Ēėshtja e identitetit kosovar, pėrkatėsisht kuptimet dhe ngjyrimet qė po i mveshen kėtij identiteti, e ka dyndyr opinionin publik tė Kosovės me polemika, debate, studime dhe shprehje qėndrimesh lidhur me pyetjen se a ekziston identiteti kosovar dhe nėse ekziston ēfarė ėshtė ky identitet (pra, ēfarė kualifikimesh mund ti japim atij).
Ngritja e çështjes së identitetit kosovar ka ardhur si pasojë e ndryshimeve dhe zhvillimeve politike e historike që kanë ndodhur me zgjidhjen e statusit final të Kosovës, pra pavarësimin e saj.
Krijimi i shtetit të Kosovës ( në proces konstant të njohjes ndërkombëtare), pranimi i Propozimit të Ahtisaarit dhe miratimi e hyrja në fuqi e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (15 qershor 2008), paraqesin një kualitet të ri politik, juridik e shoqëror në rajonin e Ballkanit (të kombeve).
Ky format i ri i një shteti të Ballkanit (Republikës së Kosovës) i bazuar mbi një propozim politik ndërkombëtar (Propozimi i Ahtisarit) dhe i cilësuar si zgjidhje/rast sui generis (si në raport me të Drejtën Ndërkombëtare ashtu edhe në rregullimin e brendshëm të saj), ka nxitur dilema tek teoricienët dhe opinionistët politikë lidhur me çështjen se, krijimi i tillë i formatit të shtetit të Kosovës a po çon kah krijimi apo evoluimi i identitetit të përgjithshëm kosovar.
Dilema kryesore lidhur me çështjen e identitetit kosovar ka të bëjë me atë se: predispozitat e tilla politike dhe kushtetuese të shtetit të Kosovës a po krijojnë predispozita faktike imponuese të krijimit të kombit kosovar. Pikërisht ky aspekt i identitetit kosovar, pra identiteti kombëtar i Kosovës, paraqet pikën polemizuese të kësaj çështjeje.
Në tërësinë e vet identiteti kosovar tashmë inkorporon në vete edhe realitetin e ri politik shtetëror, që ka karakter inkluziv dhe të trajtimit të barabartë për të gjithë shtetasit e Kosovës.
Pikërisht fakti se të gjithë shtetasit, qytetarët e Kosovës do të jenë të lirë e të barabartë në Republikën e Kosovës, ka ngacmuar teorikët e kombeve se mos ky fakt do të shëndërrohet në qëllim politik të popullit të Kosovës për tu themeluar si komb kosovar.
Megjithatë, ky konstatim a shqetsim mbetet eventualisht për tu vërtetuar si i qëndrueshëm në aspektin teorik dhe i realizueshëm në atë praktik.
Kompleksitetit të aspekteve të identitetit kosovar u shtohet edhe elementi evropian i këtij identiteti. Si në aspektin historik edhe në atë aktual politik Kosova (Republika e Kosovës) i ka takuar dhe do ti takojë tërësisë së përbërësve të identitetit evropian, respektivisht elementet (politike e shoqërore) evropiane paraqesin përbërësit kryesorë fundamentalë të identitetit kosovar.
Kufizimi në vetëm një aspekt të identetetit të një populli a kombi nuk është i mjaftueshëm në njohjen dhe definimin e atij identiteti. Prandaj, shqyrtimi i pyetjes/çështjes sonë se a ekziston identiteti kosovar, nuk do të mjaftohemi ti përgjigjemi vetëm duke trajtuar aspektin kombëtar të identitetit të Kosovës, por duke e shqyrtuar këtë identitet edhe në raport me identitetin shtetor të Kosovës, i cili është i domosdoshëm me vetë faktin që shteti i Kosovës tashmë ekziston.
Ballafaqimi, krahasimi dhe tendenca e unifikimi apo ndarja e identitetit kombëtar të Kosovës me identitetin e saj shtetëror, paraqet gjithashtu një sfidë në teoritizimet lidhur me identitetin kosovar.
Prandaj, në drejtim të heqjes së dilemava lidhur me çështjet e ngritura, kujdes të veçantë duhet kushtuar nocioneve të lidhura me këto çështje, si në aspektin teorik, ashtu edhe në ballafaqimin e tyre me realitetin praktik.
II. Ngritja e dilemës se me forminim e shtetit të Kosovës ka filluar edhe procesi i formimit të identitetit kombëtar të Kosovës është dilemë e paqenë dhe proces joreal, kjo sepse identiteti kombëtar i Kosovës ekziston dhe ky identitet është shqiptar.
Gjithashtu, pretendimet nga qarqe të caktuara institucionale dhe të shoqërisë civile për të qenë bartëse të këtij procesi komb-formues të Kosovës janë joreale, sepse identiteti kombëtar i Kosovës është formuar në një proces të gjatë historik të nisur që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878) dhe me kulmim në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë (1912).
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, që shënoi themelimin e shtetit shqiptar, ishte njëkohësisht akt që unifikonte sub-identitetet shqiptare të kultivuara në vilajetet e Perandorisë Osmane e ndër to edhe vilajetin e Kosovës.
Këto sub-identitete shqiptare partikulare ishin pasardhëse të sub-identiteteve partikulare ilire, të cilat gjithashtu ishin zhvilluar të ndara në krahina dhe fiset e mëdha ilire. Pra, ishin rrethanat gjeografike, historike dhe politike ato që imponuan apo shkaktuan kultivimin e sub-identiteteve shqiptare, gjithmonë si pjesë e mozaikut të përgjithshëm të identitetit shqiptar.
Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913) lanë jashtë shtetit kombëtar shqiptar gjysmën e shqiptarëve.
Nga ky moment i padrejtë politik e historik, identiteti shqiptar u zhvillua në dy realitete: realitetin brenda shtetit shqiptar dhe realitetin në trojet etnike jashtë shtetit shqiptar, nën juridiksionin shtetëror të shteteve të tjera fqinje.
Edhe pse pati presione të mëdha për asimilim, shqiptarët jashtë kufijëve të shtetit shqiptar u njohën si minoritete etnike shqiptare (posaçërisht në Jugosllavi).
Në asnjë moment shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Luginës së Preshevës dhe ata të Malit të Zi ( pra, në ish-Jugosllavi) nuk e vunë në këmbim identitetin e tyre kombëtar shqiptar me ndonjë identitet tjetër.
Mosheqja dorë e këtyre shqiptarëve nga identiteti i tyre kombëtar u vërtetua edhe në tri luftrat e fundit ( në Kosovë, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës).
Motivi i këtyre luftrave ishte mbrojtja e qenies dhe identitetit shqiptar nga tendenca e eliminimit dhe asgjësimit nga sllavët.
Fatkeqësisht, identiteti i shqiptarëve në Greqi mbetet më i rrezikuari, si pasojë e presionit të madh asimilues dhe mosnjohjes së pronave të shqiptarëve nga shteti grek.
Shqiptarët të gjendur imponueshëm në Jugosllavi vazhduan në mënyrë konstante kërkesën e tyre për vetëvendosje dhe bashkim me Shqipërinë.
Kjo argumentohet edhe nga përmbajtja e Rezolutës së Bujanit (1943-44), e cila parashihte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe kishte garanci ndërkombëtare (Arsim Bajrami 2001:36).
Rezoluta e Bujanit paraqiste dokumentin themelor të vetëvendosjes së shqiptarëve të Kosovës (Noel Malcom 1998:307-308).
Megjithatë, pas dështimit të realizimit të vendimeve të rezolutës së Bujanit, shqiptarët në Jugosllavi ishin në përpjekje të vazhdueshme të realizimit të të drejtave të tyre kombërare, duke kërkuar statusin e Republikës në Federatën Jugosllave.
Veprimet antikushtetuese e aneksusese të Serbisë në vitin 1989 shënuan shembjen e pozitës kushtetuese të Kosovës në Jugosllavi, të garantuar nga Kushtetuta e vitit 1974.
Agresionit kushtetues e shtetëror të Serbisë elita politike shqiptare dhe populli i Kosovës iu përgjigj me miratimin e Deklaratës së Pavarësisë së 2 Korrikut 1990, miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në Kaçanik më 7 shtator 1990), Referendumin për Kosovën shtet sovran e të pavarur (shtator 91), Rezoluta për shtetin e pavarur e sovran të Kosovës (tetor 91), Amandamentet Kushtetuese, zgjedhjet parlamentare e presidenciale (1992-1998) etj.
Kronologjia e ngjarjeve historike të sipërcekura, të cilat kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1998-99) dhe bombardimet e NATO-s (1999), paraqesin veprime politike/historike të elitës e popullit shqiptar të Kosovës dhe çuan në evoluimin e zgjidhjes së çështjes shqiptare në Ballkan.
Tashmë nga dëshira/synimi për bashkim me Shqipërinë, populli i Kosovës kishte vendosur një politikë pragmatike, realizimin e shtetit demokratik shqiptar të Kosovës.
Pra, Republika e Kosovës është projekt politik i kombit Shqiptar të Kosovës, i cili njëherësh përbën edhe shumicën absolute të popullit të Kosovës (mbi 90%).
Se Republika e pavarur e Kosovës është projekt kombëtar shqiptar kuptohet që në nenin 1 të Kushtetutës së Kaçanikut ku thuhet: Republika e Kosovës është shtet demokratik i kombit shqiptar dhe i pjestarëve të kombeve të tjera dhe i pakicave kombëtare, të shtetasve të vet; serbëve, myslimanëve, malazezëve, kroatëve, turqëve, romëve e të tjerëve që jetojnë në Kosovë (Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Dispozitat e Përgjithshme, neni 1).
Vetë lufta e armatosur e viteve 98-99 ishte në mbrojtje dhe realizim të aspiratave të këtyre akteve/vendimeve politike/historike.
Bombardimet e NATO-s mbi Jugosllavinë (me motiv humanitar), instalimi i misionit të OKB-së në Kosovë (mbi bazën e rezolutës 1244) dhe të gjitha relacionet e raportet me bashkësinë ndërkombëtare deri me shpalljen e pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008), përbëjnë zhvillime relevante të cilat padyshim janë pjesë e historisë dhe identitetit bashkëkohor të Kosovës.
Që nga periudha e fillim viteve90 e deri te fillimi i negociatave për zgjidhjen e statusit final të Kosovës në vitin 2005, respektivisht deri te vdekja e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova (janar 2006), Kosova nuk kishte dilemë se Republika e Kosovës shtet i dytë i shqiptarëve në Ballkan ishte optimumi real i zgjidhjes së çështjes shqiptare në përgjithësi (meqë shqiptarët aktualisht kishin hequr dorë nga e drejta për bashkim me Shqipërinë).
Me intensifikimin e negociatave në Vjenë midis shqiptarëve dhe serbëve (Kosovës dhe Serbisë) nën udhëheqjen e Marti Ahtisarit (i ngarkuar i OKB-së), filloi e ashtuquajtura periudhë e kompromiseve të dhimbshme (togfjalësh i përmendur shpesh nga delegacioni shqiptar në negociata).
Rezultat i këtyre negociatave ishte dështimi i kompromisit ndërmjet palëve (serbëve e shqiptarëve) dhe nxerrja e një propozimi nga ana e negociatorëve ndërkombëtarë, i njohur si Pakoja e Ahtisarit.
Ky propozim i Ahtisaarit parashihte një pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën dhe themelimin e shtetit multietnik.
Realisht duhet thënë që prapa parimeve demokratike e multietnike që obligon kjo pako, shihet tendenca e qartë për çidentifikimin e Kosovës si shtet me shumicë kombëtare shqiptare, sepse parimet demokratike dhe parimet e respektimit të të drejtave të pakicave kombëtare shqiptarët i kishin garantuar qysh në Kushtetutën e Kaçanikut.
Pranimi i këtij propozimi nga ana e udhëheqjes politike shqiptare, i interpretuar prej tyre si veprim politik pragmatik në drejtim të realizimit të pavarësisë së Kosovës, duhet thënë që është në kundërshtim me të gjitha vendimet politiko-juridiko-historike të miratuara gjatë viteve 90, duke përfshirë edhe motivin e luftës së UÇK-së (të shprehur në betimin e ushtarëve të saj).
Propozimi i Ahtisaarit, Deklarata e Pavarësisë (17 shkurtit) dhe Kushtetuta e re e Republikës së Kosovës nuk qëndrojnë në pika pajtimi edhe me dy rezoluta të miratuara nga Kuvendi i Kosovës (Rezolutën për luftën çlirimtare të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, 15 maj 2003 dhe rezolutën për rikonfirmimin e vullnetit politik të popullit të Kosovës për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, 17 nëntor 2005).
III.
Evidentimi i akteve e ngjarjeve historike të lartpërmendura, të miratuara e të ndërmarra gjatë viteve 90 e që shprehin vullnetin politik të popullit të Kosovës për Kosovën shtet demokratik shqiptar, evidentimi i rezolutave të Kuvendit të Kosovës për rikonfirmimin e vullnetit të shprehur nëpërmjet këtyre akteve, si dhe potencimi i vendimeve politike të ndërmarra pas negociatava për statusin final të Kosovës si, miratimi i Propozimit të Ahtisarit dhe të gjitha vendimeve kushtetuese e ligjore mbi bazën e tij, janë bërë me qëllim të evidentimit të mospajtimeve që kanë këto akte/vendime në raport me çështjen e identitetit kosovar në përgjithësi dhe identitetit kombëtar të Kosovës në veçanti.
Megjithatë, shqyrtimet e mëposhtme teorike do të tregojnë se kur dhe si krijohen kombet, si klasifikohen ato, a realizohet çështja kombëtare nëpërmjet dy e më shumë shteteve etj.
Pastaj mbi këtë bazë do të kuptojmë nëse thënia sui generis për shtetin e Kosovës ka ose jo gjasa të shfrytëzohet dhe adaptohet edhe në kontekst me identitetin kombëtar të Kosovës, në kuptimin që po formohet ose jo kombi siu generis kosovar.
Teoria e kombeve njeh dy tipe të kombeve të formuara në hartën politike të botës, kombet e tipit politik-qytetar dhe kombet e tipit etnik-kulturor.
Historikisht dhe tradicionalisht tipi i kombit politik shfaqet aty ku shteti është formuar para kombit (rasti francez), ndërsa tipi i kombit etnik-kulturor shfaqet atu ku kombi është etabluar ose afirmuar para shtetit (rasti gjerman).
Në Francë shteti shfaqet para kombit: Shteti modern në fund të mesjetës, diku ndoshta nga shekulli XIV kur mbreti Filip lë Bel (Philippe-le-Bel) krijoi format e para të administrimit mbretëror jo direkt të lidhura me strukturat feudale.
Kurse kombi paraqitet katër shekuj më pas me revolucionin, kur edhe ju hoq pushteti mbretit dhe iu kthye tërësisë së atyre që ishin deri atëherë regnicoles, banorë të mbretërisë, të nënshtruar të mbretit dhe të cilët pastaj u bënë qytetarë duke formuar kombin sovran. Kombi atëherë modelohet mbi kufijtë e shtetit të paraprirë, çdo qytetar i shtetit është ipso facto pjestar i kombit (Paule Garde 2007:20).
Në rastin e krijimit të kombit gjerman (ose shembullit të kombit etnik) kemi të bëjmë me një tjetër realitet dhe histori.
Në Gjermani Fihte (Fichte) më 1808 në ligjërimin e tij kombit gjerman, i bën apel kombit atëherë kur shteti gjerman nuk ekzistonte.
Kombi për të pra është themeluar mbi një komunitet gjuhe dhe kulture, teori e cila ishte përpunuar njëzjet vjet më parë nga Herderi.
Pas tij jemi munduar sa mirë aq edhe keq të përkojmë kufijtë e shtetit me ata që mendojmë se janë kufij të kombit.
Ky projekt është përhapur më 1870, mirëpo pjesërisht sepse realizimi i tij i plotë është i pamundur... Mospërkimi i tillë i kombit të këtij modeli me një shtet, si dhe dallimi i cili shfaqet në mes shtetësisë dhe kombësisë, janë konsekuancë e pashmangshme e modelit (Paule Garde 2007:21).
Dy shembujt e ilustruar më lart, që paraqesin historinë e formimit të dy kombeve të ndryshme të Evropës, përbëjnë në fakt dy tipet e vetme të formimit të të gjitha kombeve në botë dhe deri më sot nuk gjejmë një model të tretë.
Pra, ekziston kombi i formuar para shtetit ku themelimi i shtetit konsiderohet aspiratë/synim kombëtar dhe shërben për mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave të kombit dhe ekziston shteti i formuar para kombit, ku kombi lind për qëllime politike të shtetasve për fuqizimin a reformimin e shtetit në emër të kombit.
Ndërsa teoria moderne e shtetit njeh shtetin nacional (politik a etnik) dhe shtetin multi-nacional (kur nuk ka shumicë të dallueshme nacionale dhe ekzistenca e shtetit është vullnet i këtyre nacionaliteteve) ,kur bëhet fjalë për raportin e kombit me shtetin, njeh shtetin demokratik dhe jodemokratik kur bëhet fjal për sistemin/regjimin politik, pastaj shtet federativ, unitar, fetar, etj.
Republika e Kosovës po pretendohet të quhet shtet qytetar e multietnik, kualifikime të cilat në aspektin teorik nuk përkojnë me nocionin e shtetit dhe në aspektin e identitetit kombëtar të Kosovës nuk përkojnë me të vërtetën faktike e historike.
Në rastin e Kosovës, serbët janë serbë të Kosovës (pakicë kombëtare serbe) për faktin se kombi i Kosovës janë shqiptarët (kombi shumicë mbi 95%), ndërsa nuk do të mund të quheshin eventualisht kombas kosovar sepse as shteti e as kombi(eventual) kosovar nuk është vullnet i tyre politik.
Pra, mundësia e krijimit të kombit politik kosovar bie, sepse shteti i Kosovës u krijua në territorin ku banohej nga një komb i formuar (kombi shqiptar i Kosovës), vullnet dhe program kombëtar i të cilit ishte ky shtet.
Shqiptarët nuk janë për krijimin e kombit kosovar, sepse kërkesa dhe synimi për shtetin e Kosovës ishte kërkesë e tyre, si vullnet politik që do të ruante kombësinë e tyre shqiptare (nga cënime sllav) dhe nuk do të cenonte kombësit e tjera (pakicat kombëtare dhe kombet fqinje).
Por kjo nuk pengon faktin që një komb i njëjtë të jetë shumicë në dy shtete të ndryshme dhe kështu të realizojë planin e tij të pavarësisë në dy shtete kombëtare; si rasti i Greqisë: Greqia dhe Qiproja, i rumunëve: Rumania dhe Moldavia, dhe së shpejti pa dyshim edhe i shqiparëve: Shqipëria dhe Kosova.
Ky dualizëm nuk cenon pavarësinë kombëtare e cila realizohet nën formën e dy shteteve e jo e njërit (Paul Garde 2007:24).
Në mbështetje të faktit dhe të vërtetës se Kosova është shtet shqiptar në Ballkan del edhe shkrimtari emblematik dhe simbol i kulturës moderne shqiptare Ismail Kadare, i cili në esenë e tij Identiteti evropian i shqiptarëve: Të flasësh mbrapsht dhe për gjëra që stë përkasin, siç është deklarata e fundit e diplomacisë shqiptare se në Ballkan ska vend për shtetin shqiptar të Kosovës (bëhet fjalë për deklaratën e ish-ministrit të Jashtëm shqipar Mustafaj, shën.i aut.), në qoftë se ky sështë shtet demokratik, është më keq se korrupsion. Cilit shtet a cilit popull i është dhënë ndonjëherë një alternativë e tillë: demokraci ose zhdukje nga harta? Natyrisht që Kosova duhet dhe do të jetë demokratike, por askush, në emër të standardeve të demokracisë, nuk mund të vërë në dyshim vendin sovran të Kosovës në hartën e Ballkanit (Kadare 2006:57).
Të qenit shtet i kombit shqiptar Kosovës nuk i ka penguar të jetë edhe shtet demokratik dhe mbrojtës i të drejtave të pakicave kombëtare, gjë të cilën Kosova e ka dëshmuar në të gjitha aktet e veta historike kombëtare, prandaj është e padrejtë që Propozimi i Ahtisaarit nuk e njeh kombin shqiptar si titullar të shtetit e as popullin shqiptar si popull shtet formues (Hoxhaj 2008:334). Në këtë frymë është edhe Kushtetuta e re e Kosovës.
Megjithatë, sa i përket çështjes së identitetit shtetëror të Kosovës, ai ka të bëjë sot vetëm me faktin se Kosova tashmë është shtet i pavarur dhe i njohur ndëkombtarisht, shtet i themeluar si mekanizëm shërbyes, mbrojtës e prosperues për kombin që ka aspiruar ta krijojë këtë shtet, me të njëjtat funksione edhe për kombet e tjera pakicë të Kosovës.
Tendenca për ta identifikuar Kosovën vetëm me identitetin shtetëror (Kosova pretendohet të quhet shtet qytetar) në disfavor të identitetit të saj kombëtar është e kot, sepse shteti dhe kombi nuk janë identitete të ndërkëmbyeshme dhe zëvendësuese për njëri-tjetrin.
I pari (identiteti kombëtar) ka karakter identifikues dhe dallues nga kombet e tjera, ndërsa i dyti (identiteti shtetëror) ka karakter evidentues të sovranitetit politik të identitetit të parë (kombit) në arenën politike ndërkombëtare (inter-national), me strehë kryesore Organizatën e Kombeve të Bashkuara (United Nations).
Asgjë nuk është më ndërkombëtare se sa formimi i identiteteve kombëtare (Anne-Marie Thiesse 2004:9)
Përfundimisht, duhet kuptuar që identiteti i Kosovës në kompleksitetin e vet i ka qartë të vijëzuara: identitetin kombëtar të shprehuar nga kombi shqiptar (si dhe pakicat kombëtare), identitetin shtetëror të shprehur me pavarësinë politike dhe sovranitetin e saj, bashkë me rregullimin e brendshëm demokratik, si dhe idenitetin evropian të shprehur nga vullneti dhe synimi i popullit dhe shtetit të Kosovës për të qenë anëtar i Unionit Evropian dhe kultivues i vlerave evropiane demokratike, politike e shoqërore.
(Autori është student i Shkencave Politike të UP-së)/Donik Sallova