëm për demokracitë fillestare, por mund të jetë për një shtet edhe faktor vendimtar për zhvillimin si dhe për vetë ekzistencën e mëtutjeshme. Për shembull, shtetet e dështuara lëngojnë në masë të madhe nga uzurpimi dhe keqpërdorimi i institucioneve shtetërore nga ana e grupeve të ngushta politiko-ushtarake.
Një klientelizëm i këtillë pamundëson zhvillimin e mirëfilltë shoqëror e politik, pasi puna e shërbyesve civilë më shumë duhet të përputhet me interesat e partisë dhe klaneve të ndryshme sesa me detyrat e deleguara a nevojat e duhura.
Kjo tashmë është bërë një traditë e keqe në politikën ballkanase, që për pasojë ka një administrim të tmerrshëm në nivele dhe struktura të ndryshme.
Nëse administrata, njëjtë sikur gjyqësia, vazhdon të jetë tërësisht e varur nga interesat e ngushta partiake dhe të jetë në shërbim të tyre, atëherë do të jetë tejet vështirë që të konsolidohet demokracia dhe ky shtet të jetë stabil e funksional.
Gjithashtu, nëse nuk çrrënjoset një trend i tillë, duhet të presim që pas çdo zgjedhjesh do të kemi edhe nga një administratë të re. Një administratë e përbërë kryesisht nga partizanë dhe aktivistë partiakë, aftesitë profesionale dhe eksperienca e të cilëve veçse mund të paramendohet.
Andaj s´duhet të çuditemi pse për çdo palë zgjedhje aq shumë bie nurmi i votuesve dhe pse dita-ditës qytetarët po zhgënjehen nga shteti i tyre.
(Autori është doktorant i shkencave politike në Universitetin e Vjenës)
Bekim Baliqi