Premiera e shfaqjes "Klanica 5" ("Slaughterhouse 5"/"Therrtorja 5"), nė tė cilėn njėrin ndėr rolet kryesore e luajti edhe aktori kosovar Imer Mushkolaj, ėshtė dhėnė nė Beograd, fundjavėn e kaluar. Nė shfaqjen e realizuar sipas motiveve tė romanit me tė njėjtin titull tė shkrimtarit tė njohur amerikan Kurt Vonnegut, Mushkolaj e ka pėrfaqėsuar qendrėn "Multimedia" nga Prishtina.
Me dramatizim të Tatjana Ljujicit (Universiteti i Cambridge-it) dhe regji të Fahrudin Nuno Salihbegovicit (Universiteti i Brunelit), shfaqja i takon zhanrit të teatrit digjital, në të cilin aktorët me lëvizjet e tyre në skenë i ndërrojnë skenografinë, efektet e dritës dhe të zërit, duke arritur në këtë mënyrë të kenë kontroll mbi pjesën më të madhe të shfaqjes.
Shfaqja është realizuar si një bashkëprodhim i produksionit Academica nga Beogradi, Amsterdam Cyber Theatre, Teatrit PVC të Novi Sadit dhe SET (Studio for Electronic Theatre) nga Beogradi. Përveç Mushkolajt, në shfaqje luajtën edhe Janosh Bush, Vahidin Prelic, Andrijana Lubina dhe Jovana Rakic. Shfaqja u prit mirë nga më se 300 shikues.
Versioni i parë i kësaj pjese teatrale ishte shfaqur në gusht të vitit të kaluar, në Teatrin Popullor të Uzhicës, ndërkaq kësaj radhe parapremiera e shfaqjes është dhënë në qytetin Nova Varosh.
Teknologjia e cila përdoret në Klanica 5 prezantohet për herë të parë në Serbi në këtë mënyrë dhe për këtë janë meritorë Studio for Electronic Theatre (SET) dhe grupi holandezo-britanik Amsterdam Cyber Theatre, pionierë në fushën e teatrit digjital, shkruante gazeta Blic.
Klanica 5 është një rrëfim për bombardimin e qytetit të Drezdenit gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjatë të cilit për një natë vdiqën 135 mijë veta. Tmerrin e Drezdenit e ka përjetuar vetë shkrimtari Vonnegut dhe ai atë përjetim e ka bartur në një tregim fantastiko-shkencor, duke ofruar një tregim shizofrenik të aktorit kryesor, për një vizitë në tjetër planet. Në shfaqje, loja e aktorëve në skenë kombinohet me video, projeksione digjitale dhe senzorë të ndryshëm.
Ishte paraparë që ekipi i shfaqjes të marrë pjesë në konferencën Digital Resources for the Humanities and Arts 2008 që organizohet nga Universiteti i Cambridge-it, por për shkaqe teknike prezantimi në Cambridge është shtyrë. Në konferencë do të prezantohet vetëm video versioni i shfaqjes, ndërkaq muajt e ardhshëm Klanica 5 pritet të shfaqet në disa qendra të ish-Jugosllavisë, në mesin e të cilave edhe në Prishtinë.