Jeton Neziraj, dramaturg, aktualisht ėshtė Drejtor Artistik i Teatrit Kombėtar tė Kosovės. Pėr pak kohė ėshtė ngarkuar tė bėjė edhe Drejtorin e Pėrgjithshėm. Neziraj njė nga tė rinjtė e shkahėt dhe energjikė, ka njė kontribut tė rėndėsishėm nė krijimin e njė bėrthame teatrore me vullnetarizėm fillimisht dhe sot me profesionalizėm.
Politikat e përvojave dhe të modeleve të mbledhura brenda dhe jashtë Kosovës, Neziraj po përpiqet ti aplikojë në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, me një traditë të ngritur në afro 50 vjet (u themelua më 1946 në Prizren) në mes të sfidave, censurës, gjendjes së luftës dhe mbijetesës.
Nga se vuan Teatri Kombëtar i Kosovës sot, çfarë duhet bërë për të ardhmen e tij, dhe çfarë rezulton nga krahasimi i linjave teatrore Tiranë-Prishtinë, parë në raportet me politikat mbështetëse të qeverive apo me pritjet e publikut?
Urojmë që bashkëkohësit në Kosovë të vjelin frutet e veprave që do të lindin nga ky entusiazëm i drejtorit Neziraj.
Si është gjendja aktuale në Teatrin Kombëtar të Kosovës?
Gjendjen aktuale do ta kisha definuar si stabël. TKK ka pasur një periudhë krize të thellë në administrim dhe në politikat e repertorit, krizë kjo që akoma është duke u reflektuar në punën tonë. Megjithatë, ekziston një klimë pozitive dhe një përpjekje për ta kaluar këtë krizë dhe që TKK të reformohet si një teatër bashkëkohor. Përpjekjet vijnë nga administrimi aktual i teatrit po edhe nga Ministria e Kulturës e Kosovës, e cila duket që është mjaft e interesuar të kontribuojë në këtë drejtim. Pra, në TKK ka probleme të shumta, por në të njëjtën kohë ka shpresë!
Me çfarë duhet të përballet një drejtor i ri si ju i një teatri me histori dhe traditë gati 50-vjeçare?
Së pari, sqaroj që unë jam Drejtor Artistik i TKK-së, ndërkohë që, deri në tetor po ushtroj edhe detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm. Funksioni i Drejtorit Artistik është krijimi i repertorit dhe në përgjithësi krijimi i programit artistik.
Sfidat janë të natyrave të ndryshme dhe do të tingëllonte naive nëse unë do ta kisha menduar TKK pa sfida, tash dhe në të ardhmen. Problemi kryesor sivjet ka qenë buxheti i reduktuar për teatrin. Më 2007 buxheti ka qenë rreth gjysmë milion euro, kurse sivjet 120 mijë euro. Ky buxhet, natyrisht, është jashtëzakonisht i vogël dhe nuk plotëson nevojat dhe kërkesat e një teatri të përmasave siç është TKK. Pagat e aktorëve kosovarë janë tmerrësisht të vogla (besoj më të voglat në rajon), ndërkohë që, imazhi i teatrit është i rrënuar brutalisht, veçanërisht mbas disa aferave korrupsioni, për momentin të supozuara, nga vitet e shkuara.
Paralelisht me reformimin e repertorit artistik (i cili deri tash, fatkeqësisht, ka funksionuar ad-hoc), po bëjmë përpjekje edhe për reformimin e stafit, atij teknik dhe artistik. Për momentin në TKK jemi duke bërë një trajnim intensiv për dritat dhe dizajnin e dritave në teatër. Kemi një ekspert anglez i cili po trajnon rreth 20 të rinj kosovarë, një pjesë e të cilëve punojnë nëpër teatrot e Kosovës. Gjithashtu së shpejti, TKK do të ketë Ansamblin Rezident të aktorëve. Kjo do të jetë një trupë prej 40 aktorësh të cilët do jenë staf permanent artistik.
Meqë jemi te sfidat, duhet përmendur edhe presioni që vjen nga dramaturgët që insistojnë të vënë në skenën e TKK dramat e tyre, pastaj presioni nga regjisorët të cilët duan me çdo kusht të punojnë shfaqje në TKK etj. Megjithatë, këto presione po i përballoj me sukses dhe besoj që do ti përballoj sa të jem Drejtor Artistik.
Çfarë raportesh ruan shteti i sapoformuar me teatrin e tij?
Nuk mund të them që shteti ka një relacion mirëkuptimi me teatrin. Fatkeqësisht, shteti i ri nuk ka shfaqur ndonjë interes të veçantë për teatrin. Mendoj që ky është tregim i ngjashëm në krejt rajonin. Fokusi kryesor i shtetit kosovar tani është në infrastrukturë rrugore dhe në fushat e ashtuquajtura me interes, siç janë ekonomia, siguria etj., ndërkohë që kultura radhitet në prioritetet e fundit. Në të vërtetë, kultura nuk është prioritet fare. Kjo është ana e keqe e çështjes. Ana e mirë është që, ka një disponim të përgjithshëm edhe politik që po synon depolitizimin e teatrit. Shteti si duket, më në fund, ka filluar ta kuptojë faktin që Teatri Kombëtar duhet të jetë institucion autonom dhe jo politik. Dhe mendoj që një teatër i depolitizuar i bën nderë secilës qeveri.
A kemi të bëjmë me një teatër të kapur nga kurthet burokratike dhe skemat e vjetra të administrimit si në Teatrin Kombëtar në Shqipëri?
Nuk e di se si është gjendja në Teatrin Kombëtar në Shqipëri, por nga ato që shkruajnë mediat, duket një gjendje e komplikuar. Teatri Kombëtar i Kosovës e thashë më parë, ballafaqohet me shumë probleme të natyrave të ndryshme, por nuk besoj që vuan nga probleme burokratike e skema të vjetra të administrimit. Megjithatë, kësaj pyetjeje mbase do të duhej ti përgjigjeshin njerëzit që janë jashtë TKK-së.
A është publiku në Kosovë i interesuar të shohë një teatër kombëtar të ndryshuar, të rinovuar në ide, përmbajtje dhe formë?
Teatrot në Kosovë, e besoj edhe në Shqipëri, kanë krizë të publikut. Kjo gjë është një fakt që nuk kemi se si e kamuflojmë. Dhe mendoj që kjo e dhënë është një indikator i fuqishëm se publiku është i interesuar për një teatër të ndryshuar; për një teatër që kultivon një estetikë tjetër teatrore, jashtë atyre skemave tradicionale, një teatër që i flet publikut me gjuhën e problemeve aktuale, një teatër që e ballafaqon publikun me dramat dhe traumat e kohës. Personalisht jam i interesuar të eksploroj sidomos gjeneratat e reja të dramaturgëve dhe regjisorëve sepse këtu mendoj që është potenciali për të ardhur tek ai ndryshim që e kërkon publiku.
Me iniciativat private ju keni treguar që dini të silleni ndryshe me dramën shqipe. A mendoni se qoftë në Kosove, qoftë në Shqipëri apo në Maqedoni autorët nuk kanë ide të qarta për të quajturën dramaturgji shqiptare? Cilat janë arsyet?
Mendoj që problemet rreth dramës shqipe kanë dy kahe. Pjesa e parë e problemit janë vetë dramaturgët që nuk dinë të shkruajnë drama të mira; drama të denja për tu inskenuar. Pjesa e dytë e problemit janë teatrot që nuk kanë kurrfarë politikash përmes të cilave do të mund ti stimulonin dramaturgët që të shkruajnë drama të mira. Me fjalë të tjera, ekziston një moskomunikim dhe një mosbashkëpunim total mes dramaturgëve dhe teatrove.
Megjithatë, nga përvoja ime e mëhershme, por edhe duke qenë në dijeni të përvojave të ngjajshme në botë, mund të them që një teatër shqiptar, qoftë në Kosovë, Maqedoni apo Shqipëri, që ka një vizion të qartë për dramën, e ka të lehtë të vijë te dramat e mira shqipe. Drama e mirë shqipe mund dhe duhet të kultivohet përmes formave të ndryshme; punëtorive kreative me shkrimtarë, konkurseve për dramë, angazhimit të drejtpërdrejtë të shkrimtarëve në procesin e krijimit të shfaqjes etj. Dramaturgët e talentuar lindin rrallë, por unë mendoj që ata edhe mund të krijohen! Teatri është vend ku e pamundura bëhet e mundur, apo jo?!
Çfarë politikash duhen ndjekur për të ecur me frymën e kohës?
Them që, puna më e rëndësishme e një teatri është repertori. Një repertor i qëndrueshëm, afatgjatë dhe kompakt që përpilohet mbas një shqyrtimi të thellë, është thelbësor për të ardhmen e një teatri. Paralelisht me repertorin hyjnë natyrisht edhe aktivitete të tjera shtesë që një teatër i ndërmerr gjatë një sezoni. Do të sillja me këtë rast disa shembuj që mbase drejtpërdrejtë i përgjigjen pyetjes suaj, e që kanë të bëjnë me TKK-në. Në premierën teatrore që patëm në qershor ishte i pranishëm edhe autori i dramës, spanjolli Gerard Vasques.
Para pak ditësh themeluam Çmimin Vjetor për Teatër që do tiu jepet krijuesve eminentë teatrorë (sivjet ky çmim iu dha zonjës Naxhie Deva). Hapëm konkursin për dramë Katarina Josipi 2008, në të cilin mund të konkurrojnë të gjithë krijuesit shqiptarë. Në premierën e shfaqjes Motra e katërt që do të jepet më 17 shtator, do të jetë prezent edhe autori, shkrimtari i famshëm polak Janusz Glowacki. Në nëntor, teatrin do ta vizitojë dramaturgia e famshme kanadeze, Sharon Pollock. Znj. Pollock do të drejtojë një punëtori me shkrimtarë të rinj si dhe do të shkruajë një dramë ekskluzivisht për Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Në bashkëpunim me Universitetin e Mançesterit së shpejti do të organizojmë një konferencë ndërkombëtare për teatrin. Këto dhe shembuj tjerë mendoj se japin një pasqyrë se në cilin drejtim është duke ecur TKK! Mendoj që shihet qartë tendenca jonë për një hapje dhe komunikim edhe në aspektin ndërkombëtar. Kjo hapje në këto relata mendoj që kontribuon në krijimin e një teatri që ka frymën e dramaturgjisë dhe teatrit bashkëkohor, të teatrit që ecën me kohën