I korruptuari nė Kosovė, dikur, nė fazėn e ngopjes, mund tė tregohet edhe i sinqertė dhe tė japė vetė dorėheqje nga posti zyrtar qė e mban, por qė Qeveria, Prokuroria apo Gjykata ta shkarkojnė, iniciojnė hetime, apo ta dėnojnė nėn kėtė akuzė, kjo ska bėrė vaki deri tash.
Krejt relacioni që e përshkon denoncimin sillet brenda një qarku të mbyllur, që nuk shkon më larg sesa një mllef që shfryhet publikisht nga kreu i Agjencisë Antikorrupsion, që përcillet me një mbështetje dhe me zotim të fuqishëm të Qeverisë dhe përfundon, pluhuroset, griset e mbyllet pa ose me një vendim simbolik e qesharak në protokollet e gjykatës.
Korrupsioni në Kosovë nuk mund të thuhet se ska bërë një traditë. Pa u marrë me periudhat e mëhershme, vetëm prej se institucionet e vendit si gjuhë të parë zyrtare e kanë gjuhën shqipe, korrupsioni është në përmasa kolosale.
Një dukuri që fill pas luftës nisi të ushtrohet në ndihmat humanitare, duke ua ndërruar destinacionin mbi gjysmës së tyre, aktualisht bëhet me tenderë milionësh që skanë lënë segment pa prekur, duke filluar nga ryshfeti për regjistrim a dhënie provimi në fakultet, futja pa rend në sallën e operacionit në spitalin publik e deri te projektet kapitale.
Duke kaluar këto hallka, që realisht janë vetëm teknike, koka e korrupsionit duhet kërkuar tek institucionet politike-publike, që realisht janë burim i pashtershëm i kësaj dukurie, e deri te gjyqësori, i cili po me ushtrimin e nën ndikimin e këtij zanati ua lidh kokën rasteve.
Nëse këto duken të dhëna kuturu apo të pambështetura si duhet, sjanë relevante apo janë tendencioze, mjafton të merren me qindra dosje të Auditorit Gjeneral të Kosovës, ku mund të gjenden qindra raste të shkeljeve flagrante, të keqpërdorimit e të keqmenaxhimit të parasë publike.
Me mungesë e zbrazëti legjislative, me institucione të prekura thellë nga korrupsioni dhe pa ndonjë perspektivë të qartë, Kosova, nëse do të ishte pjesë e saj, do tia prishte barometrin matës listës së Transparency International, që në arsyetimin e parë mospërfshirja në listë vlerësohet pikërisht për mungesë besimi në një partner vendës që do ta kryente anketën në shtetin e sapothemeluar. Mjaft qartë! Askush në Kosovë ska mundur tia mbushë mendjen organizatës botërore, që merret me shkallën e perceptimit të korrupsionit, se e ka kredibilitetin e nevojshëm për ta bërë këtë punë.
Dhe, më e keqja nga të gjitha këto, që shihen e preken aktualisht, është se njerëzit në Kosovë mund të mësohen të jetojnë me korrupsionin, të bashkëjetojnë me të pa më të voglin merak. Korrupsioni në Kosovë ka filluar të ketë imunitet të pakufishëm! Tradita po trashet!
Bujar Desku