Tashmė po mbushet java nga vdekja e Kosta Trebickės, dėshmitarit kyē tė Gėrdecit, njė njeriu qė pati kurajėn qytetare tė denonconte njė nga aferat korruptive mė tė errėta qė janė zhvilluar nė kėto 18 vite pluralizėm dhe qė kulminoi me marrjen e 26 jetė njerėzish, djegien dhe shkatėrrimin e dhjetėra shtėpive dhe plagė qė zor se mund tė shėrohen dhe mbulohen nga pluhuri i kohės.
Vdekja e Kostës u shoqërua me mjaft pikëpyetje: U vra apo vdiq aksidentalisht? Pse ky njeri kaq i kërcënuar dhe në prag të zhvillimit të një procesi që mund të kthehet dhe në maksi-procesin kundër mafias dhe krimit të organizuar apo kapjes së shtetit duhej të shkonte për gjah vetëm, në një zonë të vetmuar dhe malore? Pse nuk i përgjigjej thirrjeve telefonike të së shoqes dhe pse ekzistojnë kaq shumë të dhëna rrethanore që të bëjnë vërtetë të kruash kokën, nëse vendos t`i përgjigjesh enigmave që rrethojnë vdekjen e mistershme të tij?
Shumë është shkruar këto ditë në faqet e medias së shkruar, shumë është debatuar në studiot televizive, ekspertë të ftuar, gazetarë apo opinionistë e kanë thënë mendimin e tyre, dhe, edhe grupi i prokurorëve duket i përçarë në nxjerrjen e konkluzioneve për këtë vdekje shumë të çuditshme.
Por ajo që ngelet në një llogari të fundit është mendimi i njerëzve, zëri i opinionit publik të cilin ke mundësi ta dëgjosh në çdo kafene, ku kryefjala e bisedave të ndryshme shoqërore këto ditët e fundit ka qenë pikërisht, vdekja e pabesueshme e biznesmenit. Ky perceptim publik, lë pak vend për interpretim. Është pothuajse unanim mendimi i njerëzve, qofshin këta të djathtë a të mëngjër, kur vjen puna te dyshimet që kanë për këtë aferë që mban erë që përtej.
Dhe siç dihet perceptimi publik është një armë e fuqishme në një demokraci parlamentare, dhe jo vetëm në shërbim të interesave elektorale në një moment të caktuar. Raportet e Transparency International, për shembull, që mbahen si matësit më të besueshëm të nivelit të korrupsionit në vende të ndryshme të botës, apo edhe raporte të ngjashme nga ana e Departamentit të Shtetit në SHBA apo institucionet homologe evropiane, bazohen pikërisht në kësi lloj perceptimesh, të cilët shërbejnë si indikatorë të qartë dhe të besueshëm për nivelin e një fenomeni të caktuar. Opinioni publik nuk mund as të injorohet, as të kamuflohet.
Në Shqipëri ka kohë që mungon një institucion i mirëfilltë llogaridhënës, i cili normalisht duhet të ishte Parlamenti, kjo edhe për shkak të nivelit përgjithësisht mediokër të anëtarëve të tij apo forcës së kartonëve që mbyt edhe formën më elementare të forcës së argumenteve dhe debatit që duhet të mbizotëronte. Por kjo nuk do të thotë që duhet të mungojë llogaridhënia, ballafaqimi me opinionin publik, përgjigja e arsyetuar ndaj akuzave, qofshin këto edhe fiktive.
Përkundrazi, në vend të kësaj vëmë re një fenomen të përkundërt. Në vend të një reflektimi pas Gërdecit apo vdekjes së Kostës, apo kritikave të shumta nga ndërkombëtarët, sidomos ato që vijnë nga përtej Atlantikut, mazhoranca aktuale gjen forcë dhe vullnet të kalojë një ligj shumë të diskutueshëm për prokurorinë pa asnjë lloj konsensusi paraprak me opozitën, apo të ndërmarrë nisma të tjera në reformën në drejtësi që minimalisht të lënë vend për dyshim, qoftë për nga mënyra e formulimit, qoftë për nga momenti i iniciativës.
Në vend të nismave të tilla, do ishte më e logjikshme dhe tregonte shumë më tepër përgjegjshmëri, transparenca maksimale në hetime, qoftë për Gërdecin, qoftë për Kostën, qoftë për aferat e tjera korruptive, në të cilat shtypi ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm për t`i denoncuar herë pas here, madje duke zëvendësuar edhe punën shpesh të munguar të prokurorisë apo Policisë së Shtetit. Kjo do rriste besueshmërinë e publikut, do pastronte disa nga retë që varen mbi qiellin e vrenjtur të demokracisë ende infantile shqiptare dhe do na mundësonte një gjykim më të pjekur mbi disa ngjarje dhe fenomene që duken si tepër të pabesueshëm për të qenë thjesht të rastësishëm.
Së fundmi, dhe jo më pak e rëndësishme, do ndihmonte edhe një lloj pastrimi apo katharsisi aq të domosdoshëm të politikës shqiptare nga disa individë që minimalisht duhet të ishin larguar përfundimisht nga politika shqiptare dhe jo të dilnin duke qeshur nga dyert e prokurorisë, si ish-Ministri i Mbrojtjes, a thua se kishte kryer ndonjë veprim heroik në mbrojtje të interesave të vendit.
Mjafton të sjellim në vëmendjen e lexuesit vetëm rastin me të fundit të dikujt që dha dorëheqjen nga të gjitha funksionet në qeveri dhe parti, vetëm për shkak të akuzave të ndodhura shumë kohë para për korrupsion, atë të kryeministrit izraelit, Olmert, apo të kryearkitektit të mrekullisë irlandeze, Bert Ahrens, i cili u tërhoq në kulmin e suksesit të tij si politikan vetëm për shkak të zërave (allegations) që e lidhin me një aferë të dyshimtë, por që ende nuk është provuar asgjë.
Nga Ilir Kalemaj