Pėrjetėsi ballkanike. Eufori e pėrzier me melankoli. E lė pėr pak, tė patrazuar bareshėn e joshet pas legjendės. E famshmja legjendė e besės, e cila nė variante tė ndryshme gjallon e kalon gojė mė gojė nė gjithė rajonin e Ballkanit, e ka tėrhequr pėrherė kėngėtaren.
Qysh fëmijë kur mahnitej me historinë e vëllait që ngrihej nga varri për të mbajtur fjalën e dhënë, e deri sa u rrit dhe legjenda mori të tjera ngjyrime.
Prej datës 30 gusht, këngëtarja Elina Duni ka nisur një turne koncertesh në Zvicër e Gjermani. Nuk ka pak kohë që emri i saj u lakua për mirë, për albumin e saj të parë Baresha, një gjetje interesante, sipas së cilës muzika popullore tradicionale shqiptare, por edhe vende të tjera të Ballkanit, përzihej me tingujt e muzikës xhaz. Shija e një rajoni jo shumë të njohur, deri diku me nota ekzotike, muzika e gëzuar shqiptare e veshur me tisin melankolik të xhazit, duket se u pëlqye nga publiku.
E ndërsa komentet për Bareshën vijojnë, Elina vazhdon kërkimet e saj. I rikthehet sërish traditës, por këtë herë futet edhe më thellë. Gjurmon legjendën. Merr motivin e Kostandinit dhe Doruntinës dhe e rishkruan sipas mënyrës së saj. Këtë herë muzikalisht. Turin e koncerteve e ka nisur pikërisht me këtë krijim të ri që nuk është thjesht një trill fiction i Dunit, por ka edhe karakter studimor, pasi me të, do të mbrojë diplomën, duke mbyllur kështu studimet në Akademinë e Arteve në Bernë. Konstantin & Doruntina, an Albanian Legend (Konstandini dhe Doruntina- një legjendë shqiptare) titullohet vepra dhe koncerti që këngëtarja dha në datat 30 gusht dhe 1 shtator e do të vijojë edhe më 9 shtator në Bernë.
Në pozicionin e kompozitores dhe këngëtares Elina shoqërohet nga muzikantët Andreas Schärer gjithashtu vokalist, Benedikt Reising, Marc Stucki, Patrick Schnyder, Colin Vallon, Marco Müller e Rico Baumann, në instrumente. Ky kompozim i ri i saj është konsideruar si një amalgamë e çuditshme e koloritit ballkanas me muzikën xhaz dhe në veçanti tingujt e pianos, që tregojnë për legjendën e kalorësit shqiptar, të cilin nuk mund ta pengojë as vdekja për të mbajtur fjalën e dhënë.
Turi i saj vijon i shoqëruar nga Kuarteti (Colin Vallon në piano, Bänz Oester në kontrabas dhe Norbert Pfammatter në bateri) me të cilin interpreton edhe këngë të shkëputura nga albumi Baresha. Por përpara se të ndjekë udhëtimin nëpër Zvicër e Gjermani, Elina bën një ndalesë poetike. Më 10 shtator, ajo nuk do të jetë protagonistja, por shoqëruesja e një njeriu të dashur. Do të jetë sfondi ëndërrimtar i nënës së saj, teksa lexon romanin e fundit në Bibliotekën e qendrës kulturore Kornhaus në Bernë. E ëma, Besa Myftiu, do të lexojë pjesë të shkëputura nga romani Confessions des lieux disparus (Rrëfime nga vende të zhdukura). Përmes këtyre rrëfimeve Myftiu rikthen fëmijërinë e saj. Kujtimet e treguara nga këndvështrimi i një fëmije, vajzës së një intelektuali të dënuar nga regjimi komunist. Një vështrim i konsideruar sa poetik, aq dhe me humor mbi një vend të vulosur për 50 vjet nga totalitarizmi dhe patriarkalizmi.
E lindur në Tiranë, Besa Myftiu jeton në Gjenevë prej vitit 1992. Gjuha e saj e të shkruarit është frëngjishtja dhe një pjesë e veprave në poezi e prozë, që ka shkruar është përkthyer edhe në gjuhën gjermane. Leximet nga romani do të jenë në dy gjuhë, në frëngjishte dhe gjermanisht dhe për sfond do të kenë këngët tradicionale shqiptare, kombinuar me xhazin bashkëkohor, të kënduara nga e bija dhe pianisti Colin Vallon. Kjo mbrëmje organizohet nga Shoqata kulturore zvicerane Artlink, e cila promovon jo vetëm kulturën vendase, por edhe të artistëve që vijnë nga Afrika, Azia, Amerika Latine dhe Evropa Lindore.
Më tej Elina vijon me turneun i cili është planifikuar edhe për gjatë muajit nëntor.