E hėnė, 13.10.2008
RSS RSS Arkiva Marketing Kontakt
Ballina
Opinione
Ekonomi
Kulturė
Sport
Dosier
Spektėr
Foto Arkiva
Video Arkiva
TV Panorama



























Ballina > Opinione > Mbi traktatin rus tė sigurisė europiane
Mbi traktatin rus tė sigurisė europiane
Mbi traktatin rus tė sigurisė europiane
“Konceptin e Politikės sė Jashtme tė Federatės sė Rusisė” si dokument programatik tė politikės sė jashtme tė presidencės sė tij, dokument tė cilin ai e kishte firmosur njė ditė mė parė.

Duke ia lënë një kohe tjetër analizën e objektivave, formave dhe koncepteve të politikës së jashtme të presidentit të ri rus, është me interes të ndalemi në një nga propozimet kryesore, që Medvedev bëri në fjalimin e tij para ambasadorëve, propozim i cili ndihmon shumë në të kuptuarit e thelbit dhe strategjisë, ambicieve dhe mekanizmave, që do të ndjekë Rusia në arenën ndërkombëtare nën udhëheqjen e presidentit të ri.
Propozimi i ri i Rusisë është që të përfundohet një Traktat i ri i Sigurisë në Europë. Në fakt, presidenti rus e ka hedhur këtë ide për herë të parë që në udhëtimin e parë që bëri jashtë vendit si president, në Gjermani, me 5 qershor, kur foli për nevojën e një pakti të ri paneuropian të sigurisë. Por tani ideja është shndërruar në një plan të përpunuar rus, i cili në formën e propozimit zyrtar i paraqitet të gjitha shteteve të hapësirës euroatlantike. Propozimi bëhet kështu strumbullari i doktrinës së re europiane të Rusisë dhe presidenti u kërkoi ambasadorëve që të fillojnë të procedojnë në këtë drejtim, pra që diplomacia ruse të nisë ofensivën dhe përçapjet diplomatike për bindjen e shteteve europiane për të pranuar propozimin e Rusisë. Dhe këto shtete, europiane apo ballkanike, të mëdha apo të vogla qofshin, duhet të jenë të përgatitura të shohin përçapjet ruse të trokasin në dyert e zyrave më të larta të shtetit.
Shumëkujt mund t’i lindë mëdyshja se përse Rusia hedh propozimin për një Traktat të ri të Sigurisë në Europë, kur ekziston Organizata e Sigurisë dhe e Bashkëpunimit në Europë, OSBE, ku bën pjesë edhe Rusia, dhe e themeluar që më 1975 në Helsinki dhe me një statut të njohur si Karta e Helsinkit. Shumëkujt mund t’i lindë mëdyshja se përse Rusia hedh një propozim për një Traktat të ri të Sigurisë në Europë, kur Europa e ka një traktat sigurie, që quhet Traktati i Organizatës së Atlantikut Verior, NATO, ku bëjnë pjesë 27 shtete të Europës perëndimore dhe lindore. Në NATO bëjnë pjesë edhe ish- shtete anëtare të Traktatit të dikurshëm ushtarak të Varshavës, që drejtohej nga Moska, dhe ato shtete lindore pas shembjes së komunizmit e konsideruan NATO-n si aleancën më të mirë të garantimit të sigurisë, të sovranitetit dhe të ardhmes së tyre. Në NATO bëjnë pjesë dhe ish-republika të Bashkimit Sovjetik, ( të cilat e dinë mirë se ç’do të thotë siguri nga Rusia), si Lituania, Letonia dhe Estonia, dhe kanë kërkuar të hyjnë Ukraina dhe Gjeorgjia, të cilat kanë konkluduar se siguria më e madhe e shteteve dhe e popujve të tyre është anëtarësimi në NATO.

Objektivi dhe strategjia e re europiane e presidentit të ri të Rusisë dhe Traktatit të ri rus, është që të mënjanojë, të fshijë dhe të zëvendësojë, edhe OSBE-në, edhe NATO-n. Të dy këto organizata, Moska i konsideron pengesa të ambicieve të saj, dhe të përshtatshme me interesat dhe skemat e saj të sigurisë dhe ndërtimit të marrëdhënieve ndërkombëtare në Europë. Veprimtaria e saj bllokuese në gjirin e OSBE-së është e njohur, dhe Moska ka sabotuar çdo përpjekje për t’i dhënë OSBE-së rolin që i takon në bazë të kartave themeluese të Helsinkit dhe të Parisit, për demokratizimin e jetës dhe marrëdhënieve në hapësirat që mbulohen nga anëtarësia e kësaj organizate. Rusisë nuk i pëlqen që OSBE-ja si organizatë e sigurisë europiane, me 56 shtete anëtare dhe me 12 partnerë nga Mesdheu dhe Lindja e Largme, nuk ka hapësirë për një rol dominues të Rusisë dhe të politikës ruse. Moskës nuk i pëlqen, që OSBE në përputhje me mandatin e saj, të japë gjykime për qëndrimet apo zhvillimet jodemokratike, që konstatohen në shtete anëtare të saj, siç është konstatuar p.sh. një rënie e kuotës së demokracisë në Rusi në vitet e fundit të ish-presidentit dhe tani kryeministër, Vladimir Putin.

Qëndrimi anti-NATO ka karakterizuar politikën atlantike të Rusisë, e cila ka kundërshtuar publikisht dhe ka bërë presione të shumëllojta, që shtetet ish- komuniste të Europës Lindore të mos i bashkoheshin NATO-s. Kështu ka kundërshtuar për Hungarinë, Poloninë dhe pastaj për Çekinë, Sllovakinë, Letoninë, Lituaninë, Estoninë, e deri për Slloveninë, Rumaninë e Bullgarinë. Akoma më egër po del kundër anëtarësimit të Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Të gjithë këto shtete janë shtete të pavarura, sovrane, demokratike, që kanë të drejtën ta formulojnë vetë politikën e jashtme dhe të zgjedhin aleancat dhe anëtarësimet, që u përshtaten me prosperitetin dhe sigurinë e tyre. Por Rusia i jep vetes të drejtën të pengojë këto shtete të anëtarësohen në NATO.

Tani presidenti rus ofron propozimin që edhe NATO, edhe OSBE, të zëvendësohen me Traktatin rus të Sigurisë Europiane. E reja që sjell ky traktat, është se ai synon të krijojë një organizatë të re, ku Rusia të jetë një organizuese dhe drejtuese kryesore. Rusia pretendon të marrë rolin e udhëheqësit të sigurisë europiane.

Qëllimi i parë është të mënjanohen SHBA nga aleanca dhe struktura euroatlantike e sigurisë. Me shkrirjen e NATO-s, Moska mendon se roli, prania dhe influenca e SHBA do të shkojnë drejt minimizimit dhe Rusia do të zërë vendin e tyre në Europë.

Qëllimi i dytë është që të mos lejohet Bashkimi Europian të bëhet fuqia kryesore europiane dhe një fuqi e madhe botërore. Duke qenë se BE po zgjerohet dhe është bërë një fuqi ekonomike kolosale, e cila në arenën ndërkombëtare ka zërin dhe vendin e vet të fuqishëm, Rusia kërkon t’i heqë Bashkimit Europian dy mbështetje të forta të arkitekturës së saj të sigurisë dhe të demokracisë, që janë NATO dhe OSBE. Në vend të tyre, Traktati rus i Sigurisë Europiane ofron ombrellën e Rusisë, e cila do ta shfrytëzonte këtë traktat të ri për të minimizuar rolin e BE-së si një nga qendrat e fuqisë botërore. Por t’i heqësh Europës NATO-n dhe të lësh sigurinë e saj në dorën e Rusisë, do të mjaftonte vetëm rileximi i historisë së Europës për të marrë me mend se çfarë pasojash do të kishte për vetë Europën realizimi i planit rus.

Propozimi i presidentit Medvedev për Traktatin rus të Sigurisë Europiane kërkon të shfrytëzojë dy momente:

Momenti i parë ka të bëjë me marrëdhëniet e SHBA me BE-në, ku Rusia përpiqet të nxisë dhe të shtojë përplasjet dhe përçarjet. Jo rastësisht Medvedevi bëri një paralelizëm absurd dhe i përmendi Europës se Kosova është bërë për Europën si Iraku i Amerikës, për ta nxitur atë se do bënte mirë të kundërshtonte Amerikën tani për Kosovën, siç bënë disa shtete europiane në kohën e ndërhyrjes amerikane në Irak 5 vjet më parë, dhe kur presidenti i Rusisë Putin u përpoq t’i tërhiqte në një aleancë antiamerikane të përbashkët.
Momenti i dytë ka të bëjë me një fazë të pakonsoliduar konstitucionale, që po kalon BE-ja, e cila me veton irlandeze kundër Traktatit të Lisbonës, pësoi dështimin e dytë, pas hedhjes poshtë të Kushtetutës Europiane më 2005-ën. Në këtë fazë të pastabilizuar institucionale të BE-së, Moska po kërkon të luajë me shtete të veçanta kundër shteteve të veçanta europiane. Ajo po ndjek një politikë selektive diversioni, si në fushën energjetike, ashtu dhe në fushën politike, ndaj vendeve anëtare të BE-së, duke bërë presione ose favore ndaj tyre, me qëllim që t’i largojë nga kohezioni institucional dhe politik i BE-së, aq i nevojshëm për një fuqi globale.

Propozimi rus për një traktat të ri të Sigurisë Europiane është një sfidë jo vetëm ndaj SHBA, jo vetëm ndaj BE-së, por edhe ndaj gjithë atyre shteteve, që aspirojnë dhe kanë shpallur se duan të bëhen anëtare të NATO-s dhe të BE-së. Rusia nuk e përfill dhe nuk e merr në konsideratë këtë aspiratë shtetërore dhe zyrtare të popujve dhe shteteve aspirante. Një situatë e tillë tendencash të rrezikshme në skenën ndërkombëtare dikton mbajtjen e një qëndrimi të drejtë të të gjitha shteteve të hapësirës euroatlantike, që nga Skandinavia e deri në Ballkan. Moska u detyrua të pranojë pritjen e akullt, që hasi dhe do të hasë propozimi i Medvedevit tek disa prej shteteve më të rëndësishëm euroatlantikë, kur vetë ministri i jashtëm rus, Lavrov u tha ambasadorëve se “reagimi i parë që ne kemi marrë, ka qenë të paktën neutral”. Propozimi rus prek dhe cenon interesat shtetërore, strategjike e kombëtare të të gjitha shteteve demokratike të hapësirës euroatlantike. Është naive të autosugjestionosh veten se meqë propozimin e bën një shtet i madh si Rusia dhe meqë ai synon kryesisht fuqitë e mëdha si SHBA dhe BE, shtetet e vegjël si këta të Ballkanit nuk kanë pse të prononcohen. Është një qëndrim vetëvrasës, i cili shkon në ndihmë të megalomanisë dhe ambicieve imperiale, që po ngrihen frikshëm në një formë apo tjetër në Kremlinin e vjetër nga presidenti i ri.

(s.g/GazetaShqiptare/Balkanweb)


Publikuar: 23.07.2008 03:17:23
Lexuar: 27 herė
Fjalėt kyēe: Traktatin, rus, sigurisė, evropiane,
  


Lajmet e fundit
Lopez dhe Anthony pėrtėrijnė martesėn Lopez dhe Anthony pėrtėrijnė martesėn
Spanja fiton, Rumania dhe Franca ndajnė pikėt Spanja fiton, Rumania dhe Franca ndajnė pikėt
Java e ferrit e Bashkimit Europian Java e ferrit e Bashkimit Europian



Lajmet te ngajshme
Njė sfidė pėr rendin botėror Njė sfidė pėr rendin botėror
Shtypi britanik pėr Osetinė dhe Kosovėn Shtypi britanik pėr Osetinė dhe Kosovėn
Sherr pa logjikė Sherr pa logjikė
Menēuri apo sanēopanēizėm?! Menēuri apo sanēopanēizėm?!
Ēfarė t’i bėjmė armikut tė brendshėm? Ēfarė t’i bėjmė armikut tė brendshėm?
Politika, gratė dhe “diskriminimi pozitiv”… Politika, gratė dhe “diskriminimi pozitiv”…
Rusi-Gjeorgji, dy popuj ne Rusi-Gjeorgji, dy popuj ne "loje luftash"
Qeveria disiplinon Universitetin e Prishtinės Qeveria disiplinon Universitetin e Prishtinės
Siguria qė s’ofron dot NATO Siguria qė s’ofron dot NATO
Fundi i epokės sė naftės Fundi i epokės sė naftės
Google Yahoo MSN