Dushanėt - Qė tė dy Dushanėt janė banorė tė Kosovės. Qė tė dy janė tė lindur dhe dėshirojnė tė jetojnė nė Kosovė. Ata edhe e duan Kosovėn nė tė njėjtėn masė. Por, dallimi midis tyre fillon kėtu. Ata e duan atė nė mėnyra tė ndryshme.
Vizioni i tyre për të është i ndryshëm. Motivi për ta dashur atë është i ndryshëm. Arsyeja e këtyre ndryshimeve është e thjeshtë. Njërit Dushan dashuria për Kosovën i lind brenda vetvetes, tjetrit nga jashtë. Njëri e do nga motivi i çdo njeriu normal për jetë normale, të lirë e të qetë, ndërsa tjetri për shkak të personifikimit në vetveten të një kalorësi të patundur të cilit i takon detyra historike për zhdukjen e padrejtësive që i janë bërë kombit të tij të bekuar nga Zoti, por të nëpërkëmbur nga njerëzimi. Njëri i ka veshët në kokën e tij dhe mjaftohet duke e dëgjuar vetveten, familjen dhe miqtë e tij duke folur për të ardhmen, ndërsa tjetri i ka veshët në kokat e kombit" dhe kënaqet duke i dëgjuar ata duke folur për historinë, padrejtësitë që u janë bërë dhe drejtësinë që duhet vënë në vend. Pra, njëri Dushan, ai i pari është Dushani jo i instrumentalizuar, racional, ndërsa ai i dyti është Dushani i instrumentalizuar, iracional.
Ilirët
Që të dy Ilirët janë banorë të Kosovës. Që të dy janë të lindur dhe dëshirojnë të jetojnë në Kosovë. Ata edhe e duan Kosovën në të njëjtën masë. Edhe në këtë rast dallimi midis tyre fillon këtu. Ata kanë vizion të ndryshëm për Kosovën. Ata janë të niveleve të ndryshme të vetëdijes. Njëri Ilir është i papërmirësueshëm në bindjen e tij se hakmarrja është obligim patriotik, ndërkohë që tjetri është i papërmirësueshëm në bindjen e tij se patriotizmi më i madh është barabarësia dhe drejtësia ndaj të gjithëve. Njëri mendon se misioni historik përfundon me pastrimin e vendit, tjetri se e ardhmja e lirë dhe në paqe për të gjithë është mision historik. Njëri mendon se as lufta e fundit nuk e ka arritur qëllimin pasi nuk ka arritur ti bëjë të tjerët robërit tanë, ndërsa i dyti mendon se lufta e fundit çlirimtare nuk e ka arritur qëllimin pasi nuk ka arritur ta zhdukë mentalitetin se dikush duhet patjetër të jetë rob i dikujt. I pari mendon se realizimi i qëllimit të parealizuar të luftës është kusht për paqe. I dyti mendon se çrrënjosja e mentalitetit të robërisë së domosdoshme për njërën palë do të vijë si nevojë e të dy palëve për liri dhe paqe. Pra, njëri Ilir, ai i pari është Iliri iracional, ndërsa ai i dyti është Iliri racional.
Kosova
Kosova është një vend i dalë nga lufta. Është një vend i pasur me pasuri natyrore të pashfrytëzuara, me pakica kombëtare, me këngëtarë në tentativë, me rini të paperspektivë, me improvizime, me optimizëm të pashtershëm, me terr, me varfëri të thellë, me pub-e e kafiteri dhe me probleme të shumta ekonomike, politike e morale. Një vend i cili edhe pse ka kohë që ka dalë nga lufta nuk po arrin dot ta gjejë portën për të dalë nga pasojat e saj. Është vendbanimi i Ilirëve, Dushanëve dhe i misioneve të ndryshme diplomatike që po përpiqen me forcë të mbeten këshilluese, por që për çudi nuk po arrijnë dot. Është shteti më i ri në botë. Shtet i cili me kushtetutën e vet ia ka mohuar vetes të qenët shtet. Është vend i cili në emër të kualifikimit si rast sui generis synonte ta arrinte pavarësinë nga Serbia dhe që pikërisht nga cilësimi si rast sui generis arriti të bëhet i varur nga serbët. Dhe kjo falë një pasurie të cilën në saje të një pakujdesie të dënueshme harrova ta përmend më lart - falë Pakos së Ahtisarit. Kjo Pako është dhuratë për Ilirët, Dushanët dhe bashkëvendësit e tjerë të tyre. Ajo, në fakt, më shumë se për këdo tjetër është dhuratë për Ilirin iracional dhe Dushanin iracional. Edhe më saktë, është alibi për ekstremizmin në qëndrimet e tyre ndaj njëri-tjetrit.
Pakoja e Ahtisarit - Multietniciteti
Në Ballkan zgjidhja e problemeve nuk është vetvetiu e komplikuar. Të tillë e bëjnë interesat e komplikuara të të tjerëve jashtë Ballkanit. Këtyre u ndihmojnë edhe ata që nuk janë të interesuar për zgjidhje që do ti lidhnin njerëzit mes vete, po për zgjidhje që i armiqësojnë ata. Këto probleme do të ishin zgjidhur shumë më mjeshtërisht dhe më shpejt sikur për to të merrnin vendime ata që nuk konsiderohen mjeshtër të tyre. Ata të cilët rrallë shihen në ekran e që shumicën e kohës e kalojnë përballë tij. Ata të cilët nuk po pyeten. Ata për të cilët po vendoset.
Për mjeshtrit e zgjidhjeve kjo gjë nuk është e panjohur, por është e papërshtatshme. Sepse qëllimi i tyre nuk është gjetja e zgjidhjes së drejtë, por e zgjidhjes së 'duhur'. Dhe pikërisht zgjidhje të tillë ofronte Ahtisari me Pakon e tij. Kjo Pako ishte produkt i situatës, ndërkaq situata ishte produkt i gabimeve të vazhdueshme të ofruesve të Pakos. Në emër të integrimit vazhdimisht janë ndërmarrë hapa dezintegrues. U bë izolimi etnik në vend të hapjes dhe komunikimit. U bë diskriminimi i shumicës në emër të të drejtave për pakicën. Shumicës iu mohua statusi i kombit, ndërkohë që pakicës iu mohua statusi i pakicës përmes shkrirjes së të dyve në komunitete. Këto i legjitimoi edhe Pakoja e Ahtisarit. Këto i legjitimoi edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Këto gjëra i bëjnë plotësisht jofunksionale këto dy akte politiko-juridike. Pakoja e Ahtisarit është jofunksionale sepse është mbështetur mbi një premisë të papërputhshme me realitetin - në multietnicitetin, ndërsa Kushtetuta e Kosovës është jofunksionale sepse është mbështetur në Pakon e Ahtisarit.
Ahtisari, i zhytur në përpjekjet e tij për ta hartuar një plan paqësues të pranueshëm për të gjithë nxirrte në sipërfaqe një kontradiktë fatale për paqen. Ai iu shmang lidhjes midis Paqes dhe Drejtësisë me qëllim që të krijonte një lidhje të re midis Paqes dhe Padrejtësisë. Ai bëri një gabim fatal. Ai ra në grackën e iracionalitetit. Kur e bëri Planin ai nuk kujdesej se çfarë do të mendonte për të Iliri dhe Dushani racional por Iliri dhe Dushani iracional. Dhe pikërisht për këtë kjo zgjidhje e ofruar nuk është zgjidhje e problemit, por zgjidhje e grykës së thesit me plot probleme përbrenda. Duke qenë se egërsia e iracionalëve do të shuhej vetëm me shkatërrimin e plotë të njëri-tjetrit, zgjidhja e ofruar është e papranueshme për ta. Iliri iracional e do një Kosovë të pastruar nga serbët dhe favoret që u janë bërë serbëve i sheh si jusitifikim të ekstremizmit të tij. Gjithashtu, Dushani iracional e do një Kosovë serbe të pastruar nga shqiptarët, ose të paktën me shqiptarë të nënshtruar nga ta dhe përkundër favoreve që i janë dhuruar, të bërit e Kosovës shtet e sheh si jusitifikim të ekstremizmit të tij.
Pra, kjo Pako, megjithë përpjekjet, nuk ka arritur ti ngopë të pangopshmit. Ndërkohë ky orientim i gabuar ka bërë që të pakënaqur me këtë zgjidhje të mbeten edhe racionalët. Iliri racional është jashtëzakonisht i shqetësuar dhe nuk mund të pajtohet kurrsesi me mohimin dhe diskriminimin që i bëhet nga kjo zgjidhje. Në anën tjetër, Dushani racional, i cili kishte ëndërruar që problemet me fqinjët e tij shqiptarë të përfundonin me të dhe fëmijët e tij të jetonin në një Kosovë të qetë e funksionale është shumë i zhgënjyer me perspektivën që ofron kjo zgjidhje. Ai e di se ëndrra e tij nuk realizohet në një komunë të izoluar serbe, as me vende të rezervuara në parlament, as me fuqi penguese në këtë organ, e as me favoret tjera që i bëhen. Përkundrazi. Ai këto i sheh si pengesa në rrugën e tij. Sepse ai, gjatë jetës së tij të bujshme, e ka kuptuar shumë mirë një gjë: e ka kuptuar se ëndrra e tij nuk ka mundur dhe nuk mundet kurrë të realizohet mbi mohimin e ëndrrës së tjetrit.
Agim KULETA