Dielli, uji me kripė dhe klor, kanė kėta treshja "armike" e syve gjatė stinės sė verės, qė pėrkon me periudhėn e plazhit.
Kontakti për një kohë të gjatë dhe pa kriter me rrezet e diellit, apo ujin e detit dhe të pishinave, mund të çojë në shfaqjen e sëmundjeve të syve. Në një intervistë për "Panorama", mjekja okuliste, Anila Monka, jep disa këshilla se si mund të parandalohen këto probleme dhe të kalohet një verë pa probleme:
Doktoreshë, cilët janë "armiqtë" e syve gjatë stinës së verës?
Rrezet e forta të diellit, uji i detit dhe pishinave, për personat që frekuentojnë pishinat dhe detin, nëse nuk tregohet kujdes, mund të shndërrohen në "armiq" të syve. Kjo shpjegohet me faktin se ndriçimi i lartë, ngacmon cipat e syrit, që manifestohet me lodhje, skuqje dhe tkurrje të syrit. Ndërsa kontakti me ujin, që shpesh është i ndotur nga mikroorganizma të ndryshme, ndikon në shfaqjen e disa sëmundjeve të syve. Të tilla përmendim blefaritet apo siç njihen infeksioni i rrënjës së qerpikëve, apo dhe infeksione që prekin cipën e jashtme të syrit.
Kur duhet t'i drejtohemi mjekut?
Nëse ndjeni shqetësime si djegie, kruarje të dyve, apo shtim të sklepave duhet të drejtoheni sa më parë te mjeku okulist për të bërë trajtimin e duhur të problemeve tuaja. Nëse më parë keni shfaqur probleme me infeksionin e syve, rekomandohet që përpara se të nisni sezonin e plazhit, të konsultoheni me mjekun specialist. Kjo masë duhet marrë, për të parandaluar kronicizimin e këtyre sëmundjeve që mund të prekin syrin.
Çfarë ndërlikimesh mund të shfaqin këto sëmundje?
Në fakt këto nuk janë sëmundje që ndikojnë në shikim, pra në dëmtimin e tij dhe nëse trajtohet në kohë, në fazën fillestare, kalojnë shumë lehtë. Por nëse nuk trajtohen në kohë dhe siç duhet, mund të bëhen kronike apo si në rastin e infeksionit të cipës së jashtme, të ndodh kalimi i infeksionit në korne (xhamin e syrit), gjë që do të kërkonte një trajtim më të gjatë. Veç kësaj, infeksionet janë ngjitëse, dhe kjo do të thotë se pacienti mund të përbëjë burim infektimi dhe për personat e tjerë që ndodhen rreth tij.
Si mund të parandalohen këto probleme?
Këshilla e parë është mbajtja e syzave të diellit me filtra mbrojtës UVB dhe UVA, në mënyrë që të shmanget sa më shumë kontakti i syve me rrezet e dëmshme të diellit. Shpesh në plazh, syri thahet dhe për këtë rekomandohet përdorimi i lotit artificial, që ndihmon për të njomur dhe ushqyer cipat e syrit.
Kur shkoni në plazh apo në pishina, pasi dilni nga uji, rekomandohet të shpëlani sytë me ujë të pijshëm. Veç këtyre është mjaft e rëndësishme respektimi i një higjiene maksimale personale, sepse shpesh këto janë sëmundje ngjitëse, që transmetohen lehtë. Sigurisht që një këshillë mjaft e vlefshme është dhe mbajtja e kontakteve me mjekun specialist, me shfaqjen e shqetësimeve të para.