E diel, 23.11.2008
RSS RSS Arkiva Marketing Kontakt
Ballina
Opinione
Ekonomi
Kulturė
Sport
Dosier
Spektėr
Foto Arkiva
Video Arkiva
TV Panorama



























Ballina > Janko Hunyadi, kthim tek Moti i Madh
Janko Hunyadi, kthim tek Moti i Madh
Janko Hunyadi, kthim tek Moti i Madh
Biblioteka Kombėtare dhe Ambasada e Rumanisė nė Tiranė pėruruan dje nė mbrėmje monografinė nė gjuhėn shqipe “Janko Hunyadi – Mbrojtės i Krishterimit” i akademikut rumun Camil Mureşanu.

Janku i Hunedoarës (1387-1456), i biri i Voikut, ishte udhëheqës i rumunëve të provincave Amlash, Fëgërash dhe Haceg. Ai ishte udhëheqës i Severinit 1438, Vojvod i Transilvanisë në periudhën 1446-1452. Ky komandant i madh ushtarak ishte gjithashtu i ati i mbretit Matia Corvin.

“Dhe e humbur, lufta e tij, si dhe qëndresa e udhëhequr nga Skënderbeu, kontribuan në ngadalësimin e përparimit osman drejt perëndimit dhe veriut të Gadishullit Ballkanik. Si rrjedhojë shqiptarët, rumunët dhe popujt e tjerë të Europës Qendrore dhe Juglindore e shkruan emrin e tyre në Mesjetë në radhën e atyre që mbrojtën dhe shpëtuan vlerat europiane”, shkruan Camil Mureşanu i cili, 82 vjeçar sot, u përfaqësua dje në Tiranë nga Mureşanu Jr.

Libri që promovojmë sot u kushtohet jetës dhe luftës së një heroi i cili ne, shqiptarët, na kthen në atë që tanimë quhet “Moti i Madh”: në epokën e qëndresës dhe të luftërave antiosmane të shqiptarëve të udhëhequr nga Gjergj Kastrioti - Skënderbeu. Prandaj për ne, pikësëpari, Janko Hunyadi – i quajtur në burimet latine Johannes Huniadi, në ato greko-bizantine Joan Honiates, në ato hungareze Janosh Hunyadi, në ato rumune Jancu de Hunedoara, në kronikat turke “i mallkuari Janko” etj. – është heroi të cilit ia përshkruajnë bëmat Barleti (Barletius), Frangu (Franco), Bardhi (Blancus) dhe jetëshkruesit e tjerë të hershëm të Skënderbeut. Në vitrinat këtu përanash keni disa nga botimet antikuare të këtyre jetëshkruesve: Barletin që shkruan, në botimin princeps: “... me ta ishte Hunyadi i përmendur, i quajtur zakonisht Janko [Iancus vulgo dictus], luftëtar me nam të madh, aq sa edhe vetëm nga emri i tij, siç kemi dëgjuar, turqit janë thyer shpesh” (fl. VIIr); ose Frangun që kujton anekdotën në qarkullim asokohe për Hunyadin: “Aq famë të madhe kishte fituar Vojvoda si komandant i shkëlqyer, sa ndër turqit ishte bërë proverb që, kur nënat donin t’u shtinin frikën fëmijëve që të hiqnin dorë nga ndonjë prapësi, u thoshin vetëm: rri urtë se erdhi Vojvoda!” (fl. 9v) .

Nuk është vendi të zgjatem e të flas për Hunyadin, as për marrëdhëniet e tij me Skënderbeun tonë: për këto flet libri që po promovojmë dhe për librin do të thotë disa fjalë specialisti i epokës skënderbegiane, profesori mik yni z. Kasëm Biçoku. As do të zgjatem për kontributin historiografik të autorit të librit, akademikut Camil Mureşanu: këtë kontribut, si dhe profilin e akademikut tanimë 82-vjeçar, shpresoj që do të na e përshkruajë z. Mureşanu Jr., i cili e ka nderuar ketë ceremoni promovimi me praninë e tij. Më lejoni të kujtoj vetëm se marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit me Janko Hynyadin janë, pa pikë dyshimi, më të gjera e më të ndërlikuara nga sa do t’i gjeni në këtë monografi. Për t’i kthjelluar ato do të duhej nisur nga referimet madhore, fjala vjen, të një autori si Fr. Pall, tekstet historiografike të të cilit mbeten për t’u botuar dhe/ose ribotuar.

Për kërshëri të auditorit do të doja të kujtoja se tanimë mbahet e sigurt prania e arbërve/ shqiptarëve në ushtrinë e Hunyadit. Në një letër të tij të njohur, të datës 8 nëntor 1443 drejtuar kontit Ujlaki, në të cilën komandant Hunyadi raporton jo vetëm fitoren e Nishit, por me gjasë edhe një betejë vijuese në të njëjtin rajon, ai pohon shtjellimisht që në kampin e tij kishin ardhur e qenë bashkuar edhe shumë luftëtarë prej “popullsive vendase”: “Ushtria jonë është në gjendje të mirë, ajo pret me padurim luftimin dhe rritet dita më ditë, e zmadhuar prej bullgarësh, boshnjakësh, arbërish dhe serbësh që vijnë të na takojnë me dhurata dhe gëzojnë sa më s’bëhet për ardhjen tonë”. Letra është botuar, mes disa përmbledhjesh të tjetra, në Dokumentet e Hurmuzakit (vëll. II, pj. 1, fq. 687-688).

Duke qenë botimi në shqip i kësaj monografie, së toku me monografinë befasuese të znj. Lucia Nadin Shqiptarët në Venedik - Mërgim dhe integrim 1479-1552, dy botimet e para të kolanës “Intelligenda” që kam marrë përsipër të drejtoj, mund t’ju pohoj se ka qenë për mua kënaqësi e posaçme fillimi me dy tituj si këta. Krejt së afërmi këta tituj do të ndiqen nga të tjerë tituj, përkatësisht monografi dhe autorë, me interes të drejtpërdrejtë për historinë tonë dhe të rajonit në të cilin jetojmë, si Marin Barleti një shkrimtar humanist nga Fr. Pall, Historia e serbëve nga K. Jireček, Zenta dhe dinastia e Balshëve nga G. Gelchic, Kisha dhe sulltanët nga A. Gedeon, Shqipëria mes Venedikut dhe Bizantit nga A. Ducellier, Ngritja e Greqisë moderne nga D. A Zakythinos, Udhëpërshkrimet e Evlija Çelebiut në një përkthim të ri, Kronika e Moresë në një botim divulgativ, Himara dhe papët e Romës nga N. Borgia etj.

Rajoni në të cilin jetojmë – i ashtuquajturi Ballkan – kalon sot një krizë solidariteti: këtë nuk kemi si e mohojmë. Neve na takon të shpresojmë që edhe botime si këto të japin bashkëndihmën e tyre në lënien mbrapa të kësaj krize.

Është rasti në këtë ceremoni të falenderoj: drejtorin e botimeve “55”, mikun Fahri Balliu, që ka pasur besimin të më ofrojë drejtimin e kësaj kolane, si dhe të gjithë ata që tanimë po bashkëpunojnë për realizimin e saj; për mundësimin e përkthimit të monografisë Janko Hunyadi Mbrojtës i Kishterimit një falënderim për mbështetjen i takon Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rumanisë, nëpërmes kujdesit vetjak të ambasadori Gjeorgje Micu, i cili tanimë prej kohësh – në gjuhën shqipe – e ka merituar mbiemrin që ka; falenderime gjithashtu përkthyesit të kësaj monografie, kolegut Virgjil Muçi, për përkushtimin në dhënien në shqipe të një teksti jo të lehtë të historiografisë së Mesjetës së vonë ballkanike; dhe, për të mos harruar personazhin kryesor, z. Mureşanu Jr. i lutem t’i transmetojë falenderimet autorit, akademikut Camil Mureşanu, që pati mirësinë dhe besimin që na cedonte të drejtën e përkthimit dhe të botimit në shqipe të kësaj vepre të tij në këtë kolanë.


Publikuar: 24.07.2008 04:18:23
Lexuar: 47 herė
Fjalėt kyēe: Janko, Hunyadi, kthim, Moti,
  


Lajmet e fundit
Kriza ekonomike, barrė mbi emigrantėt dhe familjet e tyre Kriza ekonomike, barrė mbi emigrantėt dhe familjet e tyre
Pėrse na duhet simboli Skėnderbe? Pėrse na duhet simboli Skėnderbe?
Ingrid Gjoni kapet mat me Olsin e Big Brother Ingrid Gjoni kapet mat me Olsin e Big Brother



Lajmet te ngajshme
Pengu i Gjikės si pengu i Viskontit? Pengu i Gjikės si pengu i Viskontit?
Libri shqip pėr herė tė parė nė Teheran Libri shqip pėr herė tė parė nė Teheran
Figaro i rrotullon tė gjitha Figaro i rrotullon tė gjitha
Bardha e Pashės nė vitet dymijė Bardha e Pashės nė vitet dymijė
Pėrfundon xhirimi i filmit pėr sulmin e Gjeorgjisė nė Oseti Pėrfundon xhirimi i filmit pėr sulmin e Gjeorgjisė nė Oseti
Njė far antik pėr Durrėsin Njė far antik pėr Durrėsin
Ėshtė gjallė Liza Vorfi Ėshtė gjallė Liza Vorfi
"Koha e kometės" premierė nė Kosovė
Zbulohen artefakte tė reja arkeologjike Zbulohen artefakte tė reja arkeologjike
Pėrtej kufijve me celuloid Pėrtej kufijve me celuloid
Google Yahoo MSN