Qysh me shpėrthimin e luftės sė armatosur Rusi-Gjeorgji, mė 6 gusht, nė media, nė diplomacinė dhe politikėn ndėrkombėtare u shfaq dhe filloi tė diskutohet ideja e njė pėrqasjeje mes zhvillimit tė ngjarjeve nė Kosovė me ato tė Osetisė sė Jugut.
Kjo ide e iniciuar, nxitur dhe e përdorur nga Moska zyrtare për të përligjur agresionin ndaj një shteti të pavarur e sovran, u kundërshtua menjëherë nga analistë dhe opinionistë të mediave për politikën, nga politologë të njohur të Perëndimit dhe zyrtarisht nga politikanë të njohur në forume politike-ushtarake ndërkombëtare. Demokracitë e mëdha Perëndimore iu kundërvunë në unison agresionit rus në Gjeorgji, siç iu kundërvunë edhe tentativës Ruse për ta krahasuar e barazuar Kosovën me Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë.
Ditët ndoqën njëra-tjetrën dhe, pa mbaruar 20 ditë nga agresioni rus ndaj Gjeorgjisë, ligjvënësit e Rusisë aprovuan një rezolute drejtuar për miratim Presidentit të Rusisë për njohjen prej tij të pavarësisë së Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë.
Ndaj këtij akti të ligjvënësve rusë reaguan menjëherë, përmes deklaratave tepër të qarta BE-ja dhe SHBA-ja, duke i kërkuar Presidentit rus që të mos e njihte e të mos e miratonte shkëputjen dhe pavarësinë e Osetisë së Jugut dhe të Abkhazisë nga Gjeorgjia. Presidenti Medvedev, jo vetëm bëri "shurdhin" ndaj kërkesë-thirrjes së demokracive të mëdha euroatlantike, duke shpallur njohjen e pavarësisë së këtyre dy trevave, por edhe u mundua ta argumentojë "arsyeshëm" e ta konsiderojë njohjen e pavarësisë së këtyre "dy republikave" si rrjedhojë të drejtpërdrejtë në zbatim e në përputhje me Kartën e OKB-së, Aktin Final të Helsinkit dhe me konventa të tjera ndërkombëtare. Dhe pas kësaj "përligjeje" ndërkombëtare të aktit të vet, Presidenti Medvedev nuk "harroi" të kthejë përgjigjen: "Kolegët tanë në shumë raste kanë pohuar se Kosova është një "casus sui generis", një rast i veçantë. Por, në këtë rast, dhe ne mund të themi se Osetia e Jugut dhe Abkhazia janë po ashtu një rast "sui generis".
Për të arritur këtë "përfundim", Presidentit të ri rus në moshë, por edhe në këtë post, "i mjaftuan" vetëm tri argumente, të përshfaqura prej tij si të tilla në një intervistë të dhënë më 27 gusht 2008.
1. "Për më shumë se 17 vjet, Rusia ka bërë maksimumin për të parandaluar këtë zhvillim (zhvillimet në Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë-shën.im).
2. "â¦kur Kosova u proklamua si një subjekt i ligjit ndërkombëtar, ne nuk e bëmë një pohim të ngjashëm në lidhje me këto dy republika. Ne u detyruam të njihnim pavarësinë e tyre, pasi u vranë mjaft njerëz. Kryerja e këtij hapi ishte rruga e vetme për të parandaluar një gjakderdhje të mëtejshme".
3. "â¦çdo popull ka të drejtën e vetëvendosjes", të parashikuar nga Karta e OKB-së, konventat e ndryshme ndërkombëtare dhe Akti Final i Helsinkit.
Të tri këto arsye, që u përkasin respektimit dhe mbrojtjes së historisë, humanizmit dhe ligjeve ndërkombëtare mund të konsiderohen nga Presidenti i Rusisë si të mjaftueshme për të justifikuar agresionin rus ndaj një shteti sovran, Gjeorgjisë dhe njohjen e nxituar dhe disi "inatçore" ndaj Perëndimit prej tij të pavarësisë së dy republikave. Por, ato nuk mund të shërbejnë absolutisht për përqasjen e bërë nga Medvedev mes Kosovës, që shteti rus e pati njohur si "casus sui generic" nën Putinin dhe Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë po si një rast "sui generis".
Kjo përqasje, që është kundërshtuar dhe hedhur poshtë nga analistë, nga politologë, politikanë dhe drejtues të shteteve dhe të organizmave më autoritare dhe ndërkombëtare demokratike është e papranueshme për të tri arsyet e parashtruara më sipër nga rusët:
Së pari, "për më shumë se 17 vjet Rusia bëri maksimumin për të parandaluar këtë zhvillim". Deklarohet kështu, por harrohet që për gati një shekull, shqiptarët etnikë të Kosovës, që nga akti paradoksal i Fuqive të Mëdha më 1913-ën u konsideruan jo vetëm qytetarë të dorës së dytë në Serbi, por që në dhjetëra vjeçarë u përballën me zbatimin e teorisë së akademikut serb Çubrilloviçit, me spastrimin etnik të ministrit të Brendshëm, Rankoviçit, me egërsinë nacionaliste të Milosheviçit dhe me eksodin biblik të 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga shtëpitë e tyre shekullore prej qeverisësve beogradas prej 1999-ën.
Papajtueshmëria e shqiptarëve etnikë të Kosovës ndaj sundimit serb ka qenë e pandërprerë. Luftërat e organizuara të Lëvizjeve Kaçake dhe në veçanti ajo e organizuar nga Azem Galica, gjatë periudhës së mbretërimit të Karagjeorgjeviçëve, u pasua me rezistencën e pas Luftës së Dytë Botërore. Ngjarjet e 1968, që kulmuan me 1981 dhe nga procesi i mirënjohur i diferencimit, njohu edhe 1989-ën. Në vitet 90, kur nacionalistët pushtetarë serbë kaluan çdo cak durimi në sundimin ndaj shqiptarëve, u krijua UÇK-ja, dhe me sakrificat mbarë popullore të shqiptarëve të Kosovës u arrit njohja e pavarësisë sonë nga Serbia. Dhe të gjitha këto (sa përmenda janë shumë pak nga historia jonë për pavarësi) kanë ndodhur jashtë çdo "përkujdesjeje" të ndonjë fuqie të madhe, siç po shfaqet Moska për Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë.
Së dyti, kupola zyrtare ruse "u pajtua" me njohjen e Kosovës si subjekt i ligjit ndërkombëtar, por, duke e cilësuar precedent, duke kërcënuar me veton kundër në Këshillin e Sigurimit. Ajo e përdori "rastin Kosovë" për realizimin e synimeve të veta politike e strategjike.
Së treti, "e drejta për vetëvendosje", të cilën Medvedev e thekson, besoj, madje jam i bindur që në zbatim të saj do të shkaktonte më tepër shqetësime jo vetëm në rajonin e Ballkanit, por edhe më gjerë.
Popujt nëse kanë arritur formësimin dhe ndërgjegjen kombëtare kanë detyrimin të sakrifikojnë dhe të drejtën për të njohur mëvetësinë ndërkombëtarisht. Kosova është Kosova! Është shteti më i ri në botë, i njohur ndërkombëtarisht dhe në pritje të anëtarësimit të shpejtë në OKB dhe në gjithë organizmat e tjerë të komunitetit demokratik botëror.
Xhavit Haliti/shqip/