TIRANE-Komisioni i Ekonomisė ka miratuar dje, pa votat e opozitės, ndryshimet nė ligjin pėr taksat vendore. Pas debateve mes dy grupeve politike, tashmė ligji pritet tė dėrgohet nė parlament pėr votim.
Sipas përfaqësuesve të qeverisë, zëvendësministrit të Financave, Florjon Mima dhe këshilltarit të Kryeministrit, Petraq Milo, ndryshimet në fjalë kanë marrë parasysh të gjitha grupet e interesit.
Përveç strukturave politike, kundërshtimet më të fuqishme kanë ardhur nga komuniteti i biznesit të ndërtuesve, të cilët kanë deklaruar se rritja e kostove të ndërtimit, duke filluar me rritjen e çmimeve dhe rritjen e taksave vendore, do të ndikojnë në uljen e ritmeve të ndërtimit, madje, në rastin më të keq, do të çojnë në falimentim masiv të kompanive private të ndërtimit në ekonominë shqiptare.
Qeveria
Gjatë diskutimit të këtij projektligji, këshilltari i Kryeministrit, Petraq Milo u shpreh dje se projektligji synon rritjen e disa taksave vendore dhe paraqitjen e disa taksave të reja vendore, në kuadër të parimit të decentralizimit të pushteteve, duke rritur kështu nivelin e të ardhurave të organeve të pushtetit vendor. Milo u shpreh se gjatë hartimit të projektligjit, kanë marrë pjesë përfaqësues të qeverisë, Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Financave dhe është arritur konsensusi i plotë për projektligjin.
Ndërkohë, kryetari i Komisionit të Ekonomisë të Kuvendit, Edmond Spaho, u shpreh se opozita e kundërshton këtë projektligj, megjithëse është tërësisht propozim i saj. Me sa duket, opozita është tërhequr nga propozimi për ndryshimet në sistemin e taksave vendore, por maxhoranca do të vazhdojë rrugën e reformave në pushtetin vendor, pavarësisht se ne nuk kemi shumicën në pushtetin vendor, - deklaroi ai.
Banesat
Sipas këtij projektligji, të gjithë qytetarët nuk do të paguajnë më taksën e apartamentit të tyre në bazë të vitit të ndërtimit, por ajo do të paguhet në bazë të zonave. Taksa e pasurisë në Shqipëri është trajtuar në lekë për metër katror, duke dalluar vitin e ndërtimit të banesave dhe diferencimin e aktiviteteve tregtare që ushtrohen në pasuritë e taksueshme. Në nivelet e reja të propozuara të taksës mbi ndërtesën, është hequr ndarja e tatimit të ndërtesave sipas vitit të ndërtimit.
Në rast se miratohet ky projektligj, nuk do të ketë më vlerësime të ndryshme, para vitit 1993 dhe pas vitit 1993, por taksa do të llogaritet për të gjithë në bazë të sipërfaqes së ndërtesës. Efekti vjetor i rritjes së taksës së ndërtesës do të jetë 2.1 miliardë lekë për vitin 2008 dhe si rezultat i rishikimit në rritje të nivelit të taksës për të ardhurat vjetore ka një pritshmëri me rreth 4.1 miliardë lekë.
Bujqësia
Ndryshimi më drastik është ai që ka lidhje me një rritje shumë të madhe, në masën 100%, të taksës mbi tokën bujqësore. Me një masë të tillë, maxhoranca qeverisëse synon të vrasë dy zogj me një gur. Pasi fermerët, natyrshëm, bëhen të pakënaqur ndaj pushtetit vendor, që vjel taksën dhe që në shumicë, i përket koalicionit të majtë. Por nga ana tjetër, shtrëngon banorët e zonave rurale të marrin masa urgjente për të shfrytëzuar tokat bujqësore, në kushtet kur bujqësia po braktiset në mënyrë masive. Në të kundërt, sikurse theksoi para një viti Kryeministri Berisha në Xarë të Sarandës, tokat do tu sekuestrohen nga shteti.