Luftėrat, varfėria, globalizimi dhe ndryshimi i sistemeve politike janė faktorėt kryesorė qė sjellin emigracionin. Ky fenomen, qė vazhdon tė krijojė probleme politike dhe sociale nė Perėndim, mbart historitė e trishtuara dhe ngulmimin e lodhshėm tė miliona njerėzve nė kėrkim tė njė jetė mė tė mirė.
Akademiku dhe shkrimtari shqiptar në Britaninë e Madhe, Dr. Gëzim Alpion, shtjellon temën e identitetit kombëtar shqiptar në shumicën e veprave të tij në gjuhën angleze, por veçanërisht në tre librat Nënë Tereza: Shenjtore apo e Famshme?, Takimet e Civilizimeve: Nga Aleksandri i Madh tek Nënë Tereza, dhe Sikur të Vdekurit të Dëgjonin, që sapo është botuar këtu në Shtetet e Bashkuara nga shtëpia botuese Globic Press në Karolinën e Veriut. Libri Sikur të Vdekurit të Dëgjonin është një dramë e cila u vu në skenë fillimisht ne Angli nga teatri Dreamscape, me regji të Marcus Fernando, fillimisht ne vitin 2006 dhe së fundmi në Marsin e këtij viti. Aktualisht Dr. Alpion është lektor për Sociologji dhe Studimet e Medias në Universitetin e Birminghamit në Angli.
Për tu informuar më shumë me këto botime dhe veçanërisht për temën e trajtimit të refugjatëve shqiptarë në Perëndim ne do të zhvillojmë tani një bisedë të drejtpërdrejtë nga studioja jonë në Londër me Dr. Alpion.
Dr. Alpion, doja tju pyesja fillimisht çfarë ju shtyu ju për të trajtuar këtë temë, pra emigracionin, dhe përse ky titull
ngjethës, Sikur të Vdekurit të Dëgjonin!?
Identiteti kombëtar dhe imazhi i Shqipërisë janë disa nga temat që unë i shtjelloj në librat e mi. Për mendimin tim, ka ardhur koha, për të mos thënë që jemi vonë, që intelektualët shqiptarë, akademikët dhe krijuesit të angazhohen më seriozisht me çështjen e identitetit kombëtar. Kur të angazhohemi me këtë çështje, duhet që debati të mos jetë i tonit që përdorën Kadareja dhe Qosja, sepse çështja e identitetit kombëtar është shumë më e rëndësishme se egoja personale.
Në lidhje me imazhin tonë, do të përmendja disa faktorë, të cilët, mendoj unë, kanë ndikuar që fatkeqësisht në Perëndim, veçanërisht në Britani, imazhi i Shqipërisë të jetë negativ. Ka disa shekuj që fqinjët tanë në Ballkan kanë qenë të interesuar që ta ulin imazhin e Shqipërisë. Kohët e fundit, disa bashkatdhetarë në Perëndim që angazhohen në aktivitete kriminale, kanë bërë që të ulet edhe më tej imazhi i Shqipërisë. Komunitetet shqiptare, diaspora shqiptare si dhe i gjithë kombi shqiptar janë dënuar në mënyrë kolektive si rezultat i këtyre personave të papërgjegjshëm. Por le të mos harrojmë që arsyeja kryesore që Shqipëria ka një imazh negativ, është niveli shqetësues i korrupsionit në Shqipëri.
Pra në dramën time, titulli është me të vërtetë shqetësues, siç thoni ju, sepse nëpërmjet të vdekurve në këtë vepër në mënyrë direkte apo indirekte unë u drejtohem të gjallëve. Ne duhet të jemi më të angazhuar me temën e identitetit kombëtar dhe ta trajtojmë atë me integritet.
Dr. Alpion, ndërsa keni marrë vlerësime pozitive nga kritika në disa vende në Perëndim dhe në Azi për trajtimin pa doreza të temave delikate dhe tabu, pra jeni vlerësuar si një shkrimtar dhe akademik që nuk përfillni korrektësinë e tepruar politike, do të ishte me interes të dinim se si ka reaguar kritika në hapësirat shqiptare për dramën si dhe për librin tuaj për Nënë Terezën.
Duke pasur parasysh që drama dhe të gjithë librat e mi në Perëndim janë botuar në gjuhën angleze, dhe kohët e fundit një libër në gjuhën italiane, është disi e vështirë për kritikët shqiptarë që të angazhohen me veprat. Ndoshta kur të botohen në shqip, do të ketë një angazhim më të madh. Deri tani, në shtypin shqiptar dhe në hapësirat shqiptare është shkruar për veprat, por më tepër nga gazetarët, dhe megjithëse ka pasur shkrime dinjitoze, nuk ka akoma një angazhim të kritikëve. Mesa di unë, vetëm një recensë e mirëfilltë nga z. Abdi Baleta është botuar në Tiranë.
Megjithatë më duhet të theksoj se intelektualët shqiptarë në Perëndim kanë treguar interesim të vazhdueshëm. Kështu, për shembull, Dr. Altin Ilirjani, Editori i revistës shkencore Albanian Journal of Politics në Amerikë, disa herë ka kontaktuar studiues shqiptarë dhe të huaj për të shkruar recenca për librat e mi.
Ndërsa shkakton problem për vendet pritëse, sigurisht emigracioni krijon edhe një zbrazëti të shtresës intelektuale në vendin e origjinës, pra krijon të ashtuquajturin fenomenin e rrjedhjes së trurit. Flitet shpesh për përpjekje të qeverisë shqiptare për të joshur emigrantët të kthehen në vendin e tyre.Nga ana tjetër, emigracioni është një faktor i rëndësishëm ekonomik me të ardhurat që i siguron Shqipërisë. A duhet të kthehen intelektualët shqiptarë në vendin e tyre?
Largimi i trurit nuk duhet shikuar gjithmonë si një diçka tepër negative, sepse intelektualët shqiptarë ne Perëndim mund të luajnë një rol pozitiv si për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë, ashtu edhe për vendosjen e lidhjeve ndërmjet institucioneve kërkimore e shkencore në Perëndim dhe Shqipëri.
Por nuk duhet të harrojmë që intelektualët shqiptarë në Perëndim kanë punuar shumë për karrierat e tyre dhe vështirësitë janë të shumta. Në rastin tim, për shembull, dhe të bashkëshortes time, Dashit, na është dashur 23 vjet të punojmë për të ndërtuar karrierat që kemi në Perëndim. Dhe të kthehemi në Shqipëri pas një pune kaq të madhe nuk është edhe aq e lehtë.
Ajo që ne mund të bëjmë është të vendosim këto ura bashkëpunimi që përmendem më parë, dhe të kemi projekte të përbashkëta. Në qofte se ka iniciativa nga Tirana, Prishtina apo universitetet në Tetovë, unë jam i sigurt se koleget e mi në Perëndim do të jenë të gatshëm për të bashkëpunuar.
Si e shikoni ju rolin e diasporës shqiptare në jetën politike të vendit? Megjithë dëshirën e mirë për të ndihmuar Shqipërinë, a mund të jetë diaspora koherente dhe në të njëjtin ritëm me ndryshimet që ndodhin në Shqipëri?
Diaspora mund të luajë një rol tepër pozitiv, por duhet të kemi parasysh që diaspora shqiptare është relativisht e re. Nuk mund të realizohen shumë gjëra në 17 vjet. Diaspora jonë është shumë më e re se e fqinjëve tanë, italianët dhe grekët.
Fatkeqësisht, tani për tani, diaspora jonë nuk është e organizuar (sigurisht që ka dallime mes vendeve të ndryshme). Elita shqiptare duhet të angazhohet më tepër me problemet e diasporës në mënyre që të mos e lëmë diasporën në duart e elementëve të papërgjegjshëm.
Intervistoi: Rudina Dervishi