Parakusht thelbėsor i mėsimdhėnies cilėsore ėshtė aftėsia pėr tė dhėnė mėsim, qė mund tė fitohet dhe pėrsoset me kalimin e kohės, nė kundėrshtim me mitin se ajo ėshtė diēka me tė cilėn lindim.
Shkathtësitë specifike të mësimdhënies, p.sh aftësia për të dalluar ndërmjet asaj që është e rëndësishme të mësohet dhe asaj që është e vështirë të kuptohet përmes tij-mund të fitohen vetëm nëpërmjet trajnimit, mentorimit, bashkëpunimit dhe praktikës shkollore.
(Komisioni Amerikan i Mësimdhënies së Matematikës dhe Shkencave)
Reformat efektive: Çfarë sugjerojnë?
Risitë: Reformimi i institucioneve të arsimit të lartë në funksion të atributeve që dallojnë mësuesit e shekullit 21; integrimi i formimit me zhvillimin profesional ne shërbim të mësuesit; standarde profesionale të pranuara gjerësisht, reformimi institucional i agjencive që ofrojnë shërbime trajnuese për mësuesit në shërbim, etj.
Varësisht sistemit arsimor - i centralizuar ose jo - përvojat janë rezultat ose i angazhimit të vetë universiteteve, ose i koordinimit që sigurojnë Ministritë e Arsimit. Nën kujdesin e këtyre të fundit janë hartuar standarde profesionale me kontributin në institucionet e arsimit të lartë, agjencive qeveritare arsimore apo organizatave të ndryshme, si sindikatat ose urdhri i mësuesit.
Shumë vende, për arsye të ndryshme, të tilla si tradita, nevojat, objektivat reformuese dhe kërkesat e tregut diferencuan formimin universitar akademik (që lidhet me disiplinën shkencore, të themi fizikën) nga formimi profesional (kompetencat që i duhen mësuesit për të ushtruar profesioni e mësuesisë). Kjo u pasqyrua jo vetëm në strukturën e institucionit (3+1), por edhe në përmbajtjet e programeve universitare. Procesi i formimit universitar u integrua me zhvillimin profesional në punë. Integrimi konsiston, jo vetëm në harmonizimin e programeve kurrikulare, por edhe në përfshirjen sistematike të universiteteve në skemat e trajnimit të mësuesve, në forma të përshtatshme për këta të fundit.
Integrimi i proceseve orientohet nga standardet profesionale që përcaktojnë tiparet, dijen, dhe shkathtësinë profesionale të mësuesit. Një përvojë interesante lexuesi mund ta gjejë në adresën: http://www.tda.gov.uk/teachers/professionl/standards/downloads.aspx/.
Trajnimet e ofruara klasifikohen në 4 kategori:
Kualifikime që të mundësojnë statusin e mësuesit fillestar (Britani, Nigeri, Kine); zhvillimi i vazhduar profesional, nëpërmjet veprimtarive që përmirësojnë kompetencat profesionale (Angli, SHBA, Brazil, Afrika e Jugut, India); riorientim i mësuesve për reformën kurrikulare dhe ndryshimin, duke ndihmuar mësuesit të ndryshoje atë që japin mësim dhe mënyrën si e japin (Kanada, Zelandë e Re, Kili, Mongolia) dhe zhvillimi i karrierës së mësuesit (Britani, Francë, Slloveni, Mal i Zi). Teknologjitë shkojnë nga materialet e printuara dhe ato radio-televizive e deri te teknologjitë e reja të komunikimit dhe informimit.
Reformimi i procesit të formimit dhe përgatitjes së mësuesve u pasqyrua tërësisht në ligj.
Le ta ilustrojmë idenë me përvojën e Sllovenisë, për të mos shkuar më tej, që në kushte të krahasueshme me ne për nga popullsia dhe territori, ka përshtatur një skemë trajnimi tejet efektive me 4 elemente: 1. Bordi i akreditimit të programeve; 2. Ofruesit e programeve; 3. Departamenti i trajnimit (agjencia e draftimit, monitorimit dhe vlerësimit të programeve); 4. Përfituesit (mësuesit) etj. Ministria e Arsimit financon dhe mbikëqyr efektivitetin skemës. Bordi me përfaqësues të 11 institucioneve dhe organizatave arsimore me përfaqësues, i asistuar nga departamenti i trajnimit, boton në fillim të vitit kalendarik manualin e programeve trajnuese. Mësuesit bëjnë zgjedhjen e tyre dhe frekuentojnë atë program që u intereson, në kontekstin e atestimit dhe që sigurohet nga ofrues të kualifikuar (universitete, institute, qendra shërbimi etj).
Skema siguron plotësimin e disa kritereve kyçe, te tilla si: fleksibiliteti i ofertës, mundësia e zgjedhjes, vlerësimi në kredite, akreditimi i programeve dhe konkurrimi i vlerave. Kështu, programet, nëpërmjet bashkëpunimit të bordit me departamenti dhe shkollat harmonizojnë kërkesat e reja të reformave në nevojat vetjake të mësuesve. Mësuesve u ofrohet një meny e pasur, ku mund të zgjedhin programin dhe ofruesin e tij. Sistemi konsideron kreditet, çka lejon që përfitimet të sigurohen nga ofrues të ndryshëm, më pas, certifikatat e marra i paraqiten organit atestues, ofruesit janë ente me status të akredituar nga Ministria e Arsimit. Vijimësia e financimit të programit varet nga efiçenca dhe efektiviteti i tij, çka përcaktohet nga tregu.
Një reformë joefektive
Gjendja në fushë: 1. Mësues në shërbim me nivel profesional të diskutueshëm, të cilët me dëshirën e tyre mund të mos përfshihen në asnjë program trajnimi. Pasi përfitimi prej tyre i ngjan fitores së Pirros. 2. Një ushtri e tërë mësuesish, rreth 3000 vetëm në Tiranë, në pritje të një mundësie punësimi, por qe prej vitesh të shkëputur nga ndikimi.
Kalvari fillon që në institucione te arsimit të lartë që përgatisin mësues. Ende nuk ka një qasje të miratuar për formimin profesional. Paçka se përvoja e deritanishme ishte jo efektive dhe riorganizimi ne kontekstin e procesit të Bolonjës, ka kërkuar përgjigje konkrete me kohë.
Por edhe sikur të ofrohet skema, ajo sërish do te lërë për të dëshiruar, pasi MASH nuk ka bërë publike një paketë standardesh për profesionin e mësuesit (dhe jo vetëm), që të orientonte procesin e formimit profesional. Sikur të mos mungonte kjo, MASH, as Institutit të Kurrikulave dhe Trajnimit nuk i ka qartësuar rolin që duhet të luajë si agjenci e rëndësishme publike në procesin e zhvillimit profesional të mësuesve.
Profesionalisht mjafton ky fakt për të mos marrë seriozisht përcaktimet e tjera të reformës për kualifikimin, mungesa e standardeve profesionale dhe skemës trajnuese, jo vetëm për mësuesit, por dhe për çdo post tjetër në hierarki ndikon, për te mos thënë i bën formale, veprimtaritë trajnuese qe ofrohen nga agjencitë publike (IKT, Drejtoritë Rajonale Arsimore) ose organizatat e ndryshme ( vendore apo të huaja) që përpiqen të ndihmojnë zhvillimin e burimeve njerëzore në arsim. Madje në këtë aspekt ka edhe gjetje tipike shqiptare qe nuk arrijnë të bëjnë dallimin ndërmjet standardeve profesionale dhe detyrave e përgjegjësive të mësuesit, pjesë e kontratave të punësimit. Edhe nisma e re Portofoli i zhvillimit profesional të mësuesit, dallon për gjetje të çuditshme. Mësuesi që aplikon për tu atestuar, veç të tjerave duhet te vëzhgohet 1-2 seanca mësimore nga specialistë të autoritetit arsimor vendor, te cilët nuk i kanë të akredituara kompetencat shkencore dhe profesionale (certifikime, grada ose tituj shkencor). Më së paku gjetjes i mungon morali, pasi askund në botë nuk ndodh që një mësues të ndikojë vendimmarrjen në kontekstin e promovimit në detyrë të kolegut të tij
Keq kur sdi, por është më keq kur nuk di as të përfitosh nga përvojat e saj pjese të botës, e prezantuar nga vendet më të zhvilluara, të qytetëruara dhe të pasura, që në themelin e zhvillimit të tyre kanë arsimimin e individit dhe të shoqërisë.
*Qendra Shqiptare e Asistences Arsimore
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)