U shpallėn mbrėmė nė Durrės, fituesit e edicionit tė katėrt tė Festivalit Ndėrkombėtar tė Poezisė, Poeteka
Poeti portugez, Casimiro De Brito është fituesi i edicionit të katërt të Festivalit Ndërkombëtar Poeteka. Mbrëmë në Durrës, u zhvillua nata përmbyllëse e festivalit, gjatë së cilës u shpallën edhe fituesit e këtij edicioni. Edhe pse jo fort i njohur për lexuesin shqiptar, Unaza e Poetekës i shkoi poetit portugez, De Brito, autor i mbi 40 librave me poezi, esse dhe aforizma.
Librat e tij janë pjesë e 120 antologjive botërore dhe është përkthyer në 21 gjuhë. Krahas Unazës, u ndanë edhe të tjera çmime e u shpallën të tjerë fitues. Kështu, Çmimi Liburna u meritua nga poetesha Natasha Lako, Çmimi Nositi nga Lindita Arapi, ndërsa revista Mehr Licht u shpall si fituesja e çmimit Criterion.
Po dje, në ditën e fundit të festivalit, poezia u paraqit ndryshe. Poeti hollandez Arjen Duinker, zgjodhi për skenë shkallët e lëvizshme të një qendre biznesi në Durrës. Me performancën Perpetum Mobile, ai sikur risolli legjendën e përtëritur të Hollandezit Fluturues, që hidhte trendafilat poetikë të sjella nga trevat hollandeze. Kjo performancë e përbërë nga leximi autorial në mjediset e hapura kishte si synim afrimin e poezisë me një publik më të gjerë, të kultivuar ose jo me poezinë.
Kjo performancë e poetit më të njohur holandez, i përkthyer në 14 gjuhë të botës, shënoi edhe seancën e fundit të edicionit të IV të të Festivalit Nderkombëtar të Poezisë, Poeteka. Organizatori i festivalit, poeti Arjan Leka, tha se këto forma të lirshme performimi janë zgjedhje vetiake e poetëve dhe bëhen për të shformatizuar poezinë, për ta nxjerrë atë nga formalina e ngrirë e për ta futur në publik. Ne, shtoi poeti Leka, gjithmonë përpiqemi që tiu tregojmë të tjerëve se sa i lashtë është qyteti ynë Durrësi, por krahas një lashtësie dinjitoze ne kemi edhe një vend që ecën me hapa të shpejta drejt modernes ashtu si dhe Parisi, Londra e Neë Yorku.
Sipas organizatorëve, e veçanta e këtij edicioni ishte pranimi i Poetekës si strukturë në LYRICKLINE që është edhe rrjeti më i madh bashkëkohor i poezisë vizuale. Me pranimin në këtë rrjet, edhe Poeteka bëhet pjesë e programit të UNESKO-s. Një formë e veçantë e papërdorur në edicionet e tjera është edhe Poetry film-i. Sipaskësaj mënyre, regjisorët krijojnë një film, bazuar në një poezi. Në këtë rast teknika kinematografike përdoret si ndërmjetëse mes publikut dhe letërsisë. Gjatë këtij edicioni u shfaqën 14 filma të tillë. Poshtë ekranit, temat filmike shoqëroheshin me vargje të poezisë përkatëse. Kjo metodë ka ardhur në këtë festival si nismë e Dr. Thomas Wohlfahrt dhe si bashkëpunim i Zebra Festival, Berlin.