Heroi kombėtar nga kėndvėshtrimi i njė gjenerali tė Ushtrisė sė Kuqe. Jani Lufi, i mbetur pėrgjithnjė nė ish- Bashkimin Sovjetik pas prishjes sė Miqėsisė sė madhe, boton nė gjuhėn ruse njė manual pėr artin luftarak tė strategut
Skanderbeg i shkruar nga Jani Lufi botohet në gjuhën ruse, nga shtëpia botuese Sovjetskaja Kuban me qendër në qytetin e Krasnodarit, ku banon autori, shqiptar në rrënjë.
Në 110 faqe lexuesit të gjuhës ruse i vjen një libër krejt i veçantë i serisë së pasur mes dhjetëra dhe qindra titujve që janë shkruar në 500 vjet, në gjuhë të ndryshme të botës, për Atletin e Krishtit. Sepse nisur nga këndvështrimi i Lufit figura historike e botës arbërore dhe më gjerë, Gjergj Kastrioti, ia vlen të shihet se çvend nderi i takon në historinë mesjetare të zhvillimit të artit të luftës.
Skanderbeg ndahet në 6 kapituj. Jepet si fillim një përshkrim historik mbi Shqipërinë dhe luftërat kundër pushtimit otoman dhe mbyllet me epokën e pas vdekjes së Skënderbeut. Pjesën kryesore e zënë betejat e Kastriotit të cilat autori i analizon si ekspert ushtarak në shtabet e një ushtrie nga më me eksperiencë në luftërat moderne, si Ushtria e Kuqe. Përvojat e luftërave të Skënderbeut janë studiuar dhe në momente të caktuara janë adaptuar në luftën krijuese të kohëve të sotme. Mjafton që të sillet ndërmend beteja për mbrojtjen e Leningradit gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe të kujtohet Kruja e rrethuar nga 100.000 trupa turke të komanduara nga sulltan Mehmeti. Kështjella e Krujës në këtë përleshje mbrohej vetëm me 1500 ushtarë trima shqiptarë nën komandën e gjeneral Gjergj Kastriotit dhe legjendarit Vrana Konti, betejë që autori e sjell si shembull i artit të luftës.
Disa nga betejat dhe ngjarjet historike janë ilustruar me foto nga filmi Skënderbeu një prodhim i përbashkët kinematografik shqiptaro-sovjetik i viteve 50 të shekullit të kaluar. Po ashtu janë përfshirë ilustrimet e monumenteve të ngritura për nder të Heroit Kombëtar në qytetet e vendit.
Po kush është autori i këtij libri specifik në studimin e bëmave të Skënderbeut? Jani Lufi u lind në Gjirokastër dhe adoleshent ka marrë pjesë në luftën çlirimtare të vendit në radhët e batalionit Thanas Ziko. Pas çlirimit regjistrohet në shkollën ushtarake Skënderbej dhe më pas u përzgjodh për të vazhduar studimet e larta në Akademinë Ushtarake Sovjetike Frunze. Në Shqipëri u shqua si komandant batalioni i aftë. Arriti të bëhej Kampion Kombëtar në qitje. Mori pjesë në lojëra të Ushtrive Mike në Lajpcig. Ka shërbyer si drejtues i truprojës qeveritare të nderit.
Gjatë kohës së studimeve në Bashkimin Sovjetik, u sëmur rëndë dhe u shtrua në sanatoriumin e Truskavecit. Ishte periudha e krizës dhe përplasjeve të mëdha ideologjike mes krerëve partiakë e shtetërorë të të dy vendeve që sollën më pas armiqësinë. Periudha e kurimit në spital i përkoi Lufit me kohën e lejeve e të pushimeve për studentet shqiptarë që studionin në BS. Në vjeshtë ai pa se shokët e tij nuk po ktheheshin nga Shqipëria. Në Ambasadën Shqiptare ku dikur e kishin këshilluar që po ta lejonin rusët, të shikonte studimet, i thanë: Mos u duk më këtu. Qe këshilla përfundimtare të cilën studenti ushtarak i akademisë Frunze e ndoqi me zell pasi në Shqipëri prindët nuk i jetonin më dhe nuk kishte të afërt që mund tia persekutonin për faj të tij. Madje as shtëpi nuk kishte. Dhe duke menduar se një ditë marrëdhëniet do të rivendoseshin, vendosi që të përfundojë studimet ushtarake. Më pas, kurba e karrierës ushtarake e Jani Lufit njeh vetëm ngjitje. Gradohet Gjeneral, fiton reputacion dhe krijon lidhje miqësore me figura të rëndësishme të Ushtrisë së Kuqe ku ai drejtoi dhe formacione të ndryshme luftarake. Në kujtimet e veta të përmbledhura në librin Nga partizan shqiptar deri në gradën e gjeneralit sovjetik, Jani Lufi tregon dhe rastin e vartësit të tij, Boris Gromovit, që arriti të gradohet Gjeneral Kolonel dhe më pas Zv. Ministër i Brendshëm i BS. dhe zv/ministër i Mbrojtjes së Republikës së Rusisë deri sa populli e votoi edhe si Guvernator i Qarkut të Moskës. Sot autori i librit më të ri të botuar për Skënderbeun, Jani Lufi, jeton në qytetin e Krasnodarit me gruan e tij ruse me të cilën ka dy djem, Andrean dhe Kostandinin.