Nė hyrje tė viteve tė transformimit demokratik, tek siguruan dorėheqjen e qeverisė sė kryesuar nga liberali konstant dhe vizionari, qė sot mė nė fund ėshtė kuptuar nga tė gjithė, zoti Fatos Nano, minatorėt e Valiasit kėndonin nė thellėsi tė minierės himnin kombėtar dhe kėngė patriotike
Sot në 2008-ën, ata dogjën në mënyrë demonstrative dokumentin Pishtar i Demokracisë. Ja pasuria ime, tha njëri syresh në protestë; bukë dhe gjizë dhe djersa e ballit me të cilën nuk mund të tallet askush!
Sa keq, ëndrra kishte ardhur e vdekur! Liria u shfaq iluzion, mirëqenia një makth! Pasiguria, klimë e përgjithshme. Ajo që do të vijë nesër, pas një dekade, quhet sot anëtarësimi në Bashkimin Europian! Sa shumë entuziazëm prodhohet, sa fishekzjarre hidhen dhe sa të pavërteta shiten në tregun e brendshëm dhe të jashtëm.
Ekonomistët duhet të studiojnë natyrën njerëzore, në veçanti euforinë dhe frikën. Euforia është celebrimi i jetës. Ajo që ne duhet të paraqitemi, në gjendje për atë çka ne jemi thirrur të ndërmarrim. Fatkeqësisht, euforia shpie ndonjëherë në kapërcimin e kufijve të asaj që është e mundshme, qëkurse ajo i rikthehet realitetit dhe i bien puplat duke u kthyer në frikë. Frika është reagimi ynë automatik përballë asaj që kërcënon shumë thellë tendencat tona natyrale, vullnetin për të jetuar. Ajo është gjithashtu me origjinë prej reaksioneve të panumërta në fushën ekonomike, një jetë me antitezë për riskun që ne mbajmë për largësinë mes asaj që investojmë dhe asaj që tregtojmë.
(Le Temps des turbulences Alan GREENSPAN, enti botues: JC Lattès Paris).
Alan Greenspan, kreu i Rezervës Federale në SHBA qysh nga 1987 i emëruar nga Ronald Regan deri në vitin 2006, punoi dhe bashkëveproi me katër presidentë të Amerikës. Në librin në fjalë që qarkullon sot në botën e qytetëruar (atje ku lexohen librat), ky personalitet i ekonomisë shikon në dhjetëvjeçarët e ardhshëm turbullira dhe pasiguri, frikë për jetën, ndeshje shkollash teorike dhe stuhi financiare.
Ndryshe ndodh në vendin tonë. Ka hare, entuziazëm, eufori dhe besëtytnizëm për një të ardhme të shkëlqyer. Fati i madh duket sikur i pret ata që janë sot fëmijë dhe të rinj, ndaj asgjë nuk parashikohet dhe studiohet në afate disa dekadëshe, por tregohet një përrallë sot për nesër. Dhe për fëmijë llogariten vajza që studion në Strasburg e Gruas të vetëshpallur e forte, dhe kurrsesi fëmijët e Gërdecit, ata që humbën jetën dhe ata që mbetën sakatë. Një vajzë 12 vjeçe me sy bojëqielli hyri në sallë ti operonte ato burime drite të dëmtuara nga shpërthimi i 15 marsit ( nuk ishte vajza e deputetit të zonës), por doli nga salla pa to. Tani ajo ka pasuri vetminë në errësirën e saj!
Konsiderohet fëmijë, bile me talent, ajo vajza që luan në instrument muzikor nën kujdesin e veçantë të prindërve dhe të gjyshërve; por kurrsesi ata dy fëmijë në Sharrë që u dogjën të gjallë nga zjarri i shkaktuar nga shkëndija elektrike, kur i ati ndodhej në emigracion duke i bërë temena ndonjë efendikoi për ti dhënë pagesën e prapambetur, e duke mos i dëgjuar thirrjet e tyre;ndihmë, ndihmë.
Fëmijë, bile qelibar, konsiderohet ai djali që takon njerëzit në hallë të biznesit të armatimeve, dhe jo fëmijët e abuzuar seksualisht në qendrën Fëmijët e tij ku engjëjt e mëshirës kërkojnë alibi, duke shpallur hapur impotencën, për të qenë burra, por jo meshkuj.
Fëmijë janë ata, që e dinë se si babi ish/apo ministër di ti fitojë paratë dhe ti blejë makinë, aeroplan, bile nesër edhe ta martojë nën ujë apo në hapësirën kozmike, por kurrsesi fëmijët e fshatit Kosinë që me skeletet e tyre në vare të përdhosura, për pak nuk përfunduan në ish-ushtarët grek apo civilë grekë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore, sepse sipas Marrëveshjes këta civilë do të duhet ti nxjerrim disa mijëra, paçka se ata janë në tokat shqiptare.
Dikur fëmijët kishin edhe kampet verore ku pushonin, ato që sot në Perëndim quhen kampingje apo shkolla të verës, por këto pasuri kombëtare janë tjetërsuar dhe ata që bëjnë para me to, kanë aq shumë, sa që edhe luajnë bixhoz; sepse për ta dhe ata që jua falën nuk ka kurrsesi rëndësi, se fëmijët e minatorëve të kromit kërkojnë në malet me mineral copa kromi për ti shitur, dhe ka syresh që nuk shkojnë në shkollë. Ata të kujtojnë fëmijët e veprës Zherminal që mblidhnin copa qymyri! Po ku e di ministri i Çështjeve Sociale se kush ishin Digger në Britani dhe ç`është Zherminali!
Barka e tij e shpëtimit nuk është as e Noe-s, as e imituesit të tij Deuklicianit, që sipas legjendave lindi birin e tij, Helenin të parin e grekëve, të cilët në ndryshim nga paraardhësit tanë pellazgët që i varrosnin të vdekurit, këta të ardhur egjiptiano-semito-asirianë i digjnin ata. Pse lodh mendjen, do të më thotë ndonjë patriot imi nga Saranda, puna është si të mbarojë pallati se ka filluar sezoni turistik.
Fëmijët e Poliçanit u helmuan dhe nuk kanë siguri për ujin e pijshëm. Ndoshta mëlçia e tyre për vite do të mbajë brenda saj Hepatitin A, B apo C; dhe kur të rriten e ta mësojnë një gjë të tillë, do tu turren prindërve dhe shoqërisë, se si në mileniumin III mjekësia drejtohet nga një mekanik. Ata do të shpaguajnë edhe për fëmijët talasemikë, që bashkë me gjakun morën dhe SIDA-n.
Po qytetarët e nesërm europianë të Shqipërisë do të jenë edhe fëmijët që mbledhin kanoçe tek plehrat, ata që lypin vet apo të porsa lindur përdoren në procesionin e lypjes nga të rriturit, për të ngjallur dhembshurinë. Në Shqipërinë europiane, tek kjo trimoshe, ku njëri thotë; Qeveria ime, tjetri po aq i gjatë dhe i epuar po nga ana e djathtë, ja kthen me iso; Opozita ime, të dy këta krena e dinë kush është Prosperimeja dhe vendetta.
Por duhet të dinë që ka edhe fëmijë të ngujuar nga gjakmarrja që nuk shkojnë në shkollë, që nuk janë të lire, që janë burgosur pa faj. Po zonjat e para të Shqipërisë, që në garë dalin më shumë se një, si edhe është normaliteti institucional, përse nuk shkojnë një here dhe vetëm një natë bashkë me fëmijët e tyre dhe nipërit e mbesat të flenë në ato shtëpi të ngujuarish, vetëm për tju treguar se shteti dhe shoqëria nuk i ka harruar dhe nuk mund ti braktisë?
E bukur, joshëse, dhe pará-mbledhëse nga donacionet është parulla,Dua të luaj, bile edhe me ty që kurrë nuk bëre një kkkkoooo
kosh! Por fillimisht Dua të jetoj, dua të jem i lirë, dua të mos na grabitet toka, dua të ndërtohet pylli i lagjes për të llogaritur se sa oksigjen do të lëshohen për frymë nga pemët që fatmirësisht thithin gazin karbonik duke luajtur rolin e mushkërisë natyrore. Po ndoshta ti xhelozohesh nga lartësia e tyre dhe për të qenë mbi to, i pret, si edhe ke bërë në shumë vende dhe së fundi në rrugën Pjetër Bogdani.
Të drejtat e njeriut fillojnë tek të drejtat e fëmijëve.Slogan i bukur, joshës edhe për fonde aktivitetesh që i pëlqejnë dhe UNICEF-it në Tiranë! Por veç faktit kuptimplotë që zonjusha që e drejton këtë institucion realisht ka adaptuar dy fëmijë shqiptarë, megjithëse ajo është nga Salt Lake City (Juta SHBA) dhe është një nga 9-të fëmijët e familjes së saj (dhe jo si disa këtu që i adaptuan ju vunë edhe emrat, por nuk i marrin në shtëpi se kanë frikë mos zhvirgjërojnë tabutë), asgjë nuk lëvizë ashtu si duhet në gjithë vendin, sepse si do ti përgjigjeshim pyetjes:
Çbëmë ne për fëmijët që kanë mbetur pa prindër, kur përballë varfërisë dhe mungesës së shpresës, përballë pasigurisë dhe humbjes së dinjitetit, si të pa dobishëm për familjen, ata i japin fund jetës me vetëvrasje?
Si do të justifikohen hordhia e OJF-veeeeeeee që marrin para pa hesap, që 40% e vjedhjeve kryhen nga fëmijët, apo që për inat të dashnorit, nipin e tij e mbys në pus, apo e vras vëllanë, gruan fëmijën (bile dhe atë në fetus) si edhe ndodhi në fshatin Kozarë, dhe ende nuk dihet nëse fajtori është ai që thotë drejtësia apo dikush tjetër.
Po për fëmijët shqiptarë në emigracion që nuk shkollohen në gjuhën e nënës kush mbanë përgjegjësi, apo çna duhet? Le të ndërrojmë edhe mëmën dhe të quhemi si do integrimi europian, sepse kur dikush thotë enklavë greke në Himarë brenda në gji të Kurveleshit, ai që drejton pushtetin qendror bën shaka duke thënë, që ky person me pushtet, mund të deklarojë se është edhe kanadez. Po zotëri, po Kanadaja nuk ka kërkesa territoriale ndaj Shqipërisë dhe asaj nuk i janë marrë trojet e Dodonës së lashtë të Zeusit dhe Hakilit ( Si thoshte Homeri), që fillimisht quhej Pellazgji, më tej Thesproti, Mollosi (Aleksandëri i madh Mollosi) dhe së fundi Epir, ku ndriste fusha e bukur e Çamërisë!
Nëse Kanadasë do ti cenohej ndonjë humbëtirë akujsh në kufirin me Alaskën do ta shihje kujdesin dhe shqetësimin. Ndaj ai greku i konvertuar që hoqi tabelat nuk duhet të përgjigjet për dëmin material, por fillimisht për shkeljen e Konventës Kuadër të Këshillit të Europës për pakicat kombëtare dhe ato etnokulturore. Atje thuhet që të drejtat e minoriteteve edhe ajo e dy gjuhësisë, nuk mund të vijnë kurrsesi ndesh apo kundër me Sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial të shumicës autoktone. Ne e kemi ratifikuar këtë konventë, ndërsa Greqia e Bollanos ende!
Eh, fëmijë dhe të rinj të sotëm! A e dini ju se e ardhmja juaj fillon sot dhe nëse vendi merr hua e kredi pa kontroll dhe rregull, atëherë ai deficiti buxhetor që është sot 7.9%, pra sa dyfishi i atij të planifikuar, e gjithë kjo për shkak të kreditimeve, mungesës së një ekonomie funksionale dhe shitjes së pasurive kombëtare, nesër do të jetë për ju një haraç i rëndë dhe do kini të drejtë të mallkoni.
Kush ishin këta të paaftë, që thoshin: kjo është e imja, por nuk thanë një here, kjo është e jona, Shqipëria është e jona.
Varfëria kërcënon botën dhe ministri ynë i Bujqësisë nuk vë asnjë thinjë mbi flokë, por lexon se sa fasule kemi prodhuar dhe sa kemi importuar! Po ku ta di ky specialisti ynë agroministrorë atë që thoshte Oscar Wild se: Pak sinqeritet është gjë e rrezikshme, shumë një fatalitet i plotë. Nuk e formon momenti njeriun, por është njeriu ai që krijon epokën. Që të mos lindi ndonjë keqkuptim, sqaroj që Oscar Wild nuk është punonjës i FAO-s, por i parcelës bio të mendjes.
Por njerëzit, të mëdhenj e të vegjël qetësohen se për hall të parave kështu ka thënë babë-nëna FMN. Por ja çthotë për të një Nobelist në ekonomi, këshilltar i presidentit Bill Clinton dhe drejtues në Bankën Botërore, Joseph Stiglitz:
Vendet që marrin para nga FMN nuk janë të mbrojtura prej tij. Ato duhet të ngrenë shpejt një rezervë për ti kthyer detyrimet atij. Globalizmi si hapje tregu duhet të ruhet nga spekulimet. Përvoja negative e Argjentinës me FMN, marrja e kredive, prodhojë një rritje jo të qëndrueshme. Ajo u mbështet në hua të rënda nga jashtë dhe nga një privatizim që shiti jashtë vendit asetet kombëtare tek të huajt-(korsivi është imi PK), procedurë prej të cilës nuk u investua. Pati një bum të konsumit,GDP-ja u rrit, por shëndeti kombëtar u zvogëlua. Rritja ishte e tillë që zgjati shkurt 7 vjet dhe u pasua me rënie dhe stanjacion. Rritja për dekadën e 1990-s ishte vetëm gjysma e asaj që pat qenë në dekadën e mëparshme të 1980-s, dhe çfarë rritje pati, e tillë që shpuri në disproporcion në pasuri. (Making Globalization WORK, Jozeph Stiglitz, faqe 36, botimi anglisht)
Ikja e pasurisë kombëtare nuk qenkërka pjesë e suksesit të globalizmit, por humbje në këtë lojë të vështirë dhe delikate. Por tek ne vijohet që privatizimi të mos lidhet me tregun e aksioneve (Bursë kemi, por treg aksionesh jo), por me shitjen e pasurisë kombëtare vetëm të huajve. Bile edhe kur çmimi duket i majmë, shuma nuk vjen e gjitha njëherësh në dorë, por më këste, pasi aseti është marrë në dorëzim dhe shfrytëzohet nga blerësi.
Nesër do të jetë vonë, do të jetë keq, dhe ju fëmijë dhe të rinj të sotëm, nuk do merreni me luftën e klasave si gjyshërit apo me luftën e dosjeve si prindërit. Ju do të shfryni duke thënë; kush na ka drejtuar në këtë mënyrë, sepse ndjehemi të huaj në atdheun e të parëve. Atdheu (asetet përfshi edhe tokën), po të kthehet në treg i nënshtrohet ligjeve të tij, konkurrencës, shitje-blerjes, deprsesionit, inflacionit deflancionit, falimentimit etj.
Sovraniteti politik mund të duket si një gjë e kapërcyer, sepse jetohet në një botë të hapur të lirisë dhe pluralizmit. Por sovraniteti i tregjeve përballë dimensionit financiar dhe monetar të kapitalizmit global, si dhe në sfidë me ideologjinë dhe fondamentalizmin e tregut, jo që nuk është kapërcyer, por përbën një problematikë botërore për dekadat që do të vijnë. Kush nuk ka ide dhe qartësi për këto dukuri dhe marrëdhënie konfliktuale, mund ta pësojë si në mitologji, kur Kronosi (perëndia e kohës) hante fëmijët e vet.
Shpëtoi vetëm Zeusi, që e ëma Rea e shpuri në malin Ida, bashkë me dhinë Amaltea dhe Kuretët luanin vallen e shpatave mos dëgjoheshin të qarat dhe dhia që mëkonte.
Jeta pa përgjegjësi sot mund tju heqë edhe fatin e Zeusit të rinjve të sotëm, që nuk duhet të nanurisen me ëndrrën që të shpie tek iluzione se nuk do të ketë shtete sovrane, sepse do të jetohet në një hapësirë të integruar kontinentale dhe më gjerë, akoma atë globale.
Që ëndrra nesër mos të vijë e vdekur, ju përmend se çfarë shkruan në librin e tij, Ndërtimi i shtetit, Qeverisja dhe Rendi Botëror në Shekullin Njëzet e Një; Francis Fukuyama.
Atë që vetëm shtetet janë të aftë të kryejnë është grumbullimi dhe shpërndarja me qëllim e pushtetit legjitim. Ky pushtet është i nevojshëm për të zbatuar shtetin e së drejtës brenda vendit dhe për të ruajtur rendin botëror jashtë tij. Ata që kanë debatuar për zbehjen e sovranitetit-qofshin këta ithtarë të tregjeve të lira të krahut të djathtë, apo ithtarë të vendosur të marrëdhënieve multilaterale të krahut të majtë, duhet të shpjegojnë, çfarë do ta zëvendësojë pushtetin e shteteve-kombe sovrane në botën kontemporane?
Ato që kanë mbushur këtë boshllëk janë një potpuri de facto korporatash multinacionale, organizatash jo qeveritare, organizatash ndërkombëtare, sindikatash të krimit të organizuar, grupesh terroriste dhe kështu me radhë. Ato mund të kenë një farë pushteti apo një farë legjitimiteti, por rrallë herë të dyja bashkë në të njëjtën kohë. Në mungesë të një përgjegjësie të qartë, ne nuk kemi mundësi tjetër veçse ti kthehemi shteteve-kombe sovrane dhe të kujtojmë edhe një here se si mund ti bëjmë ato të fuqishme dhe efektive (Libri i përmendur më lart, faqe 176, botimi shqip).
* * *
Shekulli që porsa ka hyrë është i fëmijëve dhe të rinjve të sotëm.
Nëse gabohet aktualisht, pasojat do të jenë të rënda dhe në shumë drejtime, pa kthim në të ardhmen e afërt, ndaj prindër dhe komunitet: Jini vigjilent! Nuk ka fat të dhuruar dhe lumturi që zbret nga qielli, ato ndërtohen dita-ditës!
Nga Dr. Përparim Kabo/ballkanweb