Njė vėzhgim i kryer nė zonėn e tragjedisė sė 15 Marsit, pėrreth fshatit Gėrdec nė Tiranė, vėren se afro pesė muaj pas ngjarjes sė rėndė, banorėt e zonės po vuajnė harresėn dhe mungesėn e shpresės, ndėrkohė qė ka patur syresh qė janė pasuruar nga tragjedia.
Raporti i hartuar me fonde të Fondacionit SOROS dhe Lëvizjes Mjaft! nga disa ekspertë të pavarur, vëren se banorët kanë vlerësuar pozitivisht qeverinë për ndihmën që u dha në ditët e para, por vlerësimi ka qenë shumë negativ për atë që ndodhi pas kalimit të fazës së emergjencës. Një depo ushtarake ku kryhej çmontimi i municioneve, shpërtheu më 15 Mars të këtij viti, duke vrarë 26 njerëz, ndërkohë që 300 të tjerë u plagosën dhe disa qindra shtëpi u rrafshuan. Pesë muaj pas tragjedisë, banorët nuk e dinë nëse do të vijojnë të jetojnë në fshat apo jo. Gjendja e tyre është përkeqësuar, veçanërisht për shkak se ndotja ka nxjerrë jashtë pune puset dhe banorët, tashmë janë të detyruar të pinë ujë të blerë. Por raporti ka zbuluar detaje tragjike nga mënyra e menaxhimit të krizës nga ana e qeverisë. Një pjesë e të dëmtuarve, kanë dalë dukshëm më të pasur nga procesi i vlerësimit të dëmeve, ndërsa pjesa tjetër, nuk kanë marrë paratë as për gjysmën e dëmeve që kanë pësuar.
Pa të ardhme
Të intervistuar nga ekspertët, banorët e zonës së tragjedisë thonë se janë në gjendje shumë të vështirë ekonomike. Ata nuk kanë tokë për të punuar, për shkak se sipërfaqe të mëdha toke bujqësore janë bërë djerrë nga shpërthimi, nuk kanë bagëti dhe nuk kanë mundësi punësimi.
Ata kanë filluar të ndjejnë mungesën e sendeve dhe mallrave specifike, por të domosdoshme siç janë solucionet larëse të teshave, të enëve të kuzhinës, të higjienës personale. Njëkohësisht, ka prej tyre që kanë probleme për veshmbathjen e fëmijëve. Ndërkohë, shumë prej tyre ndjejnë mungesën e të hollave në xhepa, gjë që i kufizon edhe në pirjen e një kafeje,- thuhet në raport. Shumë banorë shfaqin trauma nga tragjedia, por deri më sot, për to nuk është ofruar ky lloj shërbimi mjekësor. Gërdeci dhe zonat përreth, kanë probleme për furnizimin me ujë dhe energji. Dalja jashtë përdorimit e puseve i detyron banorët që vazhdojnë të banojnë atje të përdorin ujë të blerë, duke e rritur ndjeshëm koston e tyre të jetesës, që tashmë edhe pa këtë shpenzim, është në gjendje të mjeruar, - thuhet në raport.
Shtëpitë e vlerësuara sipas qejfit
Raporti nxjerr në pah faktin se grupet e vlerësimit të dëmeve të qeverisë, nuk kanë përdorur asnjë lloj metodologjie në vlerësimin e shtëpive të shembura dhe të dëmtuara, duke bërë që i gjithë procesi të kthehej në një hamendësim që krijoi padrejtësi të mëdha për të dëmtuarit. Grupi i ekspertëve të pavarur krijoi një metodologji për vlerësim të njëjësuar të dëmeve, bazuar mbi koston zyrtare të ndërtimit të Entit Kombëtar të Banesave. Sipas kësaj metodologjie, shtëpitë e të varfërve, ato me sipërfaqe të vogla, janë vlerësuar shumë më pak sesa shtëpitë e të pasurve, me sipërfaqe të mëdha. Shuma totale e dëmeve, e vlerësuar në mënyrë të njëanshme nga ekspertët e qeverisë dhe ato të pavarur të komisionuar nga Fondacioni SOROS dhe Mjaft!, nuk ka diferencë të madhe. Por ndarja e parave të dëmeve ka sjellë padrejtësi të mëdha. Disa nga familjet kanë marrë dëmshpërblim për më pak se gjysmën e vlerës së shtëpisë, ndërsa disa të tjerë kanë marrë deri në dyfishin e vlerës. Kur sheh shpërndarjen e saj, pa vështirësi konkludohet se kjo vlerë është shpërndarë jo në mënyrë proporcionale dhe objektive,- thotë raporti i ekspertëve të SOROS-it.
Një pjese të banorëve, u është mohuar dëmshpërblimi për 19 milionë lekë dëme reale, ndërsa një pjese tjetër, u është dhënë në mënyrë të padrejtë një shumë prej 26 milionë lekësh,- vijojnë ato.
Pas tragjedisë së Gërdecit, qeveria krijoi grupe të vlerësimit të dëmeve. Banorët e dëmtuar deklaruan në atë kohë se disa nga vlerësuesit kishin filluar të bënin menjëherë pazar me qëllim përfitimi personal, duke premtuar vlerësime dëmesh të fryra, në këmbim të një pagese nën dorë. Disa prej vlerësuesve u vunë në ndjekje penale. Por të dhënat e raportit tregojnë se një e katërta e fondeve është keqpërdorur në përfitim të shumë pak banorëve. Posaçërisht për disa objekte, vlera e kompensimit është dukshëm më e lartë se vlera reale e tyre, - shkruhet në raport.