Pavarėsia e Kosovės ėshtė proces i pakthyeshėm dhe se pavarėsisht tendencave ruse dhe serbe qė tė pengohet njohja, asgjė mė nuk mund ta pengojė Kosovėn qė tė jetė shtet i pavarur.
Pavarësia juaj nuk zhbëhet, por ekonominë e keni të brishtë dhe keni një pjesë të vendit tuaj jashtë kontrollit të përditshëm; ndërkaq, burimet natyrore ende nuk i shfrytëzoni në mënyrë adekuate.
Ju bëj thirrje që të përqendroheni në gjendjen ekonomike. Ju jeni në një gjendje jo të përshtatshme ekonomike dhe armiqtë e pavarësisë suaj do të duan që ju të dështoni.
Mos u përqendroni shumë në numrin e njohjeve. Sigurisht, ky numër do të ishte më i madh, po të mos kishte një diplomaci kaq agresive të Rusisë kundër Kosovës. Por rusët nuk mërziten se çfarë po ndodh këtu. Ata po veprojnë kështu për shkak se duan që t'i kundërpërgjigjen Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ju keni pasur plotësisht të drejtë ta shpallni pavarësinë. Vendimi juaj ka qenë shumë i guximshëm dhe në një frymë me Deklaratën e Pavarësisë Amerikane të 4 korrikut. Por, vendimi për pavarësinë ishte i vonuar, andaj gjërat sot janë më të vështira, si dhe tranzicioni realizohet më me vështirësi.
Sipas pikëpamjes sime, ky takim i sotëm, kjo liri, është dashur të ndodhë para katër vjetësh. Por, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian duket se kanë lëvizur shumë ngadalë.
Lidhur me mundësinë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të marrë vendim mbi ligjshmërinë e shpalljes dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës, ashtu siç synon Serbia, mendoj se Gjykata padyshim do ta menaxhojë këtë çështje në favor të Kosovës.
Janë të pabaza dhe të palogjikshme krahasimet midis Kosovës dhe rajoneve separatiste në Gjeorgji. Një mesazh të veçantë kam për autoritetet në Prishtinë që të drejtojnë vendin kah Bashkimi Evropian, nëse nuk e duan izolimin. Nëse nuk i bashkoheni Bashkimit Evropian brenda 10 vjetësh, do të jeni gjithmonë të izoluar. Integrimi në BE, do të jetë më i vështirë sesa në NATO, por për zhvillimin ekonomik të Kosovës, hyrja në BE është më e rëndësishmja.
Brukseli nuk duhet të lejojë që Serbia të integrohet në BE pa i njohur kufijtë ndërkombëtarë të shtetit të Kosovës, sepse hyrja e Serbisë para Kosovës në Bashkimin Evropian, do t'i japë mundësi Beogradit që ta bllokojë integrimin e Kosovës.
*Ambasadori amerikan Holbrooke (ish-emisari amerikan për Ballkanin) nga e diela ka filluar vizitën në Prishtinë, ku është pritur nga udhëheqësit më të lartë shtetërorë të Kosovës dhe liderë të opozitës. Pjesa e mësipërme është përmbledhje e një fjalimi të tij, mbajtur para Kuvendit të Kosovës. Në Kuvend, ai është pritur me duartrokitje dhe falënderime