Mbrėmjen e sė martės, mė datė 7 tetor 2008, dy kandidatėt pėr President tė Shteteve tė Bashkuara, Barack Obama dhe John McCain, zhvilluan debatin e dytė mes tyre, nė mbyllje tė njė dite tė stuhishme pėr bursat nė botėn mbarė, qė kishte shėnuar me miliarda dollarė humbje dhe, sidomos, e kishte thelluar edhe mė krizėn e besimit midis operatorėve financiarė privatė dhe publikė.
Është pikërisht kjo krizë besimi që e ka paralizuar tashmë sistemin e huave midis institucioneve financiare dhe në përgjithësi, me pasoja të frikshme për ecurinë e ekonomisë botërore gjatë muajve, madje viteve të ardhshme.
Natyrisht, zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe kriza globale në tregjet financiare nuk kanë ndonjë lidhje shkakësore mes tyre, por edhe nuk thua dot se u përkasin dy universeve të kithëta, përkundrazi. Për këto humbje të rënda në bursat anembanë botës, e veçanërisht në Wall Street, shumë analistë dhe komentatorë nga e majta dhe nga e djathta po akuzojnë tani drejtpërdrejt politikat neoliberiste të administratës Bush dhe të krejt elitës financiare globale, të shprehur në filozofinë e institucioneve të tilla si FMN-ja dhe Banka Botërore.
Nëse socializmi si vizion ekonomik dhe shoqëror është kritikuar dikur, ndër të tjera, edhe pse mbështetet mbi një vizion ideal, madje utopik për njeriun si qenie etike, tani ndoshta i ka ardhur radha kapitalizmit korporativist neoliberist të kritikohet ndoshta po aq ashpër, ngaqë refuzon të marrë parasysh grykësinë e kapitenëve të ekonomisë globale dhe prirjet e tyre të pashmangshme për të vënë gjithçka nën kontroll. Modeli i tregut të lirë mund të funksionojë vërtet si sistem vetërregullues dhe vetëbalancues, por në realitet krejt mekanizmi ideal i tregut vjen e korruptohet, që nga momenti kur operatorët ekonomikë kërkojnë hegjemoni duke ndikuar drejtpërdrejt në institucionet përfaqësuese të qytetarëve.
Nuk është e thënë të jesh ekonomist, për të kuptuar se ishin politikat neoliberiste të papërgjegjshme të këtyre njëzet vjetëve të fundit që i lejuan shoqëritë financiare dhe bankat në SHBA, në Britaninë e Madhe dhe gjetiu të luanin kumar me paratë dhe pasuritë e klientëve të tyre, duke refuzuar madje përqeshur çdo lloj orvatjeje për mbikëqyrje nga ana e institucioneve përfaqësuese të qytetarëve. Si rezultat i kësaj filozofie delirante, tregjet financiare anembanë botës janë katandisur në një kazino luksi për të fortët e financave globale.
Kriza financiare ka krijuar vetvetiu pasiguri dhe ankth jo vetëm në SHBA, por në botën mbarë; prandaj fushata parazgjedhore amerikane këtë vit po ndiqet me interes të madh anembanë, për të parë nëse kandidatët do të jenë në gjendje të ofrojnë, njëfarësoj, në mos zgjidhjen, së paku një vizion për realitetin e paskrizës. Për fat të keq, debatet presidenciale po dëshmojnë se formati i deritanishëm i një procesi parazgjedhor të fokusuar rreth personaliteteve të kandidatëve dhe të amplifikuar nëpërmjet masmediave, nuk është në gjendje të përftojë veçse klishe të lodhura, pozicionime të parashkruara dhe deklarime populiste.
Të dy kandidatët për president, Obama demokrat dhe McCain republikan, janë politikanë kompetentë, të mençur dhe të përgatitur; por debateve mes tyre u mungon mençuria ose mendimi, sepse çka thuhet atje është vendosur gjetiu, shkruar gjetiu dhe provuar gjetiu nga sekserë të imazhit e të brand-it, ekspertë të opinionit publik dhe të tjerë specialistë e xhambazë të komunikimit masiv. Shkëmbimet publike mes tyre janë monologje ndarë në segmente dhe kombinuar pastaj në një kolazh që vetëm i ngjan dialogut, por që dialog në të vërtetë nuk është, sepse e veçanta e dialogut është qasja ndaj së vërtetës nëpërmjet ballafaqimit, pasurimit të mendimit dhe ndriçimit të problemeve.
Prandaj të vjen keq kur i dëgjon kandidatët për president të demokracisë më të madhe në planet të hyjnë në garë mes tyre, se kush do të shqiptojë më shumë deklarata naive të tipit ne do ta vrasim Bin Laden-in; ose të keqpërdorin hapësirën e debatit për ti kujtuar obsesivisht publikut raste kur rivali ka rënë në kontradiktë ose kundërshtim me veten, ose duke ia provuar inkonsistencën thua se konsistenca qenka virtyti themelor që kushtetuta dhe qytetarët amerikanë kërkojnë prej Presidentit.
Fajin për këtë degradim të debatit dhe padronizim të padurueshëm të publikut nuk e kanë aq kandidatët vetë, sesa vetë formati televiziv i komunikimit, i cili i shtrëngon pjesëmarrësit ti reduktojnë arsyetimet e tyre në formula të thjeshta, mekanike dhe propagandistike (sound bites). Politika vërtet e ka një gjithnjë element teatral, por tanimë aktorët të vënë përballë një publiku televiziv dhjetëra, në mos qindramilionësh nuk kanë zgjidhje tjetër, përveçse të identifikohen me rolet e tyre deri në atë shkallë, sa të asfiksohen prej maskave që kanë vënë para se të dilnin në skenë.
Nëse katastrofa në tregjet financiare globale u shkaktua prej besimit të tepruar, madje delirant, në aftësinë e tregut për ti korrigjuar vetë gabimet dhe për tu vetëdrejtpeshuar, formati ekzistues i fushatës parazgjedhore në SHBA nuk po funksionon siç duhet, për shkak se institucionet e propagandës politike ende kërkojnë ta manipulojnë publikun votues me mënyra dhe teknika që janë konceptuar dhe përsosur për reklama mallrash të konsumit të gjerë: kremra plazhi, ushqime për qen, telefona celularë, pelena për foshnje, letër higjienike, birrë, pastë dhëmbësh, laksativë, këpucë të lehta.
Kështu qytetarëve amerikanë u kërkohet të zgjedhin midis Obamës dhe McCain-it njëlloj siç do tu kërkohej ti blinin këto dy produkte, po të ofroheshin në treg, dhe kjo ndodh kryesisht sepse televizioni, si mjet komunikimi, në thelb nuk mund të përdoret veçse për të shitur sende, mirazhe ose ëndrra. Teknika të tilla kanë gjithnjë sukses, por çmimi afatgjatë i një suksesi të tillë në sferat e politikës globale mund të rezultojë i papërballueshëm edhe për një vend me traditat politike të SHBA, madje me pasoja dramatike për integritetin e demokracisë amerikane dhe rolin e SHBA në botë.
Edhe kriza financiare, edhe varfëria në përmbajtje dhe në mendim e debateve presidenciale, tregojnë se formula magjike e tregut si faktor sovran për demokracinë në epokën e korporatave dhe të globalizimit tashmë ka dështuar dhe nuk mund të mbrohet më. Një treg i lirë i shëndetshëm është kusht i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik botëror, por tregu në vetvete, si mekanizëm ekonomik dhe si dukuri shoqërore, nuk mund të kompensojë për politika dritëshkurtra dhe klienteliste të frymëzuara e të nxitura nga grupe elitare interesash, madje as të garantojë i vetëm zhvillim ekonomik të harmonishëm.
Në një situatë të tillë, kur prej Washington-it shpresohet, madje kërkohet të rishikojë me themel jo vetëm politikat ekonomike, por edhe krejt marrëdhëniet e tregut të lirë kapitalist me autoritetet rregulluese dhe mbikëqyrëse, fitorja në zgjedhjet presidenciale të nëntorit duket se po i mbetet në dorë Barack Obama-s dhe Partisë Demokratike. Pavarësisht nga moria e mesazheve detyrimisht të sheshta që ka lëshuar në debatet televizive, Obama duket i pozicionuar më mirë se McCain, për ta reformuar rrënjësisht politikën amerikane, të brendshme dhe të jashtme.
Ngjarje si ato të pak viteve më parë, kur publikut televiziv amerikan iu shit, ditën për diell, arsyeja e paqenë për ndërhyrje ushtarake amerikane në Irak, nuk mund të tolerohen më nga bota e lirë; sikurse nuk mund të tolerohen më tortura në burgjet amerikane, shkelja e habeas corpus, shpërfillja e konventave ndërkombëtare dhe e diplomacisë, doktrina neokonservatore për eksportimin e demokracisë anembanë botës me forcën e armëve dhe arroganca në marrëdhëniet me aleatët e natyrshëm të SHBA.
Kriza financiare globale nxori në pah edhe të vërtetën e pakëndshme se më e shumta e vlerave financiare që po këmbehen në bursë janë shifra të zbrazëta, baste mbi baste, spekulime të kulluara dhe produkte skemash piramidale; përkundrazi, humbjet janë reale dhe të të gjitha palëve. Njëlloj, debatet televizive edhe në nivelet më të larta të politikës, madje veçanërisht në nivelet më të larta të politikës, janë shndërruar në gjeneratorë formulash të zbrazëta; fjalësh të veshura në uniformë, por të zhveshura nga mendimi prodhimtar, fryma e dialogut dhe vullneti për komunikim real me publikun.
Në qoftë se Barack Obama, si president i ardhshëm i SHBA, arrin ti modifikojë raportet e qytetarëve me politikën, duke e dëbuar që andej modelin tashmë të diskredituar të tregut, blerësve dhe produkteve, ndoshta edhe debatet presidenciale të vitit 2012 do të kthehen përsëri në lartësinë e merituar, dhe do ti përgjigjen kushtetutës amerikane për nga dinjiteti njerëzor, profili i lartë etik dhe niveli intelektual. Si në një rast, ashtu edhe në tjetrin, kriza gjithnjë mund të shërbejë si katalizator për ta rikthyer përmbajtjen në komunikimin ekonomik dhe shoqëror, përtej formateve të imponuara prej televizionit dhe modeleve ideologjike tashmë të diskredituara.
Nga Ardian Vehbiu/shekulli