Pushimet verore po afrojnė dhe pėrpara prindėrve dalin tė tjera probleme nė lidhje me fėmijėt dhe kohėn e tyre tė lirė.
Gjatë vitit shkollor, pjesa më e madhe e ditës kalon në shkollë apo duke studiuar, duke lënë kështu pak kohë të lirë dhe është më e thjeshtë të gjesh një mënyrë për ta shfrytëzuar atë. Shpeshherë mjafton një lojë a një kurs dhe kjo kohë është shpenzuar më së miri. Mirëpo, me ardhjen e ditëve të gjata dhe me shkëputjen nga shkolla, organizimi i kohës së lirë të fëmijëve kthehet në një detyrë të vështirë për prindërit. Shumica e tyre janë të angazhuar me punë dhe e kanë thuajse të pamundur të kontrollojnë mënyrën se si e kalon fëmija pjesën më të madhe të ditës. Duke qenë se prindërit nuk dëshirojnë që fëmija të qëndrojë me orë të tëra përpara televizorit ose kompjuterit, ata përpiqen ta nxisin fëmijën drejt leximit. Mirëpo, kësaj dëshire të prindit i kundërvihet shpeshherë kokëfortësia e fëmijës, duke këmbëngulur se është me pushime.
Çështja që shtrohet përpara prindërve, është: A duhen privuar fëmijët nga e drejta për pushime duke i ngarkuar me detyra, mësime, studim apo duhen lënë të pushojnë plotësisht duke e kaluar të gjithë periudhën e muajve te verës larg librave dhe të mësuarit?
Disa fëmijë e kalojnë verën në një pushim të plotë, dhe disa të tjerë bëjnë një ndërthurje të pushimit me mësimin e diçkaje të re. Kjo rrugë e mesme, ku fëmija nuk jepet pas një pushimi pasiv, por as nuk rëndohet me studim të tepërt, do të ishte shumë e përshtatshme për të gjithë fëmijët. Por, si mund të gjendet kjo rrugë e mesme? Si mund të bëhet një organizim sa më i mirë i kohës në këto ditë të gjata vere? Dhe kur duhet të fillojë ky planifikim?
Një mundësi shumë e mirë janë shkollat verore. Një zgjedhje e tillë është veçanërisht e përshtatshme për prindërit të cilët e kalojnë pothuajse të gjithë ditën në punë dhe kjo i shtyn ata ta regjistrojnë fëmijën në të parën shkollë verore që mund të gjejnë. Por, a është kjo zgjedhja e duhur? Do të ishte mirë që zgjedhja e shkollës verore të bëhej në bazë të programit që ajo ndjek, i cili duhet të konsistojë jo vetëm thjesht në argëtimin e fëmijëve, por të ketë një alternim të lojës me mësimin. Janë të njohura në botë shkollat verore që ofrojnë udhëtime, vizita në vende historike, kurse për mësimin e një gjuhe të huaj, mësim kompjuteri, praktikimin e një sporti dhe lojëra të ndryshme. Kalimi i ditëve të verës në shkolla të tilla është shumë argëtuese për fëmijët. Ata zbaviten dhe mësojnë në të njëjtën kohë.
Nëse nuk gjendet mundësia për një shkollë verore, atëherë një plan i përgatitur nga prindi në bashkëpunim me fëmijën do të ishte frytdhënës. Por, që fëmija të bindet se ky plan duhet bërë, është mirë që shtysa e parë të jepet nga mësuesi përpara se të përfundojë shkolla. Dhe shtytja kryesore duhet dhënë drejt librit. Të gjithë e dimë se një libër është një mik i mirë kudo, në dhomë duke ndenjur, në udhëtim, në avion, madje edhe nën hijen e çadrës buzë detit. Kështu, nga mësuesit e fillores në shkollën tonë, prej vitesh, bashkë me dëftesën jepet edhe një listë e librave jashtëshkollorë të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Kjo është një ndihmë për prindin, i cili, i gjendur para një numri të madh botimesh në libraritë tona, do të dijë të zgjedhë ato që janë më të përshtatshme për moshën e fëmijës së tij dhe njëkohësisht do ta nxisë fëmijën të lexojë për të përmbushur detyrën që i është dhënë. Kuptohet që nxënësit mund të lexojnë edhe libra të tjerë, gjithmonë duke iu përmbajtur kufijve të moshës. Të dobishëm, sidomos për fëmijët e shkollës fillore, janë librat e pushimeve, të cilët, krahas leximeve kanë edhe një mori ushtrimesh zbavitëse. Ky kontakt me librin do të shmangë stresin e shtatorit, i cili ndihet më shumë te fëmijët të cilët pushojnë plotësisht gjatë verës.
Shpesh, fëmijëve të tillë u nevojitet një periudhë gati njëmujore për tu përshtatur me fillimin e shkollës.
Përveç librit jashtëshkollor, që është dhe duhet të mbetet një mik i pushimeve, rëndësi duhet ti kushtohet punës për atë lëndë apo lëndët ku fëmija ka më tepër mangësi. Përsëri këtu duhet bërë paraprakisht konsultimi me mësuesin, i cili është mirë ta vërë në dijeni prindin për temat apo kapitujt ku duhet të përqendrohet më tepër puna e fëmijës. Puna gjatë verës në atë lëndë ku fëmija ndjen më shumë dobësi, do të çojë në përforcimin e njohurive që për arsye të ndryshme nuk u morën të plota gjatë vitit shkollor. Në këtë mënyrë, në vitin e ri shkollor, fëmija hyn me njohuri të plotësuara dhe eliminon rrezikun që këto mangësi të theksohen më shumë e të bëhen pengesë serioze për mbarëvajtjen e tij normale në atë lëndë.
Por, sa kohë duhet ti kushtohet studimit gjatë verës? A duhet të jetë ky studim i përditshëm? Cila pjesë e ditës është më e përshtatshme për të studiuar?
Është mirë që mësimi gjatë verës të jetë i përditshëm, por me kohëzgjatje të shkurtër (rreth 1 orë), në mënyrë që fëmija të mos ndjejë ngarkesë, pra të mos lodhet. Koha më e përshtatshme gjatë ditës do të ishte ajo kur kryhen më pak veprimtari. Zakonisht kjo kohë më pak e ngarkuar përkon me mesditën. Kështu, asgjë nuk do ti hiqet bukurisë ditore të pushimeve të fëmijës. Në atë periudhë të ditës, ai nuk do ta humbasë as lojën e paradites me shokët, as pasditen e planifikuar për ta kaluar diku me familjen.
Vera është një periudhë shumë e mirë për tiu përkushtuar sporteve. Çdo sport, i cili nuk paraqet rrezikshmëri, do të ishte i përshtatshëm për të kaluar një pjesë të ditës në mënyrën më të mirë. Në këtë mënyrë, fëmija, jo vetëm luan, por edhe mësohet me disiplinën në lojë, zgjeron shoqërinë dhe zhvillohet.
Vera gjithashtu të krijon mundësinë të mësosh një gjuhë të huaj. Një kurs intensiv për një gjuhë të huaj që fëmija ka dëshirë ta mësojë, bëhet një zgjidhje e mirë për të kaluar kohën dhe për të zgjeruar njohuritë. Kjo e mban fëmijën në kontakt me librat dhe me studimin.
Por, mbi të gjitha, kjo periudhë e vitit është një kohë shumë e mirë për të forcuar marrëdhëniet prindër fëmijë. Më shumë kohë e lirë, një mundësi më shumë për çdo prind të qëndrojë pranë fëmijës, më shumë kohë për të luajtur me të dhe për tu kënaqur së bashku. Atëherë le ta krijojmë këtë mundësi për fëmijët tanë.
Foleja Familjare / TOK