Truri, ajka e kombit, shtetit dhe shoqėrisė shqiptare pėrballė njė realiteti tė dhimbshėm, tė pashpresė e nė dėshpėrim total, ka vite qė vazhdon braktisjen e vendit duke emigruar pandalshmėrisht drejt shteteve tė zhvilluara e moderne perėndimore pėr njė jetė mė tė mirė.
Truri, ajka e kombit, shtetit dhe shoqërisë shqiptare përballë një realiteti të dhimbshëm, të pashpresë e në dëshpërim total, ka vite që vazhdon braktisjen e vendit duke emigruar pandalshmërisht drejt shteteve të zhvilluara e moderne perëndimore për një jetë më të mirë. Me të vërtetë një hemorragji dhe rrjedhje serioze e trurit dhe inteligjencës që ikin dhe vetëm ikin pa mëdyshje dhe pa e kthyer kojkën mbrapa.
Largohen sepse ndihen të papërfillur, të pamotivuar, të braktisur e të ofenduar nga politika, shteti dhe shoqëria pasi askush nuk interesohet, përkujdeset dhe impenjohet që ti punësojë ata në profilet dhe fushat për të cilat edhe janë diplomuar. Askush nuk ka vullnet, përgjegjësi e seriozitet, nuk ka ide, vizion e alternativa të qarta e perspektive për angazhimin dhe përfshirjen e trurit në mbarë institucionet shkencore e akademike, apo në administratën qendrore e atë lokale, në institucione të ndryshme shtetërore dhe pse jo, mund dhe duhet të përfshihen edhe në politikë. Shkaku kryesor për këtë indiferencë dhe shpërfillje ndaj inteligjencës tonë është politika dhe politikanët dritëshkurtër që më parë mendojnë për punësimin dhe sistemimin e militantëve e simpatizantëve mediokër që mbushin mitingjet sesa për njerëzit me profil inteligjent e profesionalisht të përgatitur e të aftë për të drejtuar në fushat respektive e për ti kontribuar zhvillimit të vendit dhe shoqërisë. Theksojmë se një mentalitet dhe konceptim të tillë ndaj inteligjencës shqiptare e kanë të dyja krahët e politikës shqiptare, si e djathta, ashtu edhe e majta, dhe sapo një parti vjen në pushtet më parë mendohet për të rregulluar dhe privilegjuar militantët sesa për të zbatuar programin qeverisës, pa le më për të menduar për intelektualët, trurin e kombit. Është kjo arsyeja që truri shqiptar largohet dhe merr arratinë nga sytë këmbët e ku të mund e si të mund, në çdo shtet të industrializuar të globit.
Çuditërisht, përballë këtij realiteti të dhimbshëm e skandaloz e fare të pakuptimtë, politika, qeveria dhe shteti shqiptar demonstrojnë dukshëm miopi, shurdhëri, memecllëk e pandjeshmëri. Me të vërtetë e pafalshme dhe e patolerueshme një vlerësim dhe qëndrim i tillë ndaj kësaj pasurie të madhe kombëtare, e që urgjentisht duhet korrigjuar sa nuk është vonë.
Sikundër dihet Shqipëria importon çdo gjë dhe gjithçka, përfshi këtu edhe barin e thatë për të ushqyer e mbajtur gjallë blegtorinë dhe, si për ironi, në këmbim të tyre eksporton me ovarda gjënë më të shtrenjtë dhe pasurinë më cilësore e më të vyer: trurin e vendit. Paradoks më të madh nuk ka dhe nuk mund të gjesh gjëkundi. Dhe të mos harrojmë se familja, shteti dhe shoqëria shqiptare kanë investuar shuma të konsiderueshme financiare dhe kanë sakrifikuar jo pak për arsimimin, kualifikimin, përgatitjen dhe profesionalizmin e gjithë kësaj inteligjence. Pra, sikundër shihet, tërë këta kuadro të fushave të ndryshme janë rritur me mundim e privacione tamam si fëmija në pelena, prandaj nuk duhet ti humbasim, ti shpërfillim e denigrojmë por ti mbajmë afër, të përkujdesemi e ti fitojmë.
Gjithashtu, ajo që duhet të na tërheqë vëmendjen është fakti se hemorragjia e pafrenuar e trurit ka përfshirë të gjitha fushat dhe profilet e veprimtarisë intelektuale pasi janë larguar shkencëtarë, biologë, kimistë, matematicienë, fizikantë, ekonomistë, këngëtarë, pedagogë, aktorë, inxhinierë, shkrimtarë, duke krijuar një vakuum dhe dëm të madh për zhvillimin dhe demokratizimin e pandalshëm të shoqërisë sonë. Dhe nëse arratia e trurit shqiptar do të vazhdojë me këtë ritëm e intensitet, padyshim që do të përballemi me pasoja të rënda, për të mos thënë fatale e të pariparueshme, që do ti kushtojnë shtrenjtë zhvillimit të vendit. Dhe pas dy apo tre dekadash, Shqipëria do të jetë vendi më i varfër edhe me intelektual. Pra, shkencës dhe laboratorëve tanë do ju mungojnë shkencëtarët dhe biologët, mekanikës dhe veprave industriale do t`ju mungojnë inxhinierët, lexueseve do t`ju mungojnë shkrimtarët dhe romanet, skenës do i mungojnë artistët, këngëtarët dhe aktorët. Pra, gjithë zhvillimit të vendit do t`i mungojnë arkitektët e të gjitha fushave të veprimtarisë shoqërore.
Sot, në këtë fillim shekulli dhe në kohët më moderne, shkenca, zhvillimi dhe urbanizimi kanë arritur pika më kulmore e të pakrahasueshme, e si të tilla kërkojnë domosdoshmërisht dhe urgjentisht, prezencën dhe angazhimin gjithëpërfshirës të trurit dhe inteligjencës shqiptare duke paraprirë me ide, projekte, alternativa e vizione, ambicioze e sa më progresive.
Shpresojmë dhe besojmë që politika dhe shteti shqiptar të ketë prioritet, një këndvështrim të ri dhe një vlerësim e përkujdesje më të madhe për të ardhmen dhe perspektivën e inteligjencës e të trurit shqiptar që kjo pasuri të inkurajohet, të përkrahet e të bëhet promotori i zhvillimit dhe modernizimit të vendit dhe shoqërisë tonë demokratike. Truri është elita dhe krenaria e kombit, i aftë që të shpalosë e demonstrojë ide, koncepte e veprime bashkëkohore e moderne në zhvillim e drejtim të vendit, duke spostuar e larguar nga loja mediokrit, dallkaukët, të paaftët, diletantët dhe militantët.
PALI NITO