Padyshim, ne, populli shqiptar i Kosovės kemi arsye tė mburremi me tė kaluarėn tonė historike e cila ėshtė e mbushur me lavdi e me martirė tė cilėt dhanė jetėn pėr kėtė vend e pėr kėtė popull dhe jo rrallė herė tallemi me popullin serb se si ata festojnė shumė ngjarje, kushtimisht po them 'tė huazuara' por edhe beteja tė humbura siē ėshtė ajo e vitit 1389 po i referohem Betejės sė Kosovės.
"Vidovdani" është një ditë kalendarike e cila festohet nga krishterët-lindorë dhe është e lidhur me shumë "ngjarje fisnike" për popullin serb, duke filluar me humbjen e Betejës së Kosovës dhe vrasjes tinëzare të Sulltan Muratit të Parë, duke vazhduar me aktin iniciues të Luftës e Parë Botërore e cila morri jetën e miliona njerëzve, thënë më shkurt vrasjen e Princit Austro-Hungarez Arçdukës Ferdinand, pastaj themelimin e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene me të ashtuquajturën Kushtetutën e Vidovdanit, fjalimin famëkeq të Sllobodan Millosheviqit në Gazimestan si dhe tani në fund themelimin e "Kuvendit të Komunave të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë" i cili ndryshe njihet si "Kuvendi i Vidovdanit". Mirëpo jo të gjitha nga këto mund të konsiderohen si humbje për serbët.
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, shteti më i ri në botë po përballet me cenime të vazhdueshme të rendit të saj kushtetues dhe të integritetit territorial. Na është premtuar nga liderët tanë legjitim, të zgjedhur në zgjedhjet e lira e demokratike të Nëntorit 2007, se me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës gjërat do të ndryshojnë. Udhëheqësit institucional të Kosovës e mbajtën premtimit dhe gjërat ndryshuan: pak pasi hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës u inaugurua edhe Kuvendi i Vidovdanit, duke e sfiduar haptas dhe fatkeqësisht me sukses Qeverinë e Republikës, UNMIK-un dhe EULEX-in. Arsyetim më banal do të ishte se themelimi i këtij Kuvendi nuk ka qenë e mundshme të parandalohet. Më lejoni të rikujtoj se ky Kuvend doli nga zgjedhjet e Majti të cilat Serbia i organizoi në territorin e Kosovës dhe të cilat u paralajmëruan shumë më herët, si data ashtu edhe qëllimi i tyre. Mirëpo ato "as nuk u përkrahën dhe as nuk u penguan" (po citoj qëndrimin zyrtar të UNMIK-ut). Pjesëmarrësit e këtyre zgjedhjeve haptas shpalosën aspiratat e tyre për themelim të strukturave paralele të cilat sot po funksionojnë si pushtet i katërt në Kosovë! TË SFIDUARIT: Qeveria, UNMIK-u dhe EULEX-i.
Një ndër dokumentet më me peshë në të drejtën ndërkombëtare i cili nuk e ka vetëm vlerën e një traktati obligues mes shteteve nënshkruese por është pranuar si e drejtë ndërkombëtare zakonore është "Konventa e Montevideos mbi të drejtat dhe detyrat e shteteve". Duke qenë e tillë nenet e saj obligojnë të gjitha subjektet e të drejtës ndërkombëtare. Neni 9 i Konventës qartë precizon se juridiksioni i shteteve brenda kufijve të territorit të tyre shtrihet mbi tërë popullatën. Dhe pikërisht në këtë pikë serbët shënojnë fitoren e tyre të parë në ditën e Vidovdanit: juridiksioni i Republikës së Kosovës nuk shtrihet mbi popullin minoritar serbë. Dhe jo vetëm kaq, strukturat paralele serbe duke uzurpuar me dhunë objektet shtetërore të Kuvendit Komunal të Shtërpcës krijojnë edhe një përjashtim në teoritë e jurisprudencës, atë se shteti është organizatë shoqërore që disponon me monopolin e forcës fizike. SFIDUESIT: Strukturat paralele serbe!
Me shpalljen e pavarësisë, Kosova detyrimisht përqafoi 'doktrinën e njohjes deklarative të shteteve' duke pritur njohje të reja ndërkombëtare të shtetit më të ri në botë. Mirëpo shtetet sovrane, subjekte të drejtës ndërkombëtare nuk e kanë të lehtë njohjen e një shteti të ri i cili nuk ushtron pushtet mbi tërë territorin e tij. Si pasojë, edhe investimet e huaja në Kosovë po vonohen. Si ilustrim vlen të përmendet çështja e kontesteve pronësore të periudhës së konfliktit 1998-1999, përgjegjëse për zgjidhjen e të cilave është Agjencia Kosovare e Pronave. Kjo agjenci tani ka dy drejtorë, një të emëruar nga UNMIK-u dhe tjetrin nga ICO-ja (për të qenë më i kuptueshëm EULEX-i). Ndërsa në veri të Mitrovicës këto çështje i "zgjedhin pa problem" Gjykatat e strukturave paralele, vendimet e të cilave de facto janë të ekzekutueshme edhe pse institucionet serbe konsiderohen nga Qeveria e Kosovës jo-legjitime. HUMBËSIT: Qytetarët e Kosovës.
Për zgjidhjen e këtyre problemeve serioze nuk do të ndihmojnë njohjet e reja ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, as tubimi i personaliteteve të botës arabe në Prishtinë. Zgjidhje për këto probleme mund të jep vetëm lidershipi i Kosovës, kuptohet ai legjitim, duke luftuar çdo cenim të monopolit të pushtetit shtetëror në territorin e Kosovës e jo duke na premtuar se gjërat do të ndryshojë me shpalljen e pavarësisë, hyrjen në fuqi të Kushtetutës, transferimin e kompetencave, rikonfigurimin e shumë fjalë tjera "të mëdha" të cilat thënë realisht nuk përkojnë me atë që duhet të ndodh në terren: shtrirje të pushtetit shtetëror në tërë territorin e tij.
(Autori është shtetas i Kosovës, në vitin e fundit të studimeve për drejtësi pranë Fakultetit Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore në Republikën e Maqedonisë)
Ardi Shita