Gjeorgjia ėshtė pėrplasja mė e fundit mes Rusisė dhe SHBA-sė. Zgjerimi i NATO-s drejt ish-Lindjes nuk ėshtė pritur asnjėherė mirė nga Rusia. Ajo ka shfrytėzuar njėrėn prej vatrave tė nxehta tė kėtij rajoni pėr tė demonstruar kundrapeshėn ndaj pjesės tjetėr tė globit.
Përfshirja e europianëve në zgjidhjene konfliktit tregon se Europa mund të shërbejë si një amortizator i mirë në marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe SHBA. Ka humbur apo ka fituar Rusia, nga ndërhyrja që bëri në Gjeorgji, mbetet të shihet në vijim. Por një gjë mund të thuhet saktë: Rusia ka rikthyer hijen e Luftës së Tretë Botërore për të cilën shumë njerëz besojnë se një ditë do të ndodhë, por askush nuk e di se kur do të ndodhë.
Nga ana tjetër, Gjeorgjia, nën euforinë e mbështetjes perëndimore, me ndërhyrjen ushtarake që bëri, duket se e ka humbur plotësisht Osetinë e Jugut dhe njëkohësisht edhe rajonin tjetër autonom Abkhazinë. Këto dy rajone, vetëm formalisht nën juridiksionin e Gjeorgjisë, kanë gjetur sebepin për të kërkuar shkëputje prej saj. Ndërkohë që përplasja mes Rusisë dhe SHBA-së për Kosovën vazhdon në planin institucional ndërkombëtar. Loja me Osetinë është, pos të tjerash, edhe një hakmarrje e Rusisë ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Për shqiptarët, por jo vetëm për ta, konflikti më në Lindje natyrshëm shërben për të bërë një krahasim mes Kosovës dhe pjesëve të tjera të botës, Osetisë së Jugut, në rastin konkret. Udhëheqësit politikë shqiptarë, herë prej padijes, e herë prej dëshirës, kanë deklaruar se rastet në fjalë nuk kanë ngjashmëri, por nuk kanë dhënë asnjë argument, apo fakt, për ta bërë të vërtetë këtë realitet.
Rastet në fjalë, pra Kosova dhe Osetia e Jugut, kanë shumë ngjashmëri në raportet që kanë pasur me shtetet të cilat i kanë aneksuar, por rrethanat që i kanë sjellë këto raporte janë krejt të ndryshme. Osetia e Jugut, de facto, funksionon e pavarur nga Gjerogjia pas konfliktit mes tyre në vitin 1990. Pavarësia e Osetisë së Jugut, e deklaruar më 28 nëntor 1991, nuk u njoh nga institucionet ndërkombëtare si OKB, BE, OSCE, KE, NATO. E njëjta gjë ka ndodhur në Kosovë pas vitit 1990, por ajo nuk ka funksionuar si e pavarur, për arsye të regjimit të dhunshëm serb.
Më 2004, pas ardhjes në pushtet, në Gjeorgji, të presidentit Saakashvili, një politikan pro perëndimor ky, në Osetinë e Jugut u rikthyen sërish problemet. Në nëntor 2006, ky rajonmbajti referendumin e dytë për pavarësi, por përsëri nuk u njoh nga BE. Momentalisht kemi një konflikt ushtarak mes forcave qeveritare gjeorgjiane dhe forcave separatiste osete dhe ndërhyrjen e menjëhershme të Rusisë, duke larguar forcat gjeorgjiane nga rajonit oset, i cili pritet të mbetet për njëfarë kohe as mish, as peshk.
Në Kosovë patëm një konflikt ndërmjet forcave ushtarake serbe dhe UÇK-së, një forcë kjo çlirimtare dhe ndërhyrjen e NATO-s për të parandaluar masakrat dhe spastrimin etnik të planifikuar nga shteti i dhunshëm i Millosheviçit. Dallimi thelbësor, në këtë këndvështrim, është seSerbia e Millosheviçit dhe Gjeorgjia e Saakashvilit janë dy sjellje krejt të ndryshme dhe kësisoj arsyet e kërkesës për shkëputje janë po ashtu krejt të ndryshme.
Historia e Osetisë është formalisht e njëjtë por thelbësisht e ndryshme nga ajo e Kosovës. Osetia është ndodhur vazhdimisht mes Rusisë dhe Gjeorgjisë. Siç është ndodhur Kosova mes Shqipërisë dhe Serbisë. Në vitin 1801, pra në kohët moderne (më parë pjesë e mbretërisë gjeorgjiane krijuar në vitin 1001, e në vijim nën influencën e Perandorisë Otomane) Osetia e Jugut ka qenë aneksuar nga Rusia dhe përfshirë në Perandorinë Ruse.
Gjatë Revolucionit Rus ajo u bë pjesë e Republikës Demokratike Gjeorgjiane, e cila në vitet 1918-1921 funksioni më vete, ndërkohë që veriu i Osetisë u bë pjesë e Republikës Sovjetike. Më 1921 Armata e Kuqe themeloi qeverinë sovjete gjeorgjiane dhe menjëherë krijoi pushtetin autonom të Osetisë së Jugut. Në regjimin e Bashkimit Sovjetik, nën drejtimin e ligjeve gjeorgjiane, osetët fituan një shkallë autonomie që iu lejonte përdorimin dhe mësimin në shkollë të gjuhës së tyre.
Ndryshe nga Osetia, thelbësisht ndryshe, pas shpërbërjes së Perandorisë Otomane, në vitin 1912 Kosova, ky rajon i populluar me shqiptarë, mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë, shtetit amë të sapoformuar, duke krijuar një mozaik shqiptarësh që rrethonin në të gjitha anët shtetin e tyre, por që nuk ishin pjesë e këtij shteti. Shqiptarët e Kosovës mbetën fillimisht nën mbretërinë serbo-kroato-sllovene, pa asnjë lloj statusi. Më pas, nën regjimin e ish-Jugosllavisë, shqiptarët e Kosovës fituan autonominë dhe patën institucionet e tyre, të cilat i humbën bash në kohën e fillimit të erës së ndryshimeve në Europë, në vend që të ndodhte e kundërta.
Osetia e Jugut është një rajon i vogël, shumë më i vogël se Kosova, me sipërfaqe 3900 km2, me një popullsi shumë të vogël, dyetnike, prej afro 70 mijë banorësh, ku 65% e tyre pretendojnë se janë osetë dhe 30 % gjeorgjianë. Parametrat e këtij rajoni janë të pamjaftueshme për të qenë një shtet i pavarur. Raste si i Osetisë së Jugut ka me qindra nëpër botë, dhe nëse do të mbështeteshin, mund të dilnin qindra flamuj, qindra identitete, brenda identiteteve, qindra rrënjë e fise mund të kërkonin për tu shndërruar në shtete të pavarura! Osetët nuk kanë një referencë bindëse për të treguar kombësinë e tyre, e as arsye legjitime për të krijuar një shtet të pavarur, siç e kishin shqiptarët e Kosovës.
Problemi qëndron tjetërkund. Në Gjeorgji po ndeshen interesat e dy prej superfuqive të botës. Instalimi i një regjimi ala Llukashenko, që po përpiqet të bëjë Rusia atje, do të prishte mjaft plane, duke filluar me instalimin e sistemit mbrojtës antiraketor që po kërkon të bëjë SHBA, për të parandaluar një goditje të mundshme që mund ti vinte perëndimit nga Irani, a diku tjetër, e duke përfunduar me hapje ose mbyllje shtigjesh nga Kaspiku në Detin e Zi. Gjeorgjia përbën, për momentin, një nga pikat strategjike të globit, ndërsa Osetia është vetëm sebepi i përplasjes së madhe. Sulmi ndaj me Gjeorgjinë është paralajmërim edhe për Ukrainën e cila mund të hasë në probleme të paparashikueshme në rrugën e saj për në NATO. Por ky sulm, më shumë se për këdo tjetër, është paralajmërim për vetë perëndimin.
Nga Bashkim Muça/shekulli