Do tė kishte qenė pėr tė qeshur, nėse nuk do tė ishte kaq serioze. Shfajėsimet erdhėn shpejt dhe tė shumta nė numėr gjatė gjithė javės, ndėrsa liderėt e Bashkimit Europian, me gjithė bisedat e tyre tė zakonshme pėr veprime tė bashkėrenduara, u detyruan nga njė krizė botėrore e kredive tė garantonin depozita individuale dhe tė mbėshtesnin financiarisht bankat
Shfajësimi më i pazakontë për krizën në Europë erdhi nga François Fillon, kryeministri i Francës. Ai deklaroi para parlamentit francez se ishte logjike që qeveritë kombëtare të merrnin masa për të shpëtuar bankat e tyre. Pas së gjithash, kriza mund të ndodhë në orën 2 të natës dhe asnjë ministër nuk do të donte të zgjonte në këtë orë 26 homologët e tij europianë, për të debatuar planin e shpëtimit me ta.
Fillon e vuri theksin në një pikë: autoritetet kombëtare e njohin sektorin e tyre financiar më mirë sesa institucionet e jashtme dhe zakonisht është më e nevojshme shpejtësia se sa esenca.
Por, ai po mbulonte njëkohësisht edhe një arsye të madhe për hapat e ngadalta të Europës në këtë krizë.
Kriza si dhe shpejtësia e reagimit të kërkuar, i ekspozoi limitet institucionale dhe politike të projektit europian. France e di këtë më mirë se të gjithë. Ajo mban presidencën e radhës së BE-së, një detyrë të cilën presidenti i saj, Nikolas Sarkozi e përdori si avantazh gjatë pushtimit rus të Gjeorgjisë.
Por, një samit urgjent që Franca organizoi më 4 tetor me pjesëmarrjen e liderëve të katër ekonomive më të mëdha të Europës ishte një dështim. Para se liderët të takoheshin, Gjermania la të kuptohej se do të hidhte poshtë kërkesën franceze për një fond të përbashkët për shpëtimin financiar. Detajet janë të mjegullta, sepse zyrtarët francezë më pas deklaruan se nuk ishte plani i tyre. Më pak se 24 orë pas përfundimit të samitit në Paris, Gjermania goditi sërish, këtë herë duke shpallur një garanci të mbrojtur nga shteti për depozitat në bankat gjermane. Irlanda ishte e para që doli nga radhët e BE-së, duke ofruar garanci për depozitat në bankat në pronësinë irlandeze, mes frikës së falimentit. Ministrat e Financave të BE-së u takuan më 7 tetor në Luksemburg, ku disa prej tyre premtuan garanci të reja për bankat.
Në një përpjekje për të vendosur rregull në këtë kaos, ministrat kërkuan garanci më të mëdha. Disa vende, kryesisht ato të ish-bllokut komunist, thanë se nuk mund të përballonin hapa të tillë.
Në fund, ministrat e BE-së ranë dakord se mund të garantonin depozita deri në 50.000 euro. Etërit themelues të BE-së menduan se bashkimi monetar mund të shkonte në të njëjtën linjë me bashkimin ekonomik dhe të kishte një konvergjencë politikash fiskale dhe monetare. Shumë kishin menduar se bashkimi politik do të zgjaste shumë, por historia mori një kthesë të ndryshme dhe BE-ja rezultoi në një hibrid të çuditshëm: anëtarët e saj kanë siguruar shumë sovranitet dhe 15 prej tyre përdorin monedhën e përbashkët. Por, nuk bëhet fjalë për një shtet federal. Banka qendrore europiane kontrollon politikat monetare për eurozonën, por mbikëqyrja bankare mbetet nën kontrollin kombëtar.
Gjithsesi, shpjegimi kryesor për zhgënjimet e javës ka më shumë të bëjë me arkitekturën institucionale më shumë se vullnetin politik. Asgjë në arkitekturën e BE-së nuk i ndalon qeveritë kombëtare të derdhin para në një fond të përbashkët për shpëtimin e bankave. E vërteta është se ato nuk e bëjnë këtë. Gjermanët ishin më të qartë në arsyetimin e tyre. Ne nuk duam të derdhim para për një fond, mbi të cilin nuk kemi kontroll dhe nuk e dimë si do të përdoret, - tha ministri i Financave, Peer Steinbrück. Politikanët europianë tashmë mund të përballen me domosdoshmërinë e shpjegimit pse një kontribut i tillë financiar është dhe në të mirën e tyre. Dhe kjo nuk është aspak e lehtë.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)