Camerata e Tiranės hap sezonin me Katėr stinėt e Vivaldit e cila pėr herė tė parė luhet e plotė sonte. Dirigjent dhe solist nė violinė, spala e Teatrit tė Operės sė Parisit, Frederic Laroque
Pyetja së cilës ende nuk i ka dhënë përgjigje është se deri ku mund të arrijnë. I sheh të rriten çdo ditë dhe për një instrumentist si ai, kjo është vërtet premtuese. Frederic Laroque, ka disa ditë në Tiranë. I pëlqen ky qytet. I pëlqejnë njerëzit e hapur për të folur në gjuhë të ndryshme, të gatshëm për të ndihmuar, apo për të kryer ndonjë shërbim, gjë që nuk e sheh tek francezët e tërhequr e hermetikë. Por violina e parë (spala) e Teatrit të Operës së Parisit, nuk ka ardhur këtu për të kaluar ca ditë të freskëta. I ftuar nga shoqata kulturore franko-shqiptare Artema, jep një koncert në krye të një orkestre të re, sjell për herë të parë të plota të Katër stinët e Vivaldit dhe merr pjesë në një mbrëmje bamirësie.
Koncerti i parë është sonte, në sallën e Teatrit Kombëtar, ku dirigjon Cameratën e Tiranës (orkestrën më të re të harqeve në Shqipëri, me drejtor artistik violinçelistin, Arben Skënderi), në hapjen e sezonit të dytë koncertor. Por në të njëjtën kohë është edhe në rolin e solistit në violinë. Vetëm një muaj më parë, Laroque interpretoi Stinët në Paris dhe është i kënaqur që i sjell dhe në Tiranë, edhe pse nuk është edhe aq e thjeshtë. Tingujt e dashur që i kemi dëgjuar sa herë të shoqëruar edhe me ndonjë sfond televiziv me shkrirje akujsh e lulëzim pemësh, kërkojnë pak mund për tu prodhuar. Është një vepër e vitit 1723 dhe Laroque ka ngulur këmbë që të vihen në dukje tingujt barokë. Jo vetëm kaq. Ndonëse kjo është një nga veprat më të njohura të repertorit botëror, fatmirësisht e pacensuruar gjatë viteve të diktaturës, prej saj njohim vetëm dy stinë, pranverën dhe dimrin. Këtë herë do të interpretohen të gjitha stinët e vitit, duke përfshirë edhe verën dhe vjeshtën, të cilat kanë të tjera koloratura tingujsh. Pas atmosferës së krijuar nga ylberi i tingujve të Vivaldit, vjen pak dehje. Me humor Laroque thotë se pjesa e zgjedhur nga Moxarti të jep përshtypjen e bulëzave të shampanjës. E në fund një shpërthim romantik me një simfoni të Benjamin Britten. Kur e pyet se çmendon për nivelin e instrumentistëve të rinj, thotë se ajo çka i ra në sy menjëherë ishte cilësia e dëgjimit.
Kur je muzikant, një nga cilësitë më të rëndësishme është dëgjimi, - thotë ai, ndërsa e quan këtë një garanci për të ardhmen e orkestrës. Surpriza e dytë ishte të mësuarit e shpejtë. Shihja se si niveli i tyre rritej nga dita në ditë dhe pyesja veten se deri ku mund të arrijnë. Duket i sinqertë kur thotë se në Shqipëri ka një nivel të përgjithshëm të mirë, ndoshta kjo për meritë të shkollës ruse, mbi të cilën është ngritur edhe ajo shqiptare e instrumentistëve. Nuk them që janë të jashtëzakonshëm, por janë korrektë, ka uniformitet, kanë një teknikë harku të mirë dhe herë pas here prej tyre veçohen yje si Klodiana dhe Arben Skënderi, pa harruar Tedi Papavramin, - thotë Laroque, i cili është gjithashtu pedagog dhe ka nxënëse një tjetër violiniste shqiptare, shumë të zonjën. Ai vetë ka 23 vjet që punon në Orkestrën e Parisit dhe shpreson të vazhdojë edhe për ca vite të tjerë. Që prej ditës kur mendoi se violina është instrumenti më i bukur që ekziston dhe duhet të bëhej violinist, ka përshkuar një rrugë të gjatë. Nuk ishte e lehtë të hyje në Teatrin e Operës së Parisit, audicionet zgjatën dy ditë. Por më e vështira vjen më pas. Është e vështirë të hysh, edhe më e vështirë të qëndrosh, sepse për të fituar një konkurs të duhen dy ditë, por më pas duhet të përballesh me instrumentistë dhe koncertmaestër që kanë 30 apo 40 vjet që punojnë atje, - thotë ai, pa dashur të shkurajojë të rinjtë. Nëse dikush do ti kërkonte një këshillë, ai do të thoshte se duhet të ushqejë motivacionin e tij për të punuar, të ushqejë forcën për të zbuluar muzikën. Motori i parë që e vë në punë çdo ditë një muzikant është ta dëgjojë, ta mendojë dhe ta jetojë muzikën. Nuk e mohon se ka shumë sakrifica, por ka edhe shumë gëzime, sidomos kur dashurinë për muzikën e ndan me publikun. Është ky gëzim që e mban gjithnjë zgjuar dhe e hedh nga njëra skenë në tjetrën, për të takuar njerëz të rinj, pse jo edhe për të bërë pak bamirësi. Nesër do të jetë në një koncert ceremonial në Pallatin e Brigadave, për tu ardhur në ndihmë fëmijëve në nevojë. Të pranishëm do të jenë edhe kitaristi Emmanuel Rossfelder, violinistja Klodiana Skënderi, sopranoja Eriona Gjyzeli, si dhe Camerata e Tiranës.