Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi dje se kompanitė qė kanė marrė me koncesion shfrytėzimin e pasurive tė nėntokės shqiptare, paguajnė shifra minimale tatim-fitimi, pavarėsisht faktit se xhiroja e tyre e biznesit ėshtė rritur ndjeshėm gjatė viteve tė fundit pėr shkak tė rritjes sė ēmimeve tė metaleve dhe tė naftės.
Bëhet fjalë pikërisht për rentën minerare, që në një vit, konkretisht viti 2007, janë arkëtuar vetëm 90 milionë lekë rentë minerare, kur nga Shqipëria dalin me mijëra ton krom, hekur, naftë dhe minerale të tjera të rralla dhe ne bëjmë sehir dhe askush nuk merr përsipër të evidentojë vlerën e vërtetë të këtyre eksporteve,- tha Bode.
Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar për Tregtinë Ndërkombëtare, ACIT, eksporti i mineraleve, ku përfshihen kromi, bakri e nafta, arriti në 130 milionë euro gjatë vitit 2007,, me rritje 180% kundrejt vitit paraardhës. Por sipas ministrit të Financave, tatim-fitimi që këto kompani kanë paguar, është në rendin e disa qindra-mijëra eurove. Nga eksportet, nafta dhe xeheroret e koncentrati i kromit patën rritjen më të fortë, kryesisht për shkak se tregu ndërkombëtar është bërë shumë tërheqës për lëndët e para të të gjitha llojeve. Çmimi i metaleve në tregun ndërkombëtar është dyfishuar gjatë vitit të fundit, duke hapur tregje për industrinë shqiptare, të cilat më parë qenë të mbyllura për shkak të çmimeve të ulëta.
Nafta bruto, një zë tjetër i rëndësishëm i eksporteve, është rritur nga 14 milionë euro në 2006 në 43 milionë euro në 2007. Duket se shumë para po qarkullojnë në industrinë minerare shqiptare, por përfitimi i Shqipërisë, nuk po shfaqet gjëkundi.
Industria minerare u dha me koncesion në vitet 2000-2003 nga qeveria, e cila shpresonte të thithte në këtë mënyrë investime të huaja dhe të rigjallëronte sektorin që dikur punësonte mijëra vetë në zona të thella të vendit. Në vitet në vijim, shumë pak investime erdhën. Me përjashtim të sektorit të naftës, kompanitë e tjera koncesionare përgjithësisht shfrytëzuan malet e mineralit të nxjerrë vite më parë.
Jemi duke reflektuar dhe parë mundësinë e përmirësimit të sistemit fiskal, në atë të rivlerësimit të të gjithë pasurisë kombëtare që ka Shqipëria, dhe moslejimin e shpërdorimit të këtyre pasurive kombëtare për shkak të mungesës së vëmendjes që ndodh me ose pa dashje edhe nga dikastere të tjera, - deklaroi Bode dje, duke i kërkuar llogari tatimorëve për mungesën e kontrollit serioz në kompanitë minerare dhe vjeljes së taksave. Kompanitë e koncesioneve kanë për detyrim pagimin e tatim-fitimit në Shqipëri, dhe asgjë tjetër.
Sulm te nafta
Z.Bode deklaroi dje se Tatimet kanë një problem të madh me sektorin e naftës bruto. Në Shqipëri, një kompani koncesionare nxori gjatë vitit të kaluar rreth 260 mijë tonë, nga të cilat eksportoi dy të tretat në drejtim të Italisë. Askush nuk merr përsipër të evidentojë vlerën e vërtetë të këtyre eksporteve, dhe pranojmë të na thonë se nafta në eksport është me 30 euro, kur në bursën ndërkombëtare ka shkuar me 130 dollarë, - tha Bode duke iu drejtuar tatimorëve.
Kompania koncesionare ka raportuar 62 milionë dollarë të ardhura nga shitja e naftës gjatë vitit 2007 dhe 2 milionë euro humbje. Çmimi mesatar i shitjes së naftës prej saj u rrit nga 25 në 35 dollarë për fuçi. Ministri i Financave nuk dha sqarime se çfarë është çmimi 130 dollarë për fuçi në bursën ndërkombëtare. Tre tregje nafte - Londra, Nju Jorku dhe Dubai - që shërbejnë si referencë për çmimet botërore të naftës, pasqyrojnë mesataren e dhjetëra llojeve të ndryshme nafte që kanë çmime të ndryshme. Nafta shqiptare është e cilësisë së ulët. Çmimi i saj ka qenë zakonisht sa një e treta e çmimit referencë të naftës së Detit të Veriut që tregtohet në Londër.