Shumė cilėsi tė njeriut sot kanė humbur si vesa e mėngjesit nga dielli. Edhe te ata pak njerėz qė kanė mbetur, moderniteti i kohės i quan si demode, qė duhet tė futen nė sirtarėt e muzeut dhe tė mos dalin mė.
Po herë pas here mund ti çojmë fëmijët tanë dhe ti tregojmë se dikur ka qenë dhe kështu, se dikur ne kemi qenë të mirë, pavarësisht se edhe tani kështu e vlerësojmë veten; se dikur kemi qenë të sjellshëm, sot duhet të sillesh arrogant, pasi kështu ta kanë frikën të tjerët dhe ti bëhesh zot i tyre; se dikur kemi qenë mikpritës, por sot sofra është djegur, pavarësisht se energjia elektrike ka shkuar në çdo skaj të vendit; besnikë, njerëz të besës, sa shqiptarit i ka dalë dhe nami në vendet e ndryshme të botës (Besa e shqiptarit si purteka e arit.), sot jemi kthyer në njerëz hipokritë, që ndryshe themi dhe ndryshe bëjmë.
Po të shikojmë kuptimin e fjalës besnikëri, do të kishim: Të qenit besnik ndaj dikujt a diçkaje.
Po besnik, çfarë kuptimi ka? Besnik, që e mban deri në fund zotimin a besën e dhënë; që ndjek pa u lëkundur dikë, që nuk e tradhton kurrë ose që ruan deri në fund dashurinë për të dhe e mbron me të gjitha forcat.
Drejtimet e saj janë të ndryshme, duke filluar qe te familja, si bërthama bazë e shoqërisë, duke kaluar më pas te individët e kësaj shoqërie. Sa më të lidhur të jenë pjesëtarët e një familjeje, aq më e lidhur do të jenë njerëzit me njëri-tjetrin dhe e kundërta.
Besnikëria ndërmjet bashkëshortëve është tregues i qartë për qëndrueshmërinë e marrëdhënieve dhe lumturinë familjare. Ajo duhet ti shoqërojë bashkëshortët gjatë gjithë jetës, dhe jo vetëm kaq, por edhe nëse ndërron jetë dikush prej tyre, tjetri duhet ti qëndrojë besnik atij deri në vdekje. Mirëpo, fatkeqësisht, sot besnikëria bashkëshortore shihet si një monedhë e rrallë që i ka kaluar koha.
Sot, fatkeqësisht, forcat kanë humbur gjatë përpjekjeve të shumta të përballimit të vështirësive jetësore, të mos themi gjatë përleshjeve të vazhdueshme të së mirës dhe së keqes. Ndoshta tani për tani kjo fjalë është larguar, por do të vijë një ditë kur njeriu të bëhet i ndërgjegjshëm për rolin e tij, kur do ti dhimbsen më shumë fëmijët e tij dhe nuk do të luajë me jetën dhe edukimin e tyre.
Themi kështu, pasi molla nën mollë bie. Fëmijët do të shohin justifikimet e kota të prindërve të tyre dhe do të mësojnë se në jetë ecet kështu. Shkelja e besnikërisë të bën edhe gënjeshtar edhe hipokrit, të humb vlerat më të bukura njerëzore që ne i trumbetojmë kudo.
Këtu do të përmendim shtatë shenja që argumentojnë besnikërinë e bashkëshortit për gruan e tij dhe anasjelltas:
1. Justifikimi dhe shfajësimi i bashkëshortes, sidomos kur ajo nuk është e pranishme.
2. Gruaja nuk duhet ndarë, përveçse për shkaqe madhore. Ajo nuk duhet të ndahet për shkak të moshës së saj të madhe, as për shkak se ajo mund të sëmuret, as për shkak se ajo mund të jetë e varfër, as për shkak se burri mund të largohet në një vend tjetër me punë, studime etj.
3. Të vazhdosh ta duash dhe ta vlerësosh bashkëshorten edhe pas vdekjes së saj.
4. Respektimi i shoqeve të bashkëshortes.
5. Mbajtja e lidhjeve me njerëzit e gruas dhe respektimi i tyre.
6. Gruan duhet ta lavdërosh, të lutesh dhe ti kërkosh falje Zotit për të.
7. Zbatimi i porosive të saj, edhe pasi ajo ka vdekur.
Ata duhet të ruajnë sekretet familjare dhe duhet të kujdesen të dy së bashku për miredukimin e fëmijëve. Duhet ta mbrojnë nderin dhe pasurinë, jo vetëm kur janë të dy të pranishëm, por edhe në mungesë të dikujt prej tyre. Të gjitha këto janë pjesë e besnikërisë bashkëshortore.
Përsa i përket gjesteve që vërtetojnë besnikërinë bashkëshortore, do të përmendja dy të tilla, të cilat mendoj se janë shumë të rëndësishme për kohën që jetojmë.
1. Kultivimi i dashurisë dhe të shprehurit e vazhdueshëm të saj nga të dyja palët.
2. Moskërkimi i ndarjes nga të dyja palët pa ndonjë shkak madhor.