Kohėve tė fundit nė mjetet e informimit nė Kosovė po vėrehet njė trend i ri, i cili po supozoj se ėshtė 'huazuar' nga disa mediume tė Shqipėrisė dhe Maqedonisė. Kėshtu e formulova fjalinė hyrėse tė kėtij reagimi duke provuar tė mos paragjykoj nė jo-profesionalizėm medial kosovar.
Dhe e tëra si rezultat i tentimit të disa gazetarëve e redaktorëve të dalim me "lajme bombastike", duke aluduar në fajësinë e personave të cilët posa janë arrestuar nga policia duke mos i lënë kohë të njejtës të dal me prononcime lidhur me arrestimet ose prokurorisë të nis me hetimet.
Për disa mjete të informimit, personi i arrestuar nga policia automatikisht është i fajshëm, pa marrë parasysh se ende nuk është zhvilluar ndonjë procedurë gjyqësore dhe më e keqja e kësaj është se personi i arrestuar bëhet kryelajm i gazetës, duke i'a shkatërruar dinjitetin i cili i mbrohet me nenin 23 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës "Dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut". Më besoni se nuk e kam fjalën vetëm për rastin e fundit të z. Agron Qehaja, i arrestuar nga policia nën dyshimin se ka kërkuar mito në emër të familjes më të respektuar në Kosovë, familjes Jashari.
Sir Hersch Lauterpacht, ish-gjykatës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe ish-anëtar i Komisionit të Drejtës Ndërkombëtare të OKB-së flet për epërsinë e të drejtës ndërkombëtare ndaj asaj të brendshme, duke e arsyetuar këtë me faktin se është mënyra më e mirë e mbrojtjes të të drejtave e të lirive të njeriut ose siç e quante ai 'garant i lirisë individuale' e cila shumë herë nuk mund të sigurohet nga shteti. Kësaj teorie moniste-pozitivise mbi epërsinë e të drejtës ndërkombëtare ndaj të drejtës së brendshme i janë bashkuar edhe hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila në neni 22, në pjesën "Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare" thotë se "të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare në vijim, garantohen me këtë Kushtetutë, zbatohen drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës dhe kanë prioritet, në rast konflikti, ndaj dispozitave e ligjeve dhe akteve të tjera të institucioneve publike".
'Parimin i prezumimit të pafajsisë' rregullohet me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në disa shtete edhe me Kushtetutat kombëtare) e cila, duke u thirrur ne nenin 22 të Kushtetutës së Kosovës është pjesë integrale e legjislacionit kosovar. Artikulli 6, pika 2 e Konventës së lartcekur thotë se "çdokush i akuzuar për kryerje të veprës penale supozohet se është i pafajshëm derisa të provohet fajësia sipas ligjit" dhe arikulli 8, pika 1 thotë se "çdokush e ka të drejtën për t'iu respektuar jeta private dhe familjare, shtëpia e tij dhe korrespodencat". Tërë këto garanca të dala nga Konventa po shkelen pas arrestimeve të personave të dyshuar për kryerje të veprave penale, kur media merr rolin e gjykatave duke i shpallur të dyshimtit fajtor ndërsa organizatat për mbrojtjen e të drejtave e të lirive të njeriut nuk reagojnë. Kush do të mbahet përgjegjës në rastet kur këta të dyshuar lirohen ose edhe kur gjykata i shpall të pafajshëm. A kërkon ndokush falje publike? A i mundësohet këtyre personave të shfrytësojnë mjetet efektive juridike siç parashihet në artikullin 13 të Konventës?
Çështja do të përkeqësohej edhe më shumë kur personi i dëmtuar (në rastin tonë i dyshimti i liruar nga policia ose i shpallur i pafajshëm nga gjykata) do të padisë mjetet e informimit publik për cënim të dinjitetit personal dhe mos-respektim të jetës private e familjare ndërsa gjykata nuk do ta mbante askënd përgjegjës. Në një situatë të tillë, i/e dëmtuari/a në pamundësi t'i drejtohet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strazburg (për shkak se Kosova ende nuk është anëtare e Këshillit të Evropës) do të duhej ti shpjegonte 2 milion qytetarëve të Republikës së Kosovës se ajo çka është thënë për të ne mediumet publike nuk ka qenë e vërtet. Po e përfundoj këtë reagim duke i bërë apel publik organizatave për të drejtat e liritë e njeriut të reagojnë.
(Autori është shtetas i Kosovës, në vitin e fundit të studimeve për drejtësi pranë Fakultetit Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore në Republikën e Maqedonisë)
Ardi Shita/telegrafi