Ibrahim Kodra bėri vetėm tri vepra tė cilat na lėnė tė kuptojmė diēka mė shumė se kujtimet e tij mbi pėrfytyrimin qė ai pati pėr vendlindjen, Shqipėrinė. Ėshtė triptiku i Shqipėrisė fantastike qė Kodra kubist nė variantin e riprodhimeve litografike ia dhuroi Galerisė Kombėtare tė Arteve nė vitin 2004 me rastin e hapjes sė ekspozitės personale nė Tiranė.
Pikërisht ky triptik përbën të vetmet riprodhime që kanë dalë ndonjëherë për shitje në publik në Tiranë dhe që pretendohet të jenë origjinale. Tri Kodrat i gjen në vitrinën e një kancelarie në Rrugën e Kavajës, janë të vendosura në korniza të thjeshta, kanë në të djathtë firmën e piktorit dhe i takojnë fundit të viteve dymijë. Janë Skënderbeu, Lidhja e Prizrenit - Kosovë dhe Arbëria dhe Arbëreshët.
Ka një muaj që rrinë në vitrinë por nuk e kanë tërhequr vëmendjen e ndonjë blerësi, pavarësisht çmimit shumë modest.
Po si qëndron puna e riprodhimit të veprave të artit të Ibrahim Kodrës. A janë bërë të tilla në Shqipëri pa të drejtën apo me të drejtën e autorit?
I pyetur për rastin në fjalë, Fatos Faslliu, kryetar i Fondacionit Ibrahim Kodra dhe kurator i testamentit të artistit tha për Shekullin se ai personalisht nuk ka dhënë asnjë autorizim për riprodhim e veprave të Maestro Kodrës, pasi ligji nuk lejon riprodhim mbas vdekjes të autorit. Mund të riprodhohen postera por që nuk kanë vlera monetare të larta pasi nuk janë të numëruara e të firmosura nga Maestro. Nëse serigrafia e riprodhimeve që kanë dalë për shitje në Tiranë është 100cm x 70cm dhe ka numrin e serisë 90 nga krahu i majtë dhe firmën nga krahu i djathtë, atëherë është serigrafi origjinale që është bërë në të gjallë të Maestros nga Galleria T&G. Pra i vetmi që ka bërë riprodhime të Kodrës në Shqipëri ka qenë i ndjeri Tefik Dedej, galeristi i të parës galeri private arti pas vitit 91.
Njeriu që e ka nxjerrë Kodrën në vitrinën e kancelarisë, gjë që nuk ndodh thuajse fare me përjashtim të tablove plastike me motive të artit kitsch, e ka ditur faktin e mësipërm. Ai është njeri që e njeh tregun e artit dhe prej vitesh drejton një galeri modeste po në Rrugën e Kavajës. Shumë e njohin e prapë ai nuk do që ti përmendet emri. Ai siguron se firma që shohim në të djathtë të riprodhimeve është e vetë Kodrës. Tri veprat galeristi i ka blerë në Itali para disa vitesh, kur mjeshtri kishte hedhur në qarkullim një seri riprodhimesh, mes të cilave këto që flasim dhe që për të trija galeristi disponon çertifikatë nga personi që ia ka shitur.
Piktori shqiptar, i thirrur i fundmi i postkubistëve u nda nga jeta më 7 shkurt 2006
në moshën 88-vjeçare në Milano. U lind në Ishëm në 1918. Jeta e tij në Tiranë në konviktin e shkollës Naim Frashëri ndërpritet kur 20 vjeç largohet nga Shqipëria përgjithmonë me një bursë studimi nga oborri mbretëror për në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Por konservatorizmi i akademisë së Romës nuk i pëlqen dhe aq, edhe pse në dallim nga artistët rebelë të rrymave të ndryshme të modernizmit, prandaj një mënyrë e tij për të jetuar pa kokëçarje në atë botë ishte qetësia dhe natyra disi konformiste. Përfundon në Milano, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës. Nën drejtimin e Carrà-së, Carpi-it dhe Funi-t, i riu shqiptar nis udhëtimin drejt pikturës. Ekspozon në Romë, Milano, Venecia, Paris, Beograd, Nju Jork.
Ekspozimi për herë të parë i përmasave të mëdha në Galerinë Kombëtare të Arteve në 2003 solli para publikut dimensionin real të një artisti që për shkak të mbylljes së Shqipërisë ishte shndërruar për artistët këtu dhe në Kosovë në legjendë për një postkubist në Milano që nuk njohu diktaturën, që mbijetoi me art dhe bëri një emër në vitet 50-60.
Ai hapi dy ekspozita personale në atdhe në vitin 97 në vitin 2003. Thuhet se ka lënë pas 6 mijë vepra në pikturë të shpërndara ndër koleksionistë dhe të shitura në vite. Kodra ka jetuar duke shitur pikturë. Nga ky fond thuhet se 2 mijë janë të regjistruara dhe të dokumentuara.
Shteti shqiptar i ka dhënë titullin Nderi i Kombit. Ndërsa Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që ndryshe mund të quhej ministri e propagandës në krye të vitit 2008 ka thënë se e po e shpall këtë vit, vit të Ibrahim Kodrës. E shpalli Vit të Çabejt dhe në të vërtetë edhe gjuhëtarin e ka harruar.